Papa Françesku, punëtorëve (Vatican Media) Papa Françesku, punëtorëve (Vatican Media)

Françesku: Shën Jozefi, simbol i dinjitetit të punës

Françesku: “O Shën Jozef, Pajtor i Kishës, ti që pranë Fjalës së mishëruar punoje çdo ditë për të fituar bukën, duke nxjerrë prej Tij forcën për të jetuar e për t’u munduar; mbroji punëtorët në jetën e tyre të ashpër të përditshme, ruaji nga dëshpërimi, e ruaje paqen në botë, atë paqe e cila është e vetmja që mund të garantojë zhvillimin e popujve. Amen".

R. SH. - Vatikan

Punonjës sipërmarrjesh, detarë, zyrtarë, punëtorë… Papa Françesku, gjatë papnisë së Tij, është takuar vazhdimisht me punëtorët. Në fjalimet kushtuar kësaj teme, një aspekt ky qendror që lidhet gjithmonë me dinjitetin e njeriut dhe punën e denjë për çdo person, që duhet çliruar nga logjika e fitimit. Puna duhet të përjetohet si e drejtë dhe si detyrë. E, mbi të gjitha, si domosdoshmëri, pa të cilën nuk mund të kuptohet as vetë jeta! Në këtë ditë, në të cilën Kisha katolike kremton Shën Jozefin punëtor, Papa pati shkruar, në Twitter të 01 majit 2023:

Shën Jozefi na kujton se të gjithë ata që në dukje janë të fshehur ose në ‘plan të dytë’, kanë një protagonizëm të pashembullt në historinë e shëlbimit. Të gjithë meritojnë  falënderim e mirënjohjeje”.

Familje punëtorësh

“Kisha dhe puna kanë qenë e janë gjithnjë mike, duke nisur nga Jezusi, edhe Zoti, punëtor”. Në takimin me punëtorët, gjatë vizitës së tij baritore në Gjenovë, më 27 maj 2017, Papa Bergoglio pati nënvizuar se “puna është detyrë njerëzore e dorës së parë” e, si pasojë “edhe detyrë e krishterë”: “Ku ka një punëtor, aty është edhe vështrimi plot dashuri i Zotit dhe i Kishës”. Me atë rast, Papa pati kujtuar edhe virtytet e sipërmarrësve, e në veçanti gjatë një takimi  në Shtëpinë e Shën Martës.

Papa kujton takimin me një sipërmarrës

Kujtoi Papa : “Në përfundim të njërës nga Meshët kremtuar në Shën Martë, në orën 7 të mëngjesit, në dalje përshëndes njerëzit, që më presin. Më afrohet një burrë. Po qante. E, me lot në sy, më tha: “Erdha të kërkoj hir: jam në një çast tejet të vështirë, kur duhet të deklaroj falimentimin. E kjo do të thotë të pushoj nga puna rreth gjashtëdhjetë punëtorë. Më duket sikur po pushoj vetveten”. Fliste burri i madh e qante si fëmijë. Ky është sipërmarrës i mirë. Që lufton e lutet për njerëzit e tij, sepse ata janë “të tijtë”: “Është familja ime”- thoshte mes lotëve.

Larg shtëpisë dhe njerëzve të dashur

Ka raste kur puna ndërthuret me çështje të paparashikuara, si ato të krijuara nga pandemia, vitet e fundit, apo luftërat aktuale në Ukrainë, Sudan e vise tjera. Në videomesazhin e vitit 2020 për punëtorët e detit, Papa Françesku kujtoi se flijimeve të shumta, të krijuara nga urgjenca shëndetësore, u shtohen edhe ngarkesa të tjera: distanca nga familjarët, nga miqtë, nga vendi i tyre. Ungjilli - thekson më pas Papa - na flet “për Jezusin me dishepujt e tij të parë, të cilët ishin të gjithë peshkatarë”. E u kujtoi se puna e tyre si detarë dhe peshkatarë është bërë edhe më e rëndësishme për të siguruar ushqime dhe për të plotësuar nevoja të tjera bazë për familjen e madhe njerëzore. Papa Françesku u shprehu mirënjohjen për këtë, për flijimet, ngujimin ndër anije, pa mundur të dalin gjatë në breg, larg nga familja, miqtë dhe atdheu, me frikën e infektimit. Të gjithë këta elementë janë një barrë e rëndë për t’u mbartur, tani më shumë se kurrë -  u qau hallin Papa detarëve - duke u kujtuar se nuk janë vetëm, as të  harruar. “Puna juaj - i siguroi - shpesh ju mban larg, por duhet ta dini se jeni gjithnjë të pranishëm në lutjet dhe mendimet e mia”.

Gjatë papnisë së tij, Papa Françesku ka bërë thirrje të shumta, duke shpresuar gjithmonë se mosmarrëveshjet dhe situatat delikate lidhur me jetën dhe të ardhmen e kompanive dhe bizneseve, mund të gjejnë zgjidhjet e nevojshme për mbrojtjen e perspektivave dhe të vendeve e punës.

Pa punë nuk ka jetë

Nuk ka asnjë skaj as skutë të jetës së punëtorëve, ku nuk hyri fjala e Papës, shqetësimi i tij atëror, vlerësimi i punës njerëzore, që nga sipërmarrjet e mëdha, që mbajnë gjallë jetën e kombeve, tek punishtet e vogla, si ajo e Shën Jozefit, pa të cilat nuk mund të kuptohet njerëzimi, e as t’i bëjë ballë jetës,  e cila nuk mund të mbahet në këmbë, pa punën e njeriut!

Mbroji punëtorët!

Më 12 janar 2022, në katekizmin e audiencës së përgjithshme kushtuar figurës së Shën Jozefit zdrukthëtar, Papa Bergoglio pati kujtuar një lutje lartuar nga Shën Pali VI, Shën Jozefit, më 1 maj 1969:

 “O Shën Jozef, Pajtor i Kishës, ti që pranë Fjalës së mishëruar punove çdo ditë për të fituar bukën, duke nxjerrë prej Tij forcën për të jetuar e për t’u munduar; ti, që provove ankthin e së nesërmes, hidhërimin e varfërisë, pasigurinë e punës; ti, që rrezaton shembullin e figurës sate, të përvuajtur para njerëzve, por tejet të madhe përpara Zotit, mbroji punëtorët në jetën e tyre të ashpër të përditshme, ruaji nga dëshpërimi, nga revolta mohuese si dhe nga tundimet e hedonizmit: e ruaje paqen në botë, atë paqe e cila është e vetmja që mund të garantojë zhvillimin e popujve. Amen".

01 maj 2025, 09:32