FILE PHOTO: Displaced Sudanese woman rests inside a shelter at Zamzam camp in North Darfur

Françesku: në Sudan, vuajtja e të pafajshmëve na kërkon të veprojmë

Në tekstin e Engjëllit përhapur nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, Papa, të Dielën e Palmave, falënderon besimtarët për lutjet e tyre lidhur me shëndetin e tij e ua kërkon edhe për viktimat e luftës, varfërisë e fatkeqësive natyrore, duke menduar edhe për ata që humbën jetën gjatë aksidentit në Santo Domingo. Thirrje e re për paqe në Ukrainë, Palestinë, Izrael, Republikën Demokratike të Kongos, Myanmarin, Sudanin e Jugut

R.SH. / Vatikan

Ungjilli i të Dielës së Larit  kujton Jezusin, që ecën drejt kryqit "me ndjenjat dhe zemrën e një fëmije", i brishtë si njeri, i fortë në braktisjen e tij tek Ati: këto janë ndjenjat që besimtarët duhet t’i bëjnë të tyret. Në lutjen e Engjëllit të Zotit të dielës, që hap Javën e Shenjtë të Pashkëve, Papa Françesku, me tekstin e përgatitur dhe të shpërndarë, si javët e fundit, i fton besimtarët të jenë të sigurt se përballë "dhimbjes fizike dhe morale", është besimi që na ndihmon "të mos i dorëzohemi dëshpërimit, të mos mbyllemi në hidhërim, por t’i përballojmë, duke e ndjerë veten të rrokur, si Jezusi, nga përqafimi dhe mëshira e Zotit".

Lexojeni këtu tekstin e Engjëllit

Vëllezër e motra, ju falënderoj shumë për lutjet tuaja. Në këtë çast ligështie fizike më ndihmojnë ta ndjej edhe më shumë afërsinë, dhembshurinë dhe butësinë e Zotit. Lutem edhe për ju dhe ju kërkoj t'ia besoni Zotit, njëheresh me mua, të gjithë ata që vuajnë, veçanërisht të prekurit nga lufta, nga varfëria apo fatkeqësitë natyrore.

Lutjet për viktimat e Santo Domingos

E mendimet e Françeskut drejtohen edhe te viktimat e aksidenteve dramatike, si ai që ndodhi në Santo Domingo, më 8 prill, ku shembja e çatisë së një klubi nate shkaktoi 225 të vdekur dhe 189 të plagosur, sipas një numri të konsideruar përfundimtar nga autoritetet. E tani kërkimi i ka lënë vendin detyrës së dhimbshme për t'ua kthyer kufomat familjeve të tyre.

“Posaçërisht, Zoti i pritët në paqe viktimat e shembjes së klubit në Santo Domingo dhe i ngushëlloftë familjarët e tyre”.

Të hapet dialogu në Sudan

Papa shikon sakrificën e të pafajshmëve, që vuajnë nga dhuna e paguajnë me jetën e tyre haraçin e konflikteve, qofshin të largëta në kohë, apo aktuale, si ai në Sudan, dyvjetori i të cilit do të na kujtojë pas dy ditësh, më 15 prill, “me mijëra vdekjet dhe miliona familjet e detyruara të braktisin shtëpitë e tyre”.

Sudani i shkatërruar nga dy vjet lufte, nën hijen e aleancave lokale dhe ndërkombëtare

Vuajtjet e fëmijëve, grave dhe njerëzve të pambrojtur ngrenë zërin deri në qiell dhe na luten të veprojmë. Përsëris thirrjen time për palët e përfshira, që t'i jepet fund dhunës dhe të hapen shtigjet e dialogut, e edhe për bashkësinë ndërkombëtare, për të siguruar që ndihma e domosdoshme të mos i mungojë popullsisë. E ta kujtojmë edhe Libanin, ku pesëdhjetë vjet më parë filloi lufta tragjike civile: me ndihmën e Zotit, jetoftë në paqe e prosperitet.

Zbritët paqja mbi vendet në luftë

E paqja, përfundon Papa, e besuar hirit të Virgjërës, zbritët edhe mbi shumë vende të tjera të planetit, të tronditura nga ndeshjet e përgjakshme, si "Ukraina e martirizuar, Palestina, Izraeli, Republika Demokratike e Kongos, Mianmari, Sudani i Jugut".

13 prill 2025, 14:06

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >