Amnesty International: dënime me vdekje rekord në vitin 2024
R.SH. – Vatikan
1.518: ky është numri i jashtëzakonshëm i njerëzve të dënuar me vdekje në botë, gjatë vitit 2024, siç denoncon raporti vjetor i organizatës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut “Amnesty International”. Statistikat e paraqitura në të, nga njëra anë, tregojnë se kjo shifër është më e larta që nga viti 2015, por, nga ana tjetër, nxjerrin në pah se numri i shteteve, që kanë zbatuar dënime me vdekje, është më i ulëti i regjistruar ndonjëherë.
Ku përqendrohet numri më i madh i dënimeve?
Një shpresë e ndrojtur, kjo e fundit, e cila megjithatë nuk mund të fshehë realitetin e përgjakshëm, që përjetohet sidomos në zona të ndërlikuara si ajo e Lindjes së Mesme. Sipas Amnesty International, numri më i madh i dënimeve me vdekje përqendrohet pikërisht në këtë rajon. Në veçanti, "Irani, Iraku dhe Arabia Saudite janë përgjegjëse për rritjen e përgjithshme të ekzekutimeve". Së bashku, këto tre vende regjistruan 1380 ekzekutime. Megjithatë, vazhdon Amnesty, këto “shifra nuk përfshijnë mijëra njerëz, që besohet se janë ekzekutuar në Kinë, e cila vazhdon të jetë vendi me numrin më të madh të ekzekutimeve në botë, si dhe në Korenë e Veriut e në Vietnam, ku besohet se dënimi me vdekje ende zbatohet gjerësisht”. Gjithashtu, vazhdon raporti, krizat e vazhdueshme në Palestinë dhe Siri nuk e lejuan organizatën të konfirmojë shifrat, sidomos për rastin e Republikës Demokratike të Kongos, ku qeveria ka deklaruar se do t’i rifillojë ekzekutimet dhe për rastin e Burkina Fasos, ku autoritetet ushtarake e rivendosën dënimin me vdekje edhe për krimet e zakonshme. Në përgjithësi, pesë vendet me numrin më të madh të ekzekutimeve të regjistruara në vitin 2024 janë Kina, Irani, Arabia Saudite, Iraku dhe Jemeni.
Rreziku i instrumentalizimit
Pavarësisht se ligji ndërkombëtar për të drejtat e njeriut kërkon që dënimi me vdekje të kufizohet për "krimet më të rënda", më se 40 për qind e ekzekutimeve në vitin 2024 kanë të bëjnë me krime që lidhen me drogën, të cilat bien jashtë kufirit të caktuar nga normat ndërkombëtare. Në të vërtetë, një prirje mjaft e rrezikshme – e vërejtur nga raporti – është instrumentalizimi i dënimit me vdekje si pretekst për të përmirësuar sigurinë publike, ose për të mbjellë frikë në popullsi, sidomos kur është fjala për të shuar protesta e për të eliminuar kundërshtarë politikë. Por ka edhe një lajm pozitiv: në vitin 2024, vetëm 15 shtete e zbatuan dënimin me vdekje, numri më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Fronti i shfuqizimit të këtij dënimi po shtohet: 113 vende e kanë eliminuar plotësisht dënimin me vdekje, ndërsa në 32 të tjera ai nuk zbatohet në praktikë. Sinjale të qarta se ndryshimi është i mundur, siç u dëshmua në OKB, ku, për herë të parë, më se dy të tretat e shteteve anëtare votuan në favor të rezolutës për një moratorium global mbi dënimin me vdekje. Nuk është rastësi që kjo shenjë shprese mbërriti më 17 dhjetorin e kaluar, në prag të Jubileut të Shpresës.