Françesku: misioni i punonjësve të shëndetësisë nuk është i lehtë, duhet mbështetur e respektuar
R.SH. - Vatikan
Jubileu i të sëmurëve dhe i botës së shëndetësisë i krijon Papës Françesku një ndjeshmëri të veçantë, duke pasur parasysh rikthimin e shëndetit, që ai po e rifiton në Shtëpinë e Shën Martës pas shtrimit të zgjatur në spital për mjekimin e pneumonisë nga të dyja krahët. Pikërisht nga banesa e tij në Vatikan përhap, siç ka bërë edhe të dielave të kaluara, tekstin që ka përgatitur për Engjëllin e kësaj të diele të Kreshmëve, me falënderimet dhe urimet për ata që kujdesen për të, ata që janë të brishtë në trup, ata që e shprehin dashurinë e tyre edhe nga larg.
"Provoj përkëdheljen e kujdesshme të Zotit"
Duke marrë frymëzim nga Ungjilli i sotëm, në të cilin Shën Gjoni apostull rrëfen episodin e shkelëses së kurorës dhe rrezikun e mbytjes së saj me gurë, Papa ndalet te gishti i Jezusit, që shkruan mbi rërë "një histori të re" për këtë grua. E shkruan me "gishtin e Zotit" që shpëton dhe çliron, nënvizon Françesku.
Të dashur, si gjatë shtrimit në spital, ashtu edhe tani gjatë rikuperimit, ndjej mbi vete “gishtin e Zotit” dhe jetoj përkëdheljen e tij të kujdesshme. Në ditën e Jubileut të të sëmurëve dhe të botës së shëndetësisë, i lutem Zotit që kjo prekje e dashurisë së tij të arrijë tek të vuajturit e të inkurajojë kë kujdeset për ta.
Misioni i punonjësve shëndetësorë duhet të mbështetet e të respektohet
Papa e jetoi drejtpërdrejt mënyrën se si punon personeli mjekësor dhe paramjekësor. Gjithashtu, në dritën e kësaj historie që e preku personalisht, ndjen se duhet të lutet në mënyrë të veçantë për ata që "nuk ndihmohen gjithmonë të punojnë në kushte të përshtatshme madje, ndonjëherë, janë edhe viktima agresioni".
Fjalët e Papës kanë rëndësi të veçantë, nëse kemi parasysh se të dhënat e fundit, të publikuara marsin e kaluar dhe të përfshira në raportin e tretë të Fnomceo (Federata Kombëtare e Urdhrave Mjekësorë) dhe Censis, janë shumë shqetësuese: bëhet fjalë për mbi 18 mijë punonjës të kujdesit shëndetësor të sulmuar në një vit. Çdo kompani italiane e kujdesit shëndetësor pësoi mesatarisht 116 episode dhune, me një rritje prej 5.5% krahasuar me 12 muajt e mëparshëm.
Misioni i tyre nuk është i lehtë dhe duhet mbështetur e respektuar. Shpresoj se do të investohen burimet e nevojshme për trajtim dhe hulumtim, në mënyrë që sistemet shëndetësore të jenë gjithëpërfshirëse dhe të vëmendshme ndaj më të brishtëve dhe më të varfërve.
Nderim shoqatave sportive, edukojnë drejt përfshirjes
Fjalët e Françeskut na kujtojnë sakaq Kartën e Vlerave të botës së shëndetit, udhëzues kushtuar atyre, që kujdesen për të tjerët. Dokumenti, i nënshkruar nga presidentët e Federatave dhe Këshillave Kombëtare të profesioneve shëndetësore, socioshëndetësore dhe socioasistenciale u paraqit gjatë konferencës "Shumë botë, një shëndet", organizuar nga Komisioni i CEI për shërbimin e bamirësisë dhe shëndetit.
Por në tekstin e katekizmit të Papës ka edhe falënderime për të burgosurat e burgut romak Rebibbia, të cilat donin t'i dërgonin një kartolinë urimi Pasardhësit të Pjetrit. Mendimi i tij shkon edhe tek ata që merren me sportin. Në Ditën Botërore kushtuar sportit për paqe dhe zhvillim, naltohet edhe një urim tjetër:
Sporti qoftë shenjë shprese për shumë njerëz që kanë nevojë për paqe dhe përfshirje sociale. I porosis shoqatat sportive të edukojnë konkretisht për vëllazërinë!