Imzot Gjergj Meta Imzot Gjergj Meta

Imzot Gjergj Meta: Kisha në Shqipëri pranë kardinajve

"Të porosisim në Dioqezat tona, sidomos në këto ditë që fillon edhe muaji i Majit, për ne muaji kushtuar Zojës së Bekuar, gjithë popullin e Hyjit, meshtarët, rregulltarët, rregulltaret dhe besimtarët laikë, që të mbështesin me lutjen e tyre Kardinalët që po përgatiten të zgjedhin Papën e ri": ky mesazhi i kreut të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë pas deklaratës së sotme të Kongregacionit të Kardinajve, me të cilën kërkohen lutje për pjesëmarrësit në Konklav

R.SH. - Vatikan

Kisha Katolike në Shqipëri i përgjigjet thirrjes së kardinajve, të cilët u kërkojnë besimtarëve të luten, që gjatë Konklavit për zgjedhjen e Papës së ri, të jenë në gjendje ta ndiejnë vërtet ç’kërkon Shpirti Shenjt prej tyre e prej gjithë Popullit të Zotit, në këtë moment të historisë botërore. Për këtë arsye, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Gjergj Meta, ipeshkëv i Rrëshenit, u bën thirrje sivëllezërve të tij ipeshkvij që, sidomos gjatë muajit maj, të cilin Kisha ia kushton Zojës së Bekuar, të ftojnë meshtarët, rregulltarët e besimtarët t’i mbështesin kardinajtë e Romës me lutjen e tyre. Ja mesazhi i imzot Gjergj Metës…

Ja mesazhi i imzot Gjergj Metës

Prot. Nr. 35/2025

Rrëshen, 30 prill 2025

Shkëlqesi të Nderuara,

Në ditën e sotshme Kolegji i Kardinalëve, i mbledhur në Kongregacion të Përgjithshëm, që i paraprin nisjes së Konklavës, ka publikuar një komunikatë me të cilën “…dëshiron t’i drejtojë Popullit të Hyjit ftesën për të jetuar këtë moment kishtar si një ngjarje hiri dhe shoshitjeje shpirtërore, në dëgjim të Vullnetit të Hyjit.”

Prandaj kardinalët, të vetëdijshëm për përgjegjësinë për të cilën janë thirrur, kuptojnë “…nevojën e mbështetjes në lutje nga ana e të gjithë besimtarëve. Ajo (lutja) – vazhdojnë ata - është fuqia e vërtetë që në Kishë ndihmon bashkimin e të gjitha gjymtyrëve të të njëjtit Trup të Krishtit.” (krh. 1 Kor 12,12).

Përballë madhështisë së detyrës që i pret së afërmi dhe të urgjencës së kohëve që po jetojmë, “… është mbi të gjitha e nevojshme të bëhemi mjete të përvujta të Urtisë së pafundme të Provanisë së Atit qiellor, në bindjen ndaj veprimit të Shpirtit Shenjtë. Është ai protagonist i jetës së Popullit të Hyjit, Atij duhet t’ia vëmë veshin duke mirëpritur atë çka Ai i thotë Kishës” (krh. Zb 3,6).

Në fund të komunikatës së tyre Kardinalët kërkojnë shoqërimin e Zojës në këtë lutje dhe ndërmjetësimin e saj amnor.

Prandaj, të nderuar Ipeshkvinj, si barinj të këtij popullit tone, të porosisim në Dioqezat tona, sidomos në këto ditë që fillon edhe muaji i Majit, për ne muaji kushtuar Zojës së Bekuar, gjithë popullin e Hyjit, meshtarët, rregulltarët, rregulltaret dhe besimtarët laikë, që të mbështesin me lutjen e tyre Kardinalët që po përgatiten të zgjedhin Papën e ri.

Duke besuar që do të sensibilizoni Dioqezat tuaja, sikurse keni bërë deri tani, ju përshëndes e ju uroj përzemërsisht një muaj të bekuar të Zojës për të gjithë ju.

Vllazërisht në Krishtin

 

+ Dom Gjergj Meta

President i KISH-it

30 prill 2025, 16:06