Kërko

Shkatërrimet në Gazë Shkatërrimet në Gazë

Larg, armëpushimi në Gazë, i kërkuar edhe në takimin Trump-Netanyahu

Vijojnë pandërprerë sulmet izraelite në Rripin e Gazës, që shkaktojnë viktima të reja e të pafajshme. Popullsia vuan nga mungesa e ushqimit. Në takimin e djeshëm me kryeministri Benjamin Netanyahu, edhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump, bëri thirrje për një zgjidhje që ta ndalë sërish konfliktin

R.SH. - Vatikan

Vijojnë pandërprerë sulmet izraelite në Rripin e Gazës, që shkaktojnë viktima të reja e të pafajshme. Popullsia vuan nga mungesa e ushqimit, ndërsa në Izrael vijojnë protestat kundër politikës së kryeministrit Benjamin Netanyahu. Një situatë e denoncuar edhe nga drejtuesit e Kombeve të Bashkuara, të cilët bëjnë të ditur se mallra jetike janë bllokuar në pikat kufitare prej javësh, me akumulimin e ushqimeve, ilaçeve, karburanteve, tendave të pashpërndara, gjë që vë në rrezik mbijetesën e të paktën 2,1 milionë njerëzve të uritur. Vuajnë veçanërisht fëmijët: 1000 prej tyre u vranë, ose u plagosën vetëm në javën e parë pas thyerjes së armëpushimit. "Udhëheqësit botërorë duhet të veprojnë, me vendosmëri dhe urgjencë për të mbështetur parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare humanitare", ngre zërin Komisari i përgjithshëm i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, Unrwa, Philippe Lazzarini, duke nënvizuar se në Gazë "aktet e luftës tregojnë shpërfilljen e plotë për jetën njerëzore, para syve të botës".

Përpjekjet për ndërmjetësim

Për luftën në Rripin e Gazës shtohen edhe përpjekjet diplomatike, sidomos nga ana e Egjiptit, i cili, sipas mediave saudite, ka paraqitur një propozim të ri për armëpushim, që përfshin lirimin e tetë pengjeve në këmbim të heshtjes së armëve nga 40 deri në 70 ditë. Gjithsesi, Izraeli pretendon se nuk e ka marrë këtë kërkesë për ndërmjetësim. Në takimin e djeshëm me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, edhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump, bëri thirrje për një zgjidhje që ta ndalë sërish konfliktin. Gjithashtu, njoftoi se të shtunën, do të fillojnë bisedime të drejtpërdrejta të nivelit të lartë me Iranin për një marrëveshje të re bërthamore. Trump nënvizoi se alternativa, nëse nuk arrihet marrëveshja, do të ishte një përgjigje ushtarake e paprecedentë. Nga ana e tij, Netanyahu i mbështeti përpjekjet diplomatike, por përsëriti se Irani nuk duhet të lejohet të ketë armë bërthamore. Ndër temat e diskutuara, edhe tarifat doganore: Trump ka vendosur tarifa prej 17% për disa mallra izraelite. Netanyahu premtoi të eliminojë deficitin tregtar me SHBA-të dhe të heqë shpejt taksat e mbetura mbi mallrat amerikane.

08 prill 2025, 10:50