Mesha e dritës e funerali i Papa Françeskut (VATICAN MEDIA Photo Division) Mesha e dritës e funerali i Papa Françeskut (VATICAN MEDIA Photo Division)

Të pushtetshëm të tokës e të përjashtuar, të gjithë me Françeskun në një përqafim vëllazëror

Ditën kur përshëndeste Papën Françesku, turma vigane e njerëzve jetoi përvojën e unitetit, në ëndrrën e përbashkët për një botë më të mirë.

R.SH. / Vatikan

Të gjithë. Të gjithë ishin vërtet atje, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Aq plot me njerëz, sa nuk mund të zinte më. E pastaj në Via della Conciliazione, në rrugët përreth, e përgjatë rrugës drejt Santa Maria Maggiore. Ishin të gjithë aty, të gjithë aty, të gjithë aty. Siç e ka përsëritur Papa Françesku kaq shumë herë që nga Dita Botërore e Rinisë e deri te lamtumira e tij e fundit në ditën e Ngjalljes së Zotit: “Gëzuar Pashkët të gjithëve!”.

Kishte të moshuar e fëmijë, madje edhe vetëm disa muajsh, në krahët e prindërve, për të dëshmuar me jetën e tyre shumë të vogël një çast të veçantë. Dhe kishte (jo shumë më të rritur në moshë në fund të fundit) adoleshentë, shumë, shumë; si të ishin thirrur për të marrë titullin dëshmitar i fesë nga një Papë, që dinte të fliste gjuhën e tyre dhe t'i sfidonte të besonin, të shpresonin, të ëndërronin, të tregonin se është e mundur të jetosh në paqe dhe të ndërtosh një botë më të mirë, hap pas hapi. Ata panë me sytë e tyre se shpresa që i solli këtu për Jubileun, e mund vdekjen. Kishte shumë meshtarë, tepër, në bashkëkremtim. Ipeshkvij, kardinaj, laikë të pagëzuar. Duke forcuar njëri-tjetrin në fe. Atje ishin të pushtetshmit e tokës, të pasurit dhe të varfrit, për të përshëndetur Françeskun dhe për të menduar se si do të jetë e ardhmja. Kishte edhe jobesimtarë, ose besimtarë të feve të tjera. Miq e armiq.

Të gjithë për t’i dëgjuar fjalët e Pjetrit: "Tani po e kuptoi se Zoti nuk ia mban anën askujt, por pranon atë që ia ka frikën e praktikon drejtësinë, cilitdo komb t’i përkasë e që bën çka është e drejtë. Ky, mesazhi që ai ia dërgoi popullit të Izraelit, duke predikuar paqen përmes Jezu Krishtit, Zotit të të gjithëve".

Të gjithë për t’i kujtuar, me homelinë e Kardinalit Re, fjalët e Françeskut për paqen, për luftën, që është gjithmonë disfatë, e vëllazërinë, të cilën e mohojmë kaq shpesh; e edhe përmbi nevojën, për të kuptuar se askush nuk shpëtohet i vetëm, e edhe mbi Kishën, si spital fushor, si shtëpi me dyer të hapura. Për të gjithë.

E të gjithë ishin atje, të gjithë ishin vërtet. Ashtu si kur vetë Sheshi i Shën Pjetrit ishte i mbushur me praninë e vetme të Papës Françesku, gjatë Covid-it, e kishte pranë vërtet gjithçka, gjithçka, gjithë botën lidhur përmes çdo mjeti komunikimi. E nën një qiell pa re zbulohej në mënyrë misterioze sekreti i thjeshtë, që bashkon të gjithë racën njerëzore, popullin e Zotit, të mbledhur në një përqafim të vetëm. E mundshme. Madje, e vërtetë. Para syve të të gjithëve. Si në armëpushim për një ditë të veçantë. Ditë feste! Ditë ku misteret e Rruzares janë ato të lumnueshmet! Që e shndërrojnë trishtimin në këngë. Dhe festojnë vdekje e jetë së bashku. Vdekje e Ringjallje!

E këtë duan të thonë duartrokitjet spontane drejtuar arkivolit, të ngritur si për një përshëndetje reciproke: një mirupafshim, në vend të lamtumirës! Është premtim! Gjë që ka të bëjë me të gjithë. Pa përjashtuar askënd!  

28 prill 2025, 11:18