Kërko

I Lumi dom Ndré Zadeja I Lumi dom Ndré Zadeja

I Lumi Dom Ndré Zadeja, martir, prift, poet e atdhetar i flakët

Më 25 mars kujtojmë përvjetorin e pushkatimit të të Lumit Dom Ndré Zadejës, meshtar, poet e atdhetar i flakët. Dom Zadeja, largpamës , i pati drejtuar popullit e rinisë këto fjalë profetike: “Dy fjalë i kam sot me ju, sidomos me jo o të rij. Një re e zezë ngarkue me ideologji të kuqe po dyndet mbi krenat tona. Ajo ka ndërmend të shprazet mbi ju, por atëherë s’keni për të pasë shka me i ba, veç me i bajtë e me sprovue të këqijat, se përveç të zezave të tjera që ka, ajo mohon edhe Zotin”.

R.SH. - Vatikan

Më 25 mars kujtojmë përvjetorin e pushkatimit të të Lumit dom Ndré Zadejës, meshtar, poet e atdhetar i flakët, martir i Kishës katolike nё Shqipёri gjatë persekutimeve të egra të periudhës komuniste.  

Dom Ndré Zadeja është një nga 38-të martirët e Kishës katolike të Shqipërisë, që u shpallen të Lumë, më 5 nëntor 2016, në Katedralen e Shën Shtjefnit, në Shkodër nga i dërguari i Papës Françesku, Kardinali Angelo Amato, asokohe Prefekt i Kongregatës së Vatikanit për Çështjet e Shenjtorëve.

Më 25 mars të vitit 1945, të Dielën e Larit, dom Ndré Zadeja u flijua, pasi mori Sakramentin e vajimit nga dom Tom Laca. Para pushkatimit, duke ngritur duart, tha: “Çfarë të bëj o Zot më tepër për të qenë shqiptar e besimtar?”. Në çastin e pushkatimit, Arif Selimi, i dënuar edhe ky me pushkatim, i tha: “Ku po më lë, o dom Ndre?”. Ky u përgjigj: "Së bashku me mua do të vish tek Jezu Krishti” dhe filloi të thotë me zë të lartë: “Besoj në Hyjin, Atin…” derisa pushkët ia ndërprenë fjalën. Ishte 53 vjeç.

Dom Gjovani Kokona na njeh me figurën e shembullin e tё Lumit dom Ndre Zadejёs

I lumi dom Ndre Zadeja është i dyti që u pushkatua nga regjimi komunist në Shqipëri menjëherë pas ardhjes në pushtet. Dom Ndreu, i biri i Gjon Ndocit dhe i Luçi Ndoc Fishtës, lindi në Shkodër më 3 nëntor 1891. Fëmijërinë e tij e kaloi në një klimë familjare që karakterizohej nga një përshpirtëri e thjeshtë dhe e thellë. Pjesëmarrja në Meshë, devocioni i thellë ndaj Zemrës së Krishtit e të Zojës, e formuan atë për jetën dhe apostullimin e ardhshëm.

Për ta përmbushur thirrjen e tij meshtarake hyri në Seminarin e Shkodrës e më pas në vitin 1913 në kolegjin Canisianum të Innsbruck-ut në Austri ku përfundoi kursin teologjik. Kur përfundoi kolegjin, për të u dha ky vlerësim: “pius, affabilis, virilis, candidatus optimae spei”, pra: “i përshpirtshëm, i dashur… kandidati me shpresën më të mirë”. Gjatë kohës që qëndroi atje, iu lejua edhe një përvojë baritore e, duke qenë se ishte koha e Luftës I Botërore, kjo përvojë konsistoi në shërbimin si vullnetar në një spital ushtarak.

Shugurohet në Katedralen e Shkodrës më 24 prill 1916 së bashku me të Lumin Lek Sirdani e dy ditë më pas kremtoi Meshën e tij të parë në shenjtëroren e Zojës së Këshillit të Mirë. Pas shugurimit e deri në vitin 1923 do të jetë sekretar i arqipeshkvit dhe ndihmës famullitar i Katedrales së Shkodrës. Në vitet në vazhdim do të jetë famullitar në Barbullush, në Bogë, në Shkrel, dekan për famullitë e zonës së Malësisë së Madhe, përfshirë edhe Rrjollë, Reç e Lohe. Më pas, nga viti 1934 e deri në arrestim, famullitar në Sheldi.

Besimtarët e ish-famullive të tij, si edhe të tjerë që e kanë njohur, e përkufizojnë dom Ndreun si një meshtar të përshpirtshëm, të përkushtuar dhe shumë të ndershëm. I rreptë, por i ndershëm, i drejtë dhe serioz, i matur, i vendosur, i ekuilibruar dhe gjithmonë i gatshëm që të ndihmonte gjithkënd që kishte nevojë për të. Me një moral mjaft të pastër. Kishte rënë në sy se sa për zemër e kishte devocionin ndaj Zojës së Këshillit të Mirë e krahas kësaj ushqente edhe një devocion të veçantë për shën Jozefin, të cilit i besohej gjithmonë. E kjo shihet edhe në një relacion që i bën arqipeshkvit në lidhje me angazhimin për gjetjen e fondeve për ndërtimin e Kishës në Barbullush: “…at kujdesin e pakë T’emin do ta kryej, në nderë e në lavd të Lumit Shejtit Shën Jozef, para fugures së cillit për ditë me fëmi të shkollës lutena për jetë e shëndet të bamirsve të kësaj famullie”.

Gjithnjë e kudo qe bari i zellshëm duke u angazhuar me gjithë shpirt sidomos në dhënien e katekizmit, dhe i hapur drejt së ardhmes, për të nxjerrë nga sakrestia klerin katolik shqiptar. Hartoi enkas një katekizëm në vargje, me qëllim që fëmijët ta kujtonin me lehtësi. Gjithashtu kujdesej me përkushtim që fëmijët e të rinjtë të mësonin jo vetëm të shkruanin e të lexonin, por të përgatiteshin për klasat më të larta. Në lidhje me këtë angazhim, në janar 1926 Imzot Lazër Mjeda shkruante se gëzohej shumë për shkollën që ai, dom Ndreu, kishte hapur në Bogë. Donte që besimtarët të dilnin nga analfabetizmi i thellë. Një kapitull më vete meriton vëmendja dhe kujdesi i tij për të varfrit, përkujdesja e tij për të sëmurët (Kryqit të Kuq i kërkoi të hapte një ambulancë në malësi dhe në fshatra) e është për t’u theksuar zemërdhembshuria e tij për ata të “varfër” mëkatarë publikë dhe të penduar.

Qe një meshtar i palodhur në mbrojtjen e fesë, të atdheut dhe të dinjitetit kombëtar të shqiptarëve. Qe njëri prej shtatë shkrimtarëve më të mëdhenj të katolicizmit shqiptar. Në Shkodër e thërrisnin “poeti i ëmbël” apo “poeti i ëmbëlsisë”. Shoqëria dhe miqësia që kishte me atë Gjergj Fishtën, dom Ndre Mjedën e dom Lekë Sirdanin shprehej edhe në krijimtarinë e tij. Si njeri i kulturës e njihte mjaft mirë fatin e popujve që kishin rënë nën diktaturën komuniste, por ishte i vetëdijshëm se e vërteta duhej thënë, me gjithë rrezikun që i kanosej. E në fakt kujtohet predikimi i tij më 16 gusht 1944 në Shirokë ku, duke iu drejtuar të rinjve në mënyrë figurative, u flet për një “re të zezë” që si një dragua po mbulonte Shqipërinë.

Regjimi e kishte pikasur përpara se të merrte pushtetin e arrestimi i tij ishte në plan prej kohësh. Dhe, ende pa u bërë tre muaj nga ardhja e regjimit komunist, arrestohet në famullinë e tij në Sheldi. Jezuitët, atë Luigi Rosa dhe i Lumi atë Giovanni Fausti, në relacionet e tyre e japin me detaje atmosferën e krijuar, ku “mbizotëron tmerri për të sotmen dhe frika për të ardhmen”, e ku nëpër fshatra familjeve u merrej edhe “ushqimi i nevojshëm për mbijetesë”.

Tri ditë pas arrestimit, më 7 shkurt 1945, iu fillua gjyqi shoqëruar nga torturat dhe hetuesia sfilitëse. Më 16 shkurt iu dha dënimi me vdekje e më 28 shkurt Gjykata e Lartë në Tiranë e konfirmoi këtë dënim. Për qëndrimin e dom Ndreut në gjyq shkruan në atë kohë atë Luigi Rosa se “meshtari ndërsa shpall se nuk ka krye asnji krim politik, pohon se nuk mund të bashkohet me ideologjinë komuniste”. Gjithashtu, kardinali Mikel Koliqi ka dëshmuar për klithmat e dom Ndreut gjatë torturave çnjerëzore që pësoi. Me gjithë këtë kalvar, dom Ndreu, duke e ditur tashmë se do ta çonin për pushkatim, dëshironte të përgatitej për këtë takim me Atë që është Udha, e Vërteta dhe Jeta, duke i kërkuar atë Dioniz Makajt që ta rrëfente.

Më 25 mars 1945, të Dielën e Larit, u flijua, pasi mori sakramentin e vajimit nga dom Tom Laca. Para pushkatimit, duke ngritur duart, tha: “Çfarë të bëj o Zot më tepër për të qenë shqiptar e besimtar?”. Në çastin e pushkatimit, Arif Selimi, i dënuar edhe ky me pushkatim, i tha: “Ku po më lë, o dom Ndre?”. Ky u përgjigj: Së bashku me mua do të vish tek Jezu Krishti” dhe filloi të thotë me zë të lartë: “Besoj në Hyjin, Atin…” derisa pushkët ia ndërprenë fjalën. Ishte 53 vjeç. Atë vit e Diela e Larit përkonte me festën e Lajmërimit të Zotit. Për varrimin e dom Ndreut u kujdes rinia shkodrane e seminaristët me në krye të Lumin Mark Çuni, të cilët e morën trupin e, pasi i vendosën një flamur të vogël në gjoks, dom Tom Laca e varrosi në mënyrë të krishterë në varrezat e Rrmajt. Në këtë mënyrë “pius, affabilis, virilis, candidatus optime spei” hyri në lavdinë e përjetshme nëpërmjet gjakut të derdhur, ndërsa në Kishën Katolike lexoheshin dhe meditoheshin mundimet e Krishtit, i cili, në pritje të çastit të tij të fundit, u foli haptazi ndjekësve të vet se: “Nëse më salvuan mua, do t’ju salvojnë edhe ju”. Dhe qe Pashkë edhe për dom Ndreun!

Lutja për Kanonizimin si dhe për të kërkuar hire të nevojshme

Trini e Shenjtë,

Atë e Bir e Shpirt Shenjt,

Ty të qofshin lavdi, ndera e bekimi,

që ia ke dhuruar Kishës së shenjtë

të Lumin Ndre Zadeja, meshtar

si model besnikërie ndaj Krishtit

dhe dashurie të pakushtëzuar ndaj vëllezërve.

Të lutemi me përvujtëri:

ashtu si u denjove ta lumnosh në Qiell,

denjohu ta lavdërosh edhe këtu mbi tokë

duke na dhënë hirin që aq shumë e dëshirojmë

e që, me ndërmjetësinë e tij, me besim të kërkojmë

(në këtë moment shprehet kërkesa).

Besojmë në Ty, o Zot. Ardhtë Mbretëria jote! Amen.

Ati ynë. Të falemi Mari. Lavdi Atit …

25 mars 2025, 17:15