Më 10 prill, kalendari kujton Shën Madalenën e Kanosës
R.SH. - Vatikan
Shenjtja Madalenë dëshmoi se dashuria për Zotin është rrënja e dashurisë për të afërmin tonë. Ata që kërkojnë Zotin, dinë të kujdesen për motrat dhe vëllezërit e tyre. Sepse nga dashuria për Zotin mund të vijë vetëm një dashuri e thellë për të afërmin. Për këtë ishte e bindur dhe brenda këtij horizonti jetoi e veproi gjatë gjithë jetës së saj Maddalena e Canossa-s, themeluese e dy kongregatave rregulltare: Bijtë dhe Bijat e Bamirësisë.
Madalena lindi në Veronë të Italisë në pallatin e famshëm të familjes së saj, më 1 mars të vitit 1774. Pati një fëmijëri të trishtueshme, plot me ngjarje të dhimbshme. I ati i vdiq shumë shpejt, ndërsa e ëma u martua përsëri, duke i braktisur fëmijët.
Madalena, akoma e parritur, u sëmur rëndë e u shërua me shumë vështirësi. Por sëmundja e saj qe providenciale, sepse pikërisht ndërsa lëngonte në shtrat, ndjeu thirrjen për t’ia kushtuar Zotit gjithë ç’i kish mbetur nga jeta.
Më 1796, pasi në Veronë hynë trupat e Napoleon Bonapartit, Madalena nisi të mblidhte rreth vetes disa nga vajzat e braktisura, të cilat i strehoi së pari në një shtëpi të përkohshme, pastaj në shtëpinë e zonës së Shën Zenit, një nga më të varfrat e qytetit.
Rreth saj u grumbulluan nëntë shoqe e kështu lindën “Bijat e dashurisë”, që më pas u njohën me emrin e themelueses si motrat kanosiane. Madalena vdiq në moshën 61 vjeçare më 10 prill 1835, të Premten e Mundimeve të Krishtit. U shpall e Lume nga Papa Piu XII në vitin 1941, shenjte - nga Gjon Pali II më 2 tetor 1988.