La salma di papa Francesco trasferita a San Pietro per l'ostensione

Gjeografia e Konklavit: cilët janë kardinajtë e thirrur për të zgjedhur Papën e ri?

Nga 7 maji, 53 kardinaj evropianë, 37 amerikanë (16 nga Amerika e Veriut, 4 nga Amerika Qendrore, 17 nga Amerika e Jugut), 23 nga Azia, 18 nga Afrika dhe 4 nga Oqeania do të mblidhen në Konklavin e ri. Më i riu është australiani Mikola Bychok, 45 vjeç, më i vjetri është spanjolli Carlos Osoro Sierra, 79 vjeç. Për herë të parë në Kapelën Sistine përfaqësohen 12 kombe me votues indigjenë, përfshirë Haitin, Kepin e Gjelbër, Papua Guinenë e Re, Suedinë, Luksemburgun dhe Sudanin e Jugut.

R.SH.– Vatikan

Hartë gjeografike e Kishës së përhapur nëpër Botë: kështu paraqitet Kolegji i kardinajve, e edhe Konklavi, që do të fillojë më 7 maj të ardhshëm. Të shumta e të ndryshme, vendet e origjinës së kardinajve, parë edhe përmes shifrash e të dhënash statistikore. 

135 kardinaj zgjedhës që do të hyjnë në Konklavin e ardhshëm për të zgjedhur Papën e 267-të vijnë nga 71 vende të ndryshme të pesë kontinenteve. Në Konklav përfaqësohen 17 kombe nga Afrika, 15 nga Amerika, 17 nga Azia, 18 nga Evropa dhe 4 nga Oqeania. Për herë të parë, 12 shtete kanë kardinaj zgjedhës vendas, nga të gjitha anët e planetit: Chibly Langlois nga Haiti, Arlindo Furtado Gomes nga Kepi i Gjelbër, Charles Maung Bo nga Mianmari, Dieudonné Nzapalainga nga Republika Qendrore Afrikane, John Ribat nga Papua Guinea e Re, Sebastian Francis nga Malajzia, Anders Arborelius nga Suedia, Jean-Claude Hollerich nga Luksemburgu, Antoine Kambanda nga Ruanda, Virgilio do Carmo da Silva nga Timori Lindor, Soane Patita Paini nga Tonga, William Seng Chye Goh nga Singapori, Adalberto Martínez Flores nga Paraguaj, Stephen Ameyu Martin Mulla nga Sudani i Jugut dhe László Nemet nga Serbia. Në tërësi janë 53 kardinaj evropianë, 37 amerikanë (16 nga Amerika e Veriut, 4 nga Amerika Qendrore, 17 nga Amerika e Jugut), 23 aziatikë, 18 afrikanë dhe 4 oqeanianë do të mblidhen në Kapelën Sistine.

Kardinajtë zgjedhës të krijuar nga tre Papët e fundit

Kardinali më i ri zgjedhës është australiani me origjinë nga Ukraina, Mikola Bychok, 45 vjeç, ndërsa më i vjetri është spanjolli Carlos Osoro Sierra, 79 vjeç. Më të shumtët janë ata të lindur në vitin 1947, 13 prej të cilëve do të votojnë, të cilët janë 78 vjeç ose më të rinj. Vetëm Kardinali Baldo Reina lindi në vitin 1970, do të mbushë 55 vjeç më 26 nëntor. Dhe nuk kanë bashkëmoshatarë as kardinajtë Leo Frank, i lindur në vitin '71, dhe Rolandas Makrickas, i lindur në vitin '72. Veteranë të Konklavit janë pesë kardinajtë e krijuar nga Gjon Pali II, francezi Philippe Barbarin, kroati Josip Bozanić, hungarezi Péter Erdő, boshnjaku Vinco Pulić dhe ganezi Peter Turkson. Ndërsa janë 22 kardinaj zgjedhës janë krijuar nga Benedikti XVI dhe 108 u krijuan nga Françeskut.

Kardinajtë rregulltarë

Nga kardinajtë zgjedhës janë edhe 33 kardinaj që vijnë nga 18 familje të ndryshme rregulltare. Salezianët janë më të shumtë, 5 (Charles Maung Bo, Virgilio Do Carmo da Silva, Ángel Fernández Artime, Cristóbal López Romero, Daniel Sturla Berhouet), 4 janë të Urdhrit të Fretërve të Vegjël (Luis Cabrera Herrera, Pierbattista Pizzaballa, Jaime Spengler e Leonardo Steiner) dhe kardinajtë jezuitë (Stephen Chow Sau-yan, Micheal Czerny, Jean-Claude Höllerich dhe Ángel Rossi), ndërsa françeskanët konventualë janë 3 (François-Xavier Bustillo, Mauro Gambetti dhe Dominique Mathieu). Në Kapelën Sikstine, Papa i 267-të i Kishës Katolike Romake do të zgjidhet edhe nga dy redemptoristë (Bychok dhe Tobin), dy etër verbitë (Kikuchu dhe Nemet), kardinali augustinian Robert Prevost, kapuçini Fridolin Ambongo Besungu, karmelitani i zbathur, Anders Arboreliani, cistercensi Orani João Tempesta, klaretiani Vicente Bokalic Iglic, Gérald Lacroix i Institutit Shekullar Piu X, lazaristi Berhaneyesus Demerew Souraphiel, misionari i Zojës Ngushëlluese Giorgio Marengo, misionari i Zemrës së Krishtit John Ribat, skalabriani Fabio Baggio dhe spiritani Dieudoningaé Nzapalainga..

Çfarë përcakton Kodi i së Drejtës Kanonike?

Kanuni 349 i Kodit të së Drejtës Kanonike të Kishës specifikon se kardinajtë “përbëjnë një kolegj të veçantë, detyra e të cilit është të sigurojë zgjedhjen e Papës Romak” dhe shton se kardinajtë e “ndihmojnë” Papën “si duke vepruar kolegjialisht kur thirren së bashku për të trajtuar çështje me rëndësi të madhe, ashtu edhe si individë, domethënë, në detyrat e ndryshme që mbajnë, duke e ndihmuar Papën në kujdesin, veçanërisht në kujdesin e udhëheqjen e përditshme të Kishës universale”.

Është, pra, Kushtetuta Apostolike Universi Dominici Gregis që përcakton se kardinajtë që zgjedhin Pasardhësin e Pjetrit janë ata që, para ditës së vdekjes së Papës "ose ditën në të cilën Selia Apostolike bëhet e zbrazët, pra vakante", ende nuk kanë mbushur moshën 80 vjeç; për këtë arsye, bëhet një dallim midis kardinajve zgjedhës dhe jo-zgjedhës. Deri më sot, Kolegji i Kardinajve përbëhet në tërësi prej 252 kardinajësh, nga të cilët 135 janë zgjedhës dhe 117 janë jozgjedhës.

29 prill 2025, 11:34