Personat e zhvendosur në Sudanin e Jugut (AFP ose licencues) Personat e zhvendosur në Sudanin e Jugut (AFP ose licencues)

Papa bën thirrje për uljen e tensioneve në Sudanin e Jugut

Në tekstin e lutjes së Engjëllit Zotit të përhapur me shkrim nga Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë, Papa Françesku u kërkon palëve ndërluftuese të vendit afrikan të punojnë për stabilitet dhe komunitetit ndërkombëtar të ofrojë ndihmë për të parandaluar një fatkeqësi të rëndë njerëzore në Sudan. Lutja e Papës për kombet në luftë dhe Mianmarin, “i cili vuan aq shumë edhe nga tërmeti”. Jemi në një kohë Kreshmësh "shërimi. Edhe unë po e përjetoj këtë në shpirt dhe në trup'”

R.SH. – Vatikan

Nga shtëpia e Shën Martës, në Vatikan, ku që tetë ditë është në konvaleshencë dhe vazhdon terapitë e tij, pasi të dielën e kaluar doli nga nga Poliklinika Gemelli, Papa Françesku i drejtohet aktualitetit ndërkombëtar dhe në veçanti vendeve të copëtuara nga luftërat dhe armiqësitë. Në tekstin e Engjëllit të Zotit, të shpërndarë me shkrim nga Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë, pas një reflektimi të shkurtër mbi pjesën e Ungjillit të kësaj së diele të 4të të kohës së Kreshmëve nga Luka, që flet për mëshirën e Zotit, dhe për këto Kreshmë, për t'i jetuar “si një kohë shërimi”, Papa shpreh “shqetësimin e tij për situatën në Sudanin e Jugut“.

Rinovoj thirrjen time të përzemërt drejtuar të gjithë liderëve që të bëjnë përpjekjet e tyre maksimale për të ulur tensionin në vend. Të lënë mënjanë dallimet dhe, me guxim dhe përgjegjësi, të ulen rreth një tavoline për të filluar një dialog konstruktiv. Vetëm kështu do të mund të lehtësohen vuajtjet e popullatës së dashur sudaneze të jugut dhe të ndërtohet një e ardhme paqeje dhe stabiliteti.

Të hapen negociatat në Sudan

Shqetësimi i Papës është gjithashtu edhe për Sudanin fqinj, ku “lufta vazhdon të shkaktojë viktima të pafajshme”, prandaj thirrja për të mbrojtur popullsinë, për të hapur negociatat që të heshtin armët dhe të dërgohen ndihmat humanitare. 

U bëj thirrje palëve të përfshira në konflikt që të vënë në plan të parë mbrojtjen e jetës së vëllezërve të tyre civilë; dhe shpresoj që negociatat e reja të fillojnë sa më shpejt që të jetë e mundur, të afta për të siguruar një zgjidhje të qëndrueshme të krizës. Komuniteti ndërkombëtar t’i shton përpjekjet e tij për t'u marrë me katastrofën e tmerrshme humanitare.

Ftesa për t'u lutur për paqe

Dhe nuk mungon, në fjalët e Papës, ftesa për të mos harruar vendet e tjera ku ka disa kohë që luftohen ose aty ku ka emergjenca dhe vështirësi. Duke besuar në mëshirën e Hyjit Atë, të vazhdojmë të lutemi për paqe: në Ukrainën e munduar, në Palestinë, Izrael, Liban, në Republikën Demokratike të Kongos dhe në Mianmar, e cila vuan kaq shumë edhe nga tërmeti.

Rezultati i shkëlqyer diplomatik mes Taxhikistanit dhe Kirgistanit

Me një vështrim ndaj mbarë njerëzimit, Papa Françesku citon gjithashtu edhe faktet më të fundit “pozitive, të tilla si ” ratifikimi i Marrëveshjes për përcaktimin e kufirit midis Taxhikistanit e Kirgistanit, e cila përfaqëson një rezultat të shkëlqyer diplomatik, dhe inkurajon “të dy vendet të vazhdojnë në këtë udhë”, dhe së fundi iu drejtua “Zojës Mari, Nëna së mëshirës” që “të ndihmojë familjen njerëzore të pajtohet dhe të jetojë në paqe”.

30 mars 2025, 14:18

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >