Centinaia fedeli a Santa Maria Maggiore per omaggio a Papa

Ai trëndafil i bardhë mbi varr, shenjë e Shën Terezinës që e “dëgjoi”

Gjatë gjithë jetës dhe papnisë së tij, Papa Françesku e theksoi lidhjen e tij me mistiken karmelite, së cilës - tregonte - i pati besuar një problem, duke i kërkuar “jo ta zgjidhte, por ta merrte në dorë dhe të më ndihmonte ta pranoja”. Si përgjigje, mori një trëndafil të bardhë. Kështu ndodhi edhe gjatë shtrimit në spitalin Gemelli. E tani, një trëndafil i bardhë duket mbi rrasën e mermertë të varrit të tij në Bazilikën e Zojës së Madhe

R.SH. – Vatikan

Mbi një tryezë mermeri, poshtë pikturave dhe ikonave, jashtë apartamentit të Papës Françesku në Shtëpinë e Shën Martës, vendosej gjithmonë një trëndafil i bardhë, i freskët. Ishte simbol i lidhjes së tij me “Terezinën”, shën Terezën e Lisieux a shën Terezën e Krishtit Fëmijë, së cilës i lutej gjithmonë për të kërkuar hire, duke i besuar ndërmjetësimit të saj vështirësitë e tij dhe të të tjerëve. Që mbrëmë, një trëndafil i bardhë është vendosur mbi një sipërfaqe tjetër, të ndryshme nga ajo e tryezës, por gjithnjë mermeri. Është rrasa e varrit me mermer nga Liguria, ku është gdhendur emri “Franciscus”, në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, nën të cilën prehet për amshim Ati i Shenjtë Bergoglio. Nuk është për bukuri, por për të treguar vazhdimësinë dhe përkushtimin ndaj kësaj shenjteje mistike karmelitane.

Ajo lule e shoqëroi Jorge Mario Bergoglio-n gjatë gjithë jetës. Ai vetë flet për këtë në librin-intervistë “El Jesuita”, shkruar nga gazetarët argjentinas Sergio Rubin dhe Francesca Ambrogetti, të cilët, duke përshkruar bibliotekën e kryeipeshkvit të atëhershëm të Buenos Ajresit, vunë re një vazo plot me trëndafila të bardhë në një raft, përpara një fotografie të shën Terezinës, e cila vdiq kur ishte vetëm 24 vjeç, në vitin 1897, u shpall shenjte nga Papa Piu XI dhe Dijetare e Kishës nga Papa shenjt Gjon Pali II, në vitin 1997. "Kur kam ndonjë problem", u pati shpjeguar dy gazetarëve Papa i ardhshëm, "i kërkoj shenjtes jo ta zgjidhë, por ta marrë në dorë dhe të më ndihmojë ta pranoj. Si sinjal, pothuajse gjithmonë, marr një trëndafil të bardhë".

Varri i Papës Françesku
Varri i Papës Françesku

 Kështu ndodhi edhe në muajt e parë të papnisë e pikërisht, në shtator 2013, kur Papa i pati ftuar besimtarët në lutje, në Sheshin e Shën Pjetrit, për paqen në Siri, e cila, në atë kohë, ishte në prag të humnerës së konfliktit të përgjakshëm, shkaktuar nga ISIS-i. Gjatë mbrëmjes së lutjes, u lexuan disa fragmente nga poezitë e Shën Terezës së Lisieux dhe Papa Françesku, duke u kthyer në Shtëpinë e Shën Martës, mori si dhuratë, papritmas, një trëndafil të bardhë, këputur nga një kopshtar në Kopshtet e Vatikanit.

Papa mori të njëjtën dhuratë disa ditë pas shtrimit të tij të fundit në Poliklinikën Gemelli për pneumoni nga të dyja krahët: një trëndafil të bardhë të shenjtes mistike, të paketuar, që vinte nga shtëpia në Lisieux. E mbante sipër komodinës, pranë shtratit të tij. “Shenjë”, edhe kjo, se Terezina e shoqëroi deri në çastet e fundit të jetës.

27 prill 2025, 15:12