Kërko

Proçesioni i krishterëve në Jerusalem Proçesioni i krishterëve në Jerusalem

Toka e Shenjtë, mbi 100 raste dhune ndaj të krishterëve në 2024

Raporti i ri i Rossing Center, i paraqitur më 31 mars në Jerusalem, denoncon sulmet kundër njerëzve duke përfshirë vandalizmin e Kishave, manastireve dhe shenjave fetare publike, kryesisht nga hebrenjtë ultra-ortodoksë nga qarqet e ekstremizmit nacionalist-fetar.

R.SH. / Vatikan

Janë regjistruar 111 raste agresioni apo dhune në vitin 2024 në Izrael dhe në Jerusalem ndaj njerëzve fetarë (dhe jo vetëm) të krishterë. Shumica e sulmeve ishin kundër njerëzve, por në 35 raste ka pasur edhe akte vandalizmi ndaj Kishave, manastireve dhe tabelave fetare publike. Të dhënat alarmante gjenden në raportin vjetor mbi sulmet ndaj të krishterëve në Tokën e Shenjtë, hartuar nga Rossing Center – organizata për paqen dhe dialogun ndërfetar e cila prej vitesh ka ndjekur përshkallëzimin e dhunës ndaj të krishterëve që jetojnë në Izrael dhe Palestinë, përmes programit JCJCR (Jerusalem Center for Jewish Christian Relations) – prezantuar mbrëmjen e djeshme në Jerusalem.

Ndikimi i ekstremizmit

Pothuajse në të gjitha rastet, autorët e identifikuar janë hebrenj të rinj ultra-ortodoksë që i përkasin qarqeve ekstremiste fetare-nacionaliste. Fatkeqësisht, ndikimi në rritje i kësaj të fundit në politikën e qeverisë izraelite ka kontribuar në krijimin e një mjedisi me kërcënime të vazhdueshme ndaj pakicave fetare, dhe veçanërisht ndaj të krishterëve. Rezultatet janë të tmerrshme: në një anketë të promovuar nga vetë Qendra Rossing, 48% e të rinjve të krishterë nën 30 vjeç të intervistuar thanë se po mendonin të largoheshin nga rajoni dhe të emigronin, dhe 77% e tyre thanë se arsyeja kryesore ishte përshkallëzimi i diskriminimit dhe dhunës ndaj të krishterëve dhe përkeqësimi i përgjithshëm i situatës socio-politike.

Popullsia izraelite

Shumë interesant, në raport, është përpunimi i statistikave të përgjithshme të prodhuara nga Byroja Qendrore e Statistikave të Izraelit. Popullsia e Izraelit ka arritur në 10 milionë në vitin 2024. Nga këta 7.700,000 janë hebrenj dhe 2.100,000 janë arabë. Në Izrael jetojnë vetëm 180.000 të krishterë dhe 80% e tyre janë arabë. Të krishterët arabë përfaqësojnë 7% të popullsisë totale arabe të Izraelit.

Më konkretisht, në qytetin e Jerusalemit jetojnë 591 mijë hebrenj, që përfaqësojnë 61% të popullsisë, ndërsa arabët numërojnë 385 mijë. Por nga këta vetëm 13.000 janë të krishterë; pra raporti i myslimanëve me të krishterët në Jerusalem është 96% me 4%.

Krahasuar me një vit më parë, popullsia hebraike u rrit me gjysmë pikë përqindjeje dhe popullsia arabe u ul me të njëjtën masë, në përputhje me "judaizimin" progresiv të qytetit të dëshiruar nga qeveria, e cila pikërisht në këto ditë po miraton një plan masiv për vendbanime të reja hebraike në Jerusalemin Lindor që përfshin ndërtimin e afërsisht 11.500 njësive të reja banimi. Por më e rëndësishmja, 29% e banorëve të qytetit të shenjtë e përshkruajnë veten si "hebrenj ortodoksë", që në praktikë përbën më shumë se gjysmën e banorëve hebrenj të Jeruzalemit.

Efektet e të Basic Law

Trendi, sipas analistëve të Rossing, Center, vëren një "judaizim" progresiv të qëllimshëm të Jeruzalemit dhe Tokës së Shenjtë. Një prirje që gjeti kuadrin ligjor në të ashtuquajturin “Basic Law” (Izraeli nuk ka kushtetutën e tij, por rreth njëzet ligje themelore, të quajtura ligje bazë) të vitit 2018 mbi “Izraelin si shtet-komb i popullit hebraik”, i cili është shumë mbrapa në fushën e lirisë ndërfetare dhe të përfshirjes në krahasim me Ligjin Bazë 1992”.

Realisht, Basic Law i vitit 2018 ka pasur pak efekt praktik, por sigurisht që jep një pamje shqetësuese të ndarjes së popullsisë në qytetarë të kategorive të ndryshme, që mund të frymëzojë klimën e dhunës të ushtruar nga pjesët më ekstremiste. Një çështje po aq intensive është edhe sistemi i taksave në lidhje me besimet fetare “të vogla”, të cilat gëzojnë përjashtim vetëm për vendet e lutjes dhe jo për shkollat, oratoritë e të rinjve dhe shtëpitë për shtegtarët: një taksë mbi pasuritë e paluajtshme, e cila në hebraisht quhet “arnona”. Dhe tani ka mosmarrëveshje të shumta të hapura midis komuniteteve të krishtera (në radhë të parë Kujdestaria e Tokës së Shenjtë) dhe institucioneve komunale.

Dhuna e krimit

Një çështje e fundit që i vendos të krishterët në Tokën e Shenjtë në vështirësi ekstreme, veçanërisht në Galile dhe në veri, është përhapja e dhunës së shkaktuar nga krimi i organizuar i llojit mafioz që është i përhapur në mesin e popullatës arabishtfolëse dhe që vetëm vitin e kaluar ka shkaktuar në rreth 230 vrasje. Të krishterët e atyre zonave, normalisht të butë dhe në përkim me parimet e ligjshmërisë, përjetojnë kështu një element të mëtejshëm tensioni dhe shqetësimi.

01 prill 2025, 16:38