Duke u lutur për Papa Françeskun në Gemelli Duke u lutur për Papa Françeskun në Gemelli

Papa: ndihem i mbështetur nga të gjithë. Lutem për paqen, prej këndej lufta është më absurde

Për të dielën e tretë me radhë, Françesku, i shtruar në Gemelli, nuk e kryesoi lutjen e Engjëllit. Në vend të saj, u shpërnda një tekst i shkruar, në të cilin falënderon mjekët për kujdesin dhe besimtarët për përzemërsinë e treguar: “Ndjej në zemër ‘bekimin’, që fsheh brenda brishtësisë”. Thirrje për paqe në Ukrainë, në Lindjen e Mesme, Myanmar, Sudan, Kivu…

R.SH. / Vatikan

Dritaret në katin e dhjetë të spitalit Gemelli, në Romë, mbeten të mbyllura, por pas tyre Papa Françesku vazhdon të vëzhgojë botën dhe dinamikën e saj, të vërejë gjatë këtyre ditëve të shtrimit në spital, valën e dashurisë ndaj tij, të shikojë me tmerr e dhimbje luftën që vijon pa pushim në Ukrainë, Lindjen e Mesme, Afrikën dhe Azinë Juglindore. Një luftë që “prej këndej” duket “edhe më absurde”, shkruan Papa në tekstin e përgatitur për lutjen e Engjëllit të Zotit të kësaj së diel, e treta në të cilën, për shkak të shtrimit në spital, nuk e drejton lutjen mariane. 

Falënderim mjekëve dhe sëmundjes, parë si "bekim"

Papa i nis “mendimet” e tij nga Poliklinika Gemelli “ku - shkruan - siç e dini, jam prej ditësh”. Pikërisht që nga 14 shkurti, kur u shtrua në spital për atë që fillimisht u konsiderua si bronkit, e më pas rezultoi se ishte pneumoni dypalëshe. Pas kaq lajmeve për shëndetin e trupit dhe efektet e terapisë, në tekstin e publikuar sot, Jorge Mario Bergoglio ofron edhe ‘lajme’ për shpirtin e tij, pra, për ndjenjat, që e shoqërojnë në këtë kohë sëmundjeje.

Para së gjithash, Papa ka një ndjenjë të fortë mirënjohjeje, veçanërisht ndaj atyre që e ndihmuan gjatë shtatëmbëdhjetë ditëve të fundit: mjekëve dhe punonjësve sanitarë "që i falënderoj për vëmendjen me të cilën kujdesen për mua" - kujtoi. Ati i Shenjtë Françesku, më pas, pohon se po e jeton këtë çast si "bekim" i dhuruar duke ia besuar veten Zotit dhe duke ndarë vuajtjet e tij me kaq shumë nevojtarë.

Ndjej në zemër “bekimin” që fshihet brenda brishtësisë, sepse pikërisht në këto çaste mësohemi edhe më shumë të besojmë te Zoti; në të njëjtën kohë, falënderoj Zotin sepse më jep mundësinë të ndaj në trup dhe në shpirt këtë gjendje me shumë njerëz të sëmurë dhe të vuajtur.

I mbështetur nga bota

Papa Françesku shpreh po aq mirënjohje "për lutjet që i drejtohen Zotit prej zemrave të besimtarëve nga të katër anët e botës: ndjej gjithë dashurinë tuaj dhe afërsinë tuaj dhe, në këtë çast të veçantë, ndihem si të isha "i mbartur" dhe i mbështetur nga i gjithë Populli i Zotit" - pohoi sot, siç ka bërë edhe ditët e fundit - përmes pltaformës sociale X ose buletineve mjekësore - letrave të shumta, mesazheve të shpejta, të rejave mjekësore, nga të katër anët e botës. Shumë prej tyre janë vendosur rrëzë shtatores së madhe të Gjon Palit II, në Sheshin Gemelli, ku gjatë gjithë mëngjesit të sotëm grupe të mëdha besimtarësh u mblodhën rishtas për të thënë Rruzaren kushtuar shëndetit të Papës.

Lutja për paqe

“Faleminderit të gjithëve!”, shkruan Papa, “Edhe unë lutem për ju,” i siguron besimtarët, “e, mbi të gjitha, lutem për paqen”, veçanërisht në ato zona që shpesh quhen të martirizuara. Prej këndej, lufta duket edhe më absurde. Të lutemi për Ukrainën e martirizuar, për Palestinën, Izraelin, Libanin, Mianmarin, Sudanin, Kivunë…

Shërim, jo dënim

Koncepti i "kujdesit", jo ai i mjekësisë, por ai shpirtëror, theksohet edhe në pjesën e reflektimit të Papës për Ungjillin e sotëm. Në të Jezusi na nxit të reflektojmë mbi dy nga pesë shqisat: shikimin dhe shijen - shkruan Papa - sepse Jezusi “kërkon t’i stërvitim sytë tanë për të vëzhguar mirë botën dhe për të gjykuar të afërmin tonë me dashuri. Shikim kujdesi, jo dënimi: “Korrigjimi vëllazëror mund të jetë virtyt. Por nëse nuk është vëllazëror, nuk është korrigjim!”.

Fruta të mira - e fruta të këqija

Lidhur me shijen, Jezusi na kujton se “çdo pemë njihet nga fruti i saj”, theksoi Papa Françesku, dhe frutet e njeriut janë, për shembull, fjalët e tij. “Fjalët e dhunshme, të rreme, vulgare” janë “frutet e këqija”; frutet e mira janë “fjalët e drejta dhe të ndershme, që u japin shije dialogëve tanë”. E atëherë mund ta pyesim veten: si i shikoj unë njerëzit e tjerë, të cilët janë vëllezërit dhe motrat e mia? E si më shohin? A i shijojnë fjalët e mia, apo janë të mbushura me hidhërim dhe kotësi?”

 

02 mars 2025, 15:41

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >