Kërko

Pakistani Christians observe Minority's Day in Karachi

Pakistani, të krishterët vazhdojnë të jenë viktima të përdhunime

Në qytetet Sheikhupura dhe Faisalabad, pakicat pësojnë forma të rënda persekutimi dhe intolerance. Atë Lazar Aslam pohon: "Dhuna mbetet shqetësuese.Vajzat shpesh detyrohen të ndërrojnë fenë para se të martohen, ndërsa akuzat e rreme janë realitet i ashpër për shumë njerëz"

R.SH. - Vatikan

Intoleranca e vazhdueshme kundër të krishterëve në Pakistan vazhdon të shkaktojë shqetësim në bashkësitë e besimtarëve. E, edhe të njollosë  kohën kur të krishterët dhe myslimanët festojnë njëkohësisht dhe kalojnë çaste lutjeje për Kreshmë e Ramazan, që, në vitin 2025, përkuan, duke ofruar mundësi të çmuara për dialog dhe takim.

Akuzat për blasfemi

Ndër ngjarjet e pakëndshme, që ndodhën javët e fundit, të cilat u prijnë të krishterëve drejt Pashkëve, ishte sulmi kundër njëzet e dy vjeçarit Waqas Masih, i cili u dhunua nga eprori i tij në fabrikën ku punonte në Sheikhupura, në provincën Punjab. Gjatë një grindjeje, që u përsërit edhe në disa raste të tjera, Waqas u akuzua padrejtësisht për blasfemi, domethënë për përdhosjen e faqeve të Kuranit. Më pas ai nuk pranoi të kthehej në fenë Islame, për t'i shpëtuar, kështu, akuzave të rreme. I goditur vazhdimisht në qafë, Waqas pësoi lëndime të rënda dhe u shtrua në spital, në Lahore, në gjendje të rëndë, ndërsa sulmuesi i tij u arrestua.

E përdhunuan vetëm pse ishte e krishterë

Bujë të madhe bëri edhe një episod i tmerrshëm përdhunimi dhe grabitjeje i ndodhur më 25 mars në afërsi të autostradës që përshkon Punjab. Tre kriminelë sulmuan një çift të krishterë të sapomartuar, Adnan Masih dhe Shumaila, të cilët po udhëtonin me motoçikletë drejt Faisalabad. Të dy u ndaluan nga grabitës të armatosur të cilët i vodhën shumën prej 800 rupi dhe një celular. Por, pasi u zbulua më vonë identiteti i krishterë i të dyve, dhuna ndryshoi tone dhe metoda: burrat filluan të përdornin gjuhë fyese, plot përbuzje dhe mizori, e cila kulmoi me përdhunimin në grup të gruas, në sytë e të shoqit.

Senatori Khalil Tahir Sindhu, avokat katolik që vizitoi familjen (dy bashkëshortët kanë tre fëmijë) në Faisalabad, i mbështeti të dy. Avokati zbuloi se të afërmit e njërit prej të akuzuarve i kërcënuan viktimat që të mos ngrinin akuza, gjë që përkundrazi u bë "për të kërkuar drejtësi, sepse krime të tilla të urrejtjes nuk mund të mbeten pa u ndëshkuar" - pohoi ai, duke lavdëruar policinë, që arriti t’i identifikojë dhe t’i arrestojë me shpejtësi kriminelët. Duke përsëritur angazhimin e qeverisë për drejtësinë, senatori Sindhu nënvizoi se "Kushtetuta e Pakistanit garanton mbrojtjen e të gjithë qytetarëve pa diskriminim kulturor, etnik apo fetar".

Diskriminimi i pakicave

“Këto ngjarje të hidhura - nënvizoi frati kapuçin i Lahores, atë Lazar Aslam – dëshmojnë diskriminimin me të cilin përballen grupet minoritare në Pakistan, veçanërisht të krishterët. Dhuna kundër pakicave fetare mbetet shqetësuese. Vajzat shpesh detyrohen të martohen dhe të ndërrojnë fenë, ndërsa akuzat e rreme janë realitet i ashpër për shumë njerëz".

Në këtë situatë, kujton atë Aslam, katolikët pakistanezë marrin shembull nga dëshmia e shërbëtorit të Zotit Akash Bashir, të riut katolik që të gjithë e konsiderojnë martir sepse, në vitin 2015, dha jetën për të parandaluar një sulm terrorist kundër famullisë. Dëshmia e tij i bashkoi të krishterët e të gjitha konfesioneve e, me ta, edhe mylimanët.

06 prill 2025, 12:25