Imzot Paolo Martinelli, françeskan kapuçin, që nga maji 2022 vikar apostolik i Arabisë Jugore Imzot Paolo Martinelli, françeskan kapuçin, që nga maji 2022 vikar apostolik i Arabisë Jugore

Imzot Martinelli: kontributi i Françeskut në dialogun ndërfetar është i madh

Vikari Apostolik i Arabisë Jugore, françeskan kapuçin, nënvizon rëndësinë e "Dokumentit mbi Vëllazërinë Njerëzore" nënshkruar nga Papa në Abu Dhabi, në vitin 2019. E quan tekst "profetik" që u bën thirrje feve të punojnë "së bashku për të mirën e njerëzimit". "Nga Fratelli tutti te Laudato si' - shton ai - ka shumë frymë françeskane në mësimin e tij"

R.SH. - Vatikan

“Dhimbja, vuajtja që po jetojmë në këto orë për përfundimin e misionit tokësor të Papës Françesku, është tashmë dëshmia e parë e vlerës së papnisë së tij, gjesteve të tij, mësimit të tij”. Kështu shprehet, nga Abu Dhabi, Imzot Paolo Martinelli, françeskan kapuçin, që nga maji 2022 vikar apostolik i Arabisë Jugore, juridiksion territorial i Kishës Katolike që përfshin Emiratet e Bashkuara Arabe, Omanin dhe Jemenin. Shtëpia ku  banon, në kryeqytetin e vendit arab, ndodhet në oborr të Katedrales së Shën Jozefit,  vizituar nga Françesku më 5 shkurt 2019, gjatë udhëtimit të tij në Emiratet, ngjarje që hyri në histori për nënshkrimin e "Dokumentit mbi Vëllazërinë Njerëzore" me Imamin e Madh të Al-Azharit, Ahmad Al-Tayyib.  

Dokument profetik

Pikërisht për atë, që e quan "kontribut i madh" i Papës në dialogun ndërfetar dhe në trashëgiminë e tij "Françeskane", flet imzot Martinelli, ish-ipeshkëv-ndihmës i Milanos. "Ishin të shumta gjestet që realizoi për të nënvizuar të mirat e dialogut ndërmjet njerëzve me besime të ndryshme – shpjegon. “Dokumenti kushtuar “Vëllazërisë njerëzore” është tekst unik e profetik. Krijon një kapitull të ri në historinë e dialogut ndërfetar”. "Para së gjithash - shton Prelati - sepse është hera e parë që një dokument nënshkruhet nga kreu i kishës katolike dhe autoriteti më i madh i islamit sunit së bashku. Më pas, ngaqë përmbajtja e tij është vërtet profetike, sepse e ngre dialogun ndërfetar jo aq në nivelin e një krahasimi doktrinor, që mbetet i rëndësishëm, por në dobinë e feve, që të punojnë së bashku për ta mbështetur më shumë shoqërinë njerëzore, të mirën njerëzore, dinjitetin e çdo burri e të çdo gruaje. E edhe për ta dënuar rrënjësisht çdo dhunë të bërë në emër të Zotit, si tradhti e përvojës së vërtetë fetare”.

Papa Françesku vijon të na ftojë të ecim të bashkuar!

23 prill 2025, 12:09