FILES-VATICAN-SISTINE-POPE-CONCLAVE-RELIGION

Konklavi për zgjedhjen e Papës së ri do të mblidhet më 7 maj

Data u zgjodh nga kardinajtë e mbledhur sot në kongregacionin (mbledhjen) e pestë të përgjithshëm. Të pranishëm pak më shumë se 180 kardinaj, prej të cilëve, më se 100 me të drejtë vote

R.SH. – Vatikan

"Extra omnes". Formula historike latine, që shënon mbylljen me çelës të Kapelës Sikstine, do të shqiptohet nga Mjeshtri i Kremtimeve Liturgjike Papnore të mërkurën e ardhshme, më 7 maj. Kjo është dita kur fillon Konklavi. Data u caktua sot paradite nga afërsisht 180 kardinaj (pak më shumë se njëqind me të drejtë vote) të mbledhur në Kongregacionin e pestë të Përgjithshëm në Vatikan.

“Extra omnes”, pra. “Të gjithë jashtë” ata, që nuk mund të marrin pjesë në takimin e kardinajve të thirrur për të zgjedhur Papën e ardhshëm të Kishës universale. Zgjedhësit, nën moshën tetëdhjetë vjeç, do të izolohen nga pjesa tjetër e botës brenda atij thesari arti e historie, që është Kapela Sikstine, deri sa mbi Vatikan të dalë tymi i bardhë, që lajmëron botën se ka një Papë të ri. E pastaj, kardinali protodiakon e njofton popullin me formulën tjetër të famshme latine “Habemus Papam”, duke dhënë edhe emrin e zgjedhur nga Papa i ri, i cili përshëndet e bekon Popullin e Zotit nga Lozha e Bekimeve në Bazilikën e Shën Pjetrit.

Natyrisht, nuk dihet kur do të përfundojë Konklavi, por kardinajtë ndahen në ata, që shpresojnë në kohë jo të gjata, duke pasur parasysh edhe Jubileun në zhvillim e sipër dhe në ata, që duan kohë jo aq të shkurtra në mënyrë që t'u jepet mundësia pjesëmarrësve në Konklav të "njihen më mirë me njëri-tjetrin", pasi shumë prej tyre janë krijuar nga Françesku kohët e fundit, në dhjetë koncistore, duke e ndryshuar gjeografinë e Kolegjit Kardinalor me kardinaj nga çdo cep i globit.

Çfarë ndodh menjëherë para fillimit të votimeve?

Zgjedhjet paraprihen nga një kremtim solemn eukaristik me meshën kushtimore “Pro Eligendo Papa”, në të cilën marrin pjesë kardinajtë me të drejtë vote. Pasdite, kardinajtë zgjedhës vazhdojnë me një procesion solemn drejt Kapelës Sikstine, ku fillon Konklavi për zgjedhjen e Papës së ri.

Në fund të procesionit, brenda Kapelës Sikstine, çdo kardinal zgjedhës bën betimin, siç përcaktohet në paragrafin 53 të “Universi Dominici Gregis”. Përmes këtij betimi, ata zotohen, nëse zgjidhen, të përmbushin me besnikëri Munus Petrinum (shërbesën pjetrine) si Barinj të Kishës Universale. Gjithashtu, zotohen të ruajnë sekretin absolut për gjithçka lidhet me zgjedhjen e Papës Romak dhe të mos mbështesin asnjë përpjekje për ndërhyrje të jashtme në zgjedhje.

Më pas, Mjeshtri i Kremtimeve Liturgjike Papnore shpall “extra omnes”, që do të thotë se të gjithë individët, të cilët nuk marrin pjesë në Konklav, duhet të largohen nga Kapela Sikstine. Mbeten vetëm Mjeshtri dhe kleriku i caktuar për të mbajtur meditimin e dytë. Ky meditim ka të bëjë me përgjegjësinë e rëndë, që bie mbi zgjedhësit dhe me domosdoshmërinë për të vepruar për të mirën e Kishës Universale, duke mbajtur vetëm Zotin para syve (paragrafi 52).

Pasi të mbarojë meditimi, si kleriku ashtu edhe Mjeshtri i Kremtimeve Liturgjike Papnore largohen. Kardinajtë zgjedhës thonë lutjet sipas “Ordo Sacrorum Rituum Conclavis” dhe dëgjojnë kardinalin Dekan, i cili i pyet nëse janë gati të votojnë apo u nevojiten sqarime lidhur me rregullat dhe procedurat e përcaktuara në “Universi Dominici Gregis”.

Masat e sigurisë dhe parandalimi i ndërhyrjeve të jashtme

Të gjitha procedurat zgjedhore zhvillohen ekskluzivisht në Kapelën Sikstine, brenda Pallatit Apostolik të Vatikanit, i cili mbetet plotësisht i mbyllur deri në përfundimin e zgjedhjeve.

Kushtetuta Apostolike e Papës shenjt Gjon Pali II thekson nevojën për të siguruar sekretin e plotë për gjithçka ndodh gjatë Konklavit dhe për çdo gjë, që lidhet drejtpërdrejt, ose tërthorazi, me zgjedhjen e Papës. Dokumenti jep hollësitë e të gjitha masave paraprake për të garantuar konfidencialitetin dhe për të parandaluar ndërhyrjet e jashtme (paragrafët 51-61).

Gjatë gjithë procesit zgjedhor, kardinajtë zgjedhës nuk lejohen të dërgojnë letra, ose të bëjnë biseda, përfshirë telefonatat, përveç rasteve urgjente të jashtëzakonshme. Ata nuk lejohen të dërgojnë, ose të marrin mesazhe të çdo lloji, të lexojnë gazeta a revista të çdo natyre, ose të ndjekin transmetime radiofonike a televizive.

Numri i votave të kërkuara dhe shumica e nevojshme për zgjedhje

Për të zgjedhur në mënyrë të vlefshme një Papë të ri, kërkohet një shumicë prej dy të tretash të votave të zgjedhësve të pranishëm. Nëse numri i përgjithshëm i zgjedhësve nuk është i pjesëtueshëm me tre, është i nevojshëm një votim shtesë (paragrafi 62 i Universi Dominici Gregis). Nëse zgjedhja e Papës fillon pasditen e ditës së parë të Konklavit, votohet vetëm një herë. Në ditët e mëvonshme, mbahen dy votime paradite dhe dy pasdite.

Procedurat për votim përshkruhen me hollësi në Kushtetutën “Universi Dominici Gregis”, ku përfshihen edhe dispozitat për zgjedhësit e sëmurë, të cilët votojnë nga dhomat e tyre në Domus Sanctae Marthae. Pasi numërohen votat, të gjitha fletët e votimit digjen.

Çfarë ndodh nëse nuk arrihet shumica e kërkuar?

Nëse pas tri ditësh votimi zgjedhësit nuk arrijnë marrëveshjen për një kandidat, parashikohet një pushim deri në një ditë për lutje, diskutim të lirë ndërmjet votuesve dhe këshillim të shkurtër shpirtëror me kardinalin Protodiakon (Kardinali Dominique Mamberti). Votimi rifillon dhe, nëse pas shtatë votimesh të tjera, nuk zgjidhet ende Papa i ri, bëhet një pushim tjetër. Ky proces përsëritet pas shtatë votimesh të tjera të pasuksesshme. Në këtë pikë, Kamerlengu konsultohet me kardinajtë për mënyrën e vijimit të Konklavit.

Është e rëndësishme të theksohet se neni 75 i “Universi Dominici Gregis” u ndryshua nga Motu Proprio i Papës Benedikti XVI më 26 qershor 2007, i cili ktheu rregullin tradicional, që, për zgjedhjen e vlefshme të Papës së ri, kërkon një shumicë prej dy të tretash të votuesve të pranishëm. Ky rregull u konfirmua edhe në Motu Proprio-n e Papës Benedikti XVI, më 25 shkurt 2013, ku sqarohet se votat duhet të llogariten në bazë të zgjedhësve të pranishëm, që votojnë.

Çfarë ndodh menjëherë pasi zgjidhet Papa i ri?

Sapo të ketë përfunduar zgjedhja e Papës së ri, i fundit nga kardinajtë Diakonë thërret Sekretarin e Kolegjit të Kardinajve dhe Mjeshtrin e Kremtimeve Liturgjike Papnore në Kapelën Sikstine.

Dekani i Kolegjit, në emër të të gjithë zgjedhësve, kërkon pëlqimin e kandidatit të zgjedhur me fjalët e mëposhtme: "A e pranoni zgjedhjen tuaj kanonike si Papë?" Pas marrjes së pëlqimit, pyet: "Me çfarë emri dëshironi të quheni?" Funksionet e noterit, me dy Zyrtarë Ceremonierë si dëshmitarë, kryhen nga Mjeshtri i Kremtimeve Liturgjike Papnore, i cili harton dokumentin e pranimit dhe regjistron emrin e zgjedhur.

Nga ky çast, kandidati i zgjedhur fiton autoritet të plotë dhe suprem mbi Kishën universale. Konklavi përfundon menjëherë. Kardinajtë zgjedhës i shprehin nderimin dhe i premtojnë bindje Papës së sapozgjedhur, duke falënderuar Zotin.

Kardinali Protodiakon u njofton besimtarëve zgjedhjen dhe emrin e Papës së ri me shprehjen e famshme: “Annuntio vobis gaudium magnum; Habemus Papam”. Menjëherë pas kësaj, Papa i ri jep Bekimin Apostolik Urbi et Orbi nga Lozha e Bazilikës së Shën Pjetrit (UDG f. 87-91).

Hapi i fundit, që kërkohet nga Kushtetuta, parashikon që, pas ceremonisë solemne të përurimit të papnisë, brenda një kohe të përshtatshme, Papa i ri të hyjë zyrtarisht në Kryebazilikën Patriarkale të Shën Gjonit në Lateran, sipas ritit të caktuar.

 

28 prill 2025, 13:38