2025.04.30 7ª Congregazione Cardinali

Konklavi, të gjithë kardinajtë kanë të drejtë vote

Në një deklaratë, Kongregacioni i Kardinajve shpjegon se edhe prelatët mbi numrin 120, parashikuar për zgjedhjen e Papës nga Kushtetuta Apostolike “Universi Dominici Gregis”, kanë të drejtë të marrin pjesë në votime. Më pas, ata shprehin vlerësim për vendimin e kardinalit Becciu për të mos marrë pjesë në Konklav

R.SH. – Vatikan

 Në një deklaratë të Kongregacionit të Kardinajve, publikuar nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, bëhen të ditura dy çështje procedurale që janë debatuar ditët e fundit.Përsa u përket kardinajve me të drejtë vote, Kongregacioni nënvizon se Papa Françesku, pasi krijoi një numër kardinajsh më të madh se 120, që është kufiri i përcaktuar nga neni 33 i Kushtetutës Apostolike “Universi Dominici Gregis” të Shën Gjon Palit II, botuar më 22 shkurt 1996, “ka hequr dorë nga kjo dispozitë legjislative”. Prandaj, kardinajtë mbi këtë numër, sipas nenit 36 të së njëjtës Kushtetutë Apostolike, "kanë fituar të drejtën për të zgjedhur Papën Romak, që nga çasti i krijimit të tyre".

Pika e dytë ka të bëjë me vendimin e kardinalit Giovanni Angelo Becciu për të mos marrë pjesë në Konklav, “duke pasur për zemër të mirën e Kishës”, por edhe për të kontribuar “në bashkimin dhe qetësinë” e takimit të kardinajve, që do të zgjedhin Papën e ri, siç thuhet në deklaratën e djeshme të vetë prelatit. “Kongregacioni i Kardinajve shpreh vlerësim për gjestin dhe shpreson që organet kompetente të drejtësisë të mund të përcaktojnë përfundimisht faktet”, që kanë të bëjnë me veprimtarinë e tij.

Kujtojmë se kardinali Giovanni Angelo Becciu i është nënshtruar një gjykimi penal, shkalla e parë e të cilit ka përfunduar në dhjetor 2023, me një dënim prej 5 vjetësh e 6 muajsh burgim për përvetësim dhe shpërdorim detyre në administrimin e fondeve të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit dhe në shitjen e një ndërtese në Londër. Kardinali u dënua edhe me një gjobë prej 8.000 eurosh dhe iu ndalua përgjithmonë mbajtja e një posti zyrtar publik. Becciu ka apeluar dhe deklarohet i pafajshëm. Gjithsesi, ai vetë, në vitin 2020, dha dorëheqjen nga detyra e Prefektit të Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve dhe nga të drejtat e lidhura me kardinalatin, dorëheqje e pranuar nga Papa Françesku më 24 shtator të atij viti. Kështu, prej vitesh, numërohej ndër kardinajtë pa të drejtë vote në Konklav.

30 prill 2025, 11:01