Papa Françesku në OKB në vitin 2015 Papa Françesku në OKB në vitin 2015

OKB, Guterres: mësimi i Françeskut për një botë në paqe

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara flet për figurën e Papës para Asamblesë së Përgjithshme: "Uroj të jetë për ne shembull bashkimi, dhembshurie e mirëkuptimi të ndërsjellë"

R.SH. / Vatikan

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres iu drejtua delegatëve të 193 shteteve anëtare për të kujtuar Papën Françesku një javë pas vdekjes. E quajti "burrë i fesë, i aftë për të ndërtuar ura ndërmjet feve, mbrojtës i të braktisurve, zë i paqes në  një botë  të përflakur nga luftërat".

Mik i OKB-së

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara kujtoi fjalët e Françeskut mbajtur në OKB, në vitin 2015. Përpara Asamblesë së Përgjithshme, Papa e quajti organizatën vend përfaqësues i familjes njerëzore, i aftë për të punuar së bashku dhe në harmoni "jo vetëm për paqen, por në paqe, dhe jo vetëm për ndjekjen e drejtësisë, por në frymën e drejtësisë". Me enciklikën Fratelli Tutti, kujtoi Guterres, Papa Françesku përsërit nevojën për drejtësi dhe barazi më të madhe sociale në botë, duke skicuar "një vijë të qartë ndërmjet lakmisë, nga njëra anë, dhe varfërisë, urisë, diskriminimit e vuajtjes, nga ana tjetër".

Pritja dhe integrimi

Duke kujtuar kohën e tij si Komisioner i Lartë për Refugjatët, Antonio Guterres shfrytëzoi rastin që të kujtonte angazhimin e Papës së ndjerë për të hedhur dritë mbi gjendjen e vështirë të refugjatëve dhe të migrantëve. Papa Françesku - shkruan Guterres - shprehu gjithmonë bindjen se feja duhet të jetë motori i veprimit dhe i angazhimit. Me rastin e Ditës së fundit Botërore të Refugjatëve, u bëri thirrje të gjitha vendeve “t’imirëpresin, t’i shoqërojnë dhe t’i integrojnë ata që trokasin në dyert e tyre”.

Dënimi i luftërave

Papa Françesku i vizitoi si shtegtar i pëvuajtur vendet e shkatërruara anembanë botës nga lufta, nga Iraku në Sudanin e Jugut e deri në Republikën Demokratike të Kongos, duke dënuar dhunën dhe duke nxitur pajtimin. E, mbi të gjitha - thuhet në mesazh - u radhit me forcë në mbrojtje të të pafajshmëve të bllokuar në luftërat e Gazës dhe të Ukrainës". Ai na fton - vazhdoi Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterre - të mos i mbyllim sytë përballë viktimave të luftës dhe të dhunës.

Një shembull për t'u ndjekur

Në vazhdim, duke folur frëngjisht e spanjisht, Antonio Guterres kujtoi punën e palodhshme të Françeskut në mbrojtje të “shtëpisë së përbashkët”, duke cituar enciklikën “Laudato Sì”, në të cilën Papa “nënvizoi lidhjen e dukshme ndërmjet degradimit mjedisor dhe degradimit të gjendjes njerëzore”.

Viti 2025 u shpall Viti i Shpresës - kujtoi zyrtari më i lartë i OKB-së – “Tani na takon ne ta ngjallim këtë shpresë”. Duke përfunduar fjalimin, Guterres i bëri thirrje Asamblesë së Përgjithshme të ripërtërijë angazhimin  për paqen, mbrojtjen e dinjitetit njerëzor dhe  nxitjen e drejtësisë sociale.

30 prill 2025, 12:02