Ehud Olmert: Izraeli po përjeton krizën më të thellë të brendshme në historinë e tij
R.SH. – Vatikan
Ka diçka të jashtëzakonshme në pasionin, qartësinë dhe gjallërinë me të cilën ish-kryeministri izraelit Ehud Olmert, tashmë 79 vjeç, argumenton bindjet e tij politike mbi situatën aktuale në Izrael dhe në Lindjen e Mesme. Kthjelltësi dhe pasion që të kujtojnë dikë tjetër. E, me të vërtetë, Olmert e nis bisedën e sotme me mediat e Vatikanit, në zyrën e tij në Tel Aviv, me fjalët: “Jam plotësisht dakord me Papën Françesku. Kisha Katolike ka një prijës të madh, të vetmin udhëheqës të vërtetë botëror, që propozon paqen dhe humanizmin e ri. Nëse do ta lexojë këtë intervistë, dua ta dijë se nuk ka ditë që s’lutem për të dhe për shërimin e tij të plotë. Jo vetëm Kisha, por e gjithë bota, ka nevojë për të”.
Zoti Olmert, çfarë po ndodh në Izrael?
Po ndodh që vendi ynë kalon krizën e brendshme më të thellë në të gjithë historinë e tij. Kjo është pasojë e një polarizimi, i cili mund të jetë fenomen global, por këtu është nxitur veçanërisht nga qeveria e Benjamin Netanyahu-t dhe nga aleatët e tij ekstremistë të së djathtës nacionaliste fetare. Të them të vërtetën, si hebre dhe izraelit, ndjej turp të thellë sa herë dëgjoj fjalët arrogante dhe kërcënuese të ministrave Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich.
Kur flisni për krizë të thellë, i referoheni demonstratave të vazhdueshme në Jerusalem dhe Tel Aviv?
Po, por jo vetëm atyre. Është e qartë se shumica e izraelitëve duan përfundimin e luftës, kthimin e pengjeve dhe fundin e qeverisë Netanyahu. Kjo qeveri është pakicë në vend. Por ka edhe një krizë të thellë në institucione. Mendoni për çështjen e emërimeve: Netanyahu vazhdon të ndryshojë sipas dëshirës ministra, gjeneralë, gjyqtarë, sikur shteti të ishte pronë e tij. Gjithmonë, në kërkim të dikujt, që i qëndron më besnik. Mendoni, për shembull, historinë e ndryshimeve në krye të shërbimeve sekrete. Fillimisht, shkarkoi kreun e Shin Bet, Ronen Bar, duke menduar të emëronte dikë më besnik, më pas, u duk një fotografi, që e tregonte kandidatin duke marrë pjesë në një demonstratë kundër qeverisë. Pas tre orësh, emërimi u anulua. Ose, mendoni për ligjin, që kufizon kompetencat e autoritetit gjyqësor dhe të Gjykatës së Lartë. Apo historinë, që çoi në arrestimin e dy bashkëpunëtorëve të kryeministrit, të ashtuquajturën “Qatargate”. E, edhe për kërcënimet kundër lirisë së shtypit, për privatizimin e përfolur të televizionit publik “Kan 11”. Ose për kokëfortësinë me të cilën refuzon ngritjen e një komisioni të pavarur hetimor për 7 tetorin. Netanyahu sheh armiq kudo.
Zoti Olmert, a thua Izraeli po merr rrugën e autokracisë?
Unë besoj se Izraeli është ende vend demokratik. Fakti që unë, ish-kryeministër, mund t'jua them këto gjëra në një intervistë, është dëshmi e kësaj. Ashtu siç janë demonstratat masive kundër qeverisë. Megjithatë, duhet të them se Izraeli nuk është më demokracia e së kaluarës, demokracia për të cilën ne ishim krenarë në botë. Vendi i Rabinit, i Shimon Peresit. Nga garda e vjetër, kemi mbetur Ehud Barak dhe unë, që akoma e kemi parasysh atë vizion të Izraelit demokratik.
E gjithë kjo reflektohet në luftën e Gazës, e cila vazhdon të shkaktojë viktima...
Po. Dhe, për fat të keq, nuk ka rrugëdalje. Edhe synimet fillestare të presidentit amerikan Donald Trump për paqen duket se kanë marrë fund. Mendoj dhe shpresoj që herët a vonë Trump – i cili nuk e ka durimin ndër virtytet e tij – do të lodhet nga arroganca luftarake e kësaj qeverie. Tani për tani, Netanyahu mbetet i lidhur me Trump për një arsye të thjeshtë: ai është i vetmi, që vazhdon ta dëgjojë; në pjesën tjetër të botës mbizotëron mosbesimi ndaj tij dhe ndaj mënyrës me të cilën Izraeli po e drejton luftën. Por, është vërtet e vështirë të bëhen parashikime. Nga ana tjetër, paparashikueshmëria është diçka e vazhdueshme në historinë politike të këtij vendi. E mbani mend kur Begin u bë kryeministër? Në Perëndim thuhej se kishte ardhur në pushtet një ish-terrorist i Irgun-it, por më pas, Begin ishte ai, që ua ktheu Sinain egjiptianëve në Camp David, duke fituar çmimin Nobel për Paqen. Dhe "skifterin" Sharon, e kujtoni? I vetmi kryeministër izraelit, që imponoi tërheqjen nga Gaza të 21 kolonive dhe të mijëra kolonëve.
Pesëdhjetë mijë të vdekur: a është gjenocid ai, që po ndodh në Gaza, siç thonë disa?
Unë do të thosha se jo. Sepse mizoritë, që shohim në Gaza, nuk janë pasojë e një plani të paracaktuar për të shfarosur popullsinë palestineze. Nëse nuk bëhet qëllimisht, nuk është gjenocid. Madje, do të thosha se një pjesë e madhe e këtyre viktimave varen nga mënyra me të cilën po e bën Hamasi luftën, duke i kamufluar milicët e tij në tunele, në ndërtesa, pranë shtëpive të civilëve. Gjithsesi, s’mund të fshihet se kjo luftë ka shkatërruar në tepri e viktimat janë shumë njerëz të pafajshëm.
Ju vazhdoni të thoni se shumica e izraelitëve, rreth 80%, duan fundin e luftës. Por sondazhet nxjerrin në pah një tjetër të dhënë kontradiktore: 70% nuk duan të dëgjojnë për zgjidhjen "me dy shtete" dhe një votim i Knesset e sanksionoi këtë mohim. Ju keni qenë kryeministri, që iu afruat më shumë kësaj zgjidhjeje, pa e arritur. Pse vazhdoni ta mbështesni kaq fort?
Shikoni, më quajnë utopist dhe më akuzojnë se dua të bëj paqe me armiqtë. Por u përgjigjem: sigurisht që paqja bëhet me armiqtë e jo me miqtë. A janë palestinezët armiqtë tanë? Po, jam dakord: prandaj, duhet të bëjmë paqe me ta. 70% nuk e duan atë? Epo, jam i lumtur që 30% e duan më në fund. Ky numër do të shtohet, do të fitojmë konsensus, fillimisht një 10%, pastaj një tjetër e një tjetër, derisa të bëhemi shumicë. A e dini pse jam kaq i sigurt? Thjesht, sepse nuk ka alternativë tjetër në krahasim me "dy shtetet". Nëse ndokush mendon se, përveç dëbimeve masive qesharake dhe të parealizueshme, ka ndonjë alternativë të besueshme të ndryshme nga zgjidhja e dy shteteve, të na e thotë. Unë nuk di tjetër. E mendoj se plani, mbi të cilin pata punuar në vitin 2006 bashkë me Abu Mazen, është ende i zbatueshëm sot, me disa rregullime të vogla. Pata rastin t'ia paraqisja edhe Papës Françesku, kur më priti bashkë me partnerin tim të betejës, ish-ministrin e jashtëm palestinez, Naser Al-Kidva. Por, pikërisht ngaqë nuk jam utopist, e di fare mirë se sot zgjidhja me “dy shtete” kërkon fillimisht ndryshim lidershipi në të dyja kampet. E besoj shumë në frymën e paqes së Papës Françesku.