Kërko

Shën Libori i Le Mans Shën Libori i Le Mans

Më 9 prill, kalendari kishtar përkujton Shën Liborin, ipeshkëv i Le Mans

R.SH. - Vatikan

Libori qe një nga ipeshkvijtë e parë të dioqezës së Le Mans (Franca e sotme), ndoshta i katërti. U zgjodh në vitin 348 dhe, sipas traditës, shërbeu në këtë detyrë për 49 vjet.

I thirrur në ndihmë kundër dhimbjeve të tmerrshme të gurëve në veshka e sëmundjeve të prostatës, ipeshkvi pati një kult të rëndësishëm në mesjetë, veçanërisht si shenjt e taumaturg.

Sipas traditës, ai ishte ipeshkvi i katërt i Le Mans dhe shëroi disa prej besimtarëve duke ua nxjerrë disa gurë të vegjël nga veshkat. Prandaj, paraqitet si një ipeshkëv i moshuar me mjekër, ndërsa mban një libër mbi të cilin janë vendosur gurë të vegjël.

Gjithnjë sipas traditës, shërbimi i tij ipeshkvnor zgjati 49 vjet, plot vepra bamirësie dhe vëmendjeje për më të varfrit. Ndërtoi disa kisha në rrethinat e Le Mans, kështu që mendohet se veprimtaria e tij ungjillizuese kufizohej në Galinë e atëhershme. Thuhet se shuguroi 217 meshtarë dhe 186 diakonë, më synimin për ta forcuar sa më shumë Kishën. Kur vdiq, në vitin 397, kishte pranë shën Martinin e Turit.

Në vitin 835, ipeshkvi pasardhës, Aldriko, kur ndërtoi katedralen deshi t'i kushtonte një altar në kujtim të shenjtërisë së tij. Në vitin 836, Badurado, ipeshkvi i Paderbornit, dërgoi një komision në Le Mans për të kërkuar reliket e shenjtorit: njihen tre relacione të këtij misioni, të cilat raportojnë mrekullitë, që ndodhën në atë kohë, gjatë kalimit të relikeve. Sot, të dyja qytetet, Le Mans dhe Paderborn, janë të bashkuara nga një lloj "vëllazërimi"/binjakëzimi, sepse të dyja i kushtohen shenjtorit.

09 prill 2025, 09:10