Kërko

2025.04.16 Beato Padre Gasper Suma ofm, martire della Chiesa albanese

Kalendari kujton sot, 16 prill, të Lumin Atë Gaspёr Suma, ofm, martir

I Lumi Atë Gaspër Suma, frat minor, qe i butë, shumë i dashur, i thjeshtë, i gatshëm për t’i shërbyer popullit të Zotit. Përveç Eukaristisë së Shenjtë, kishte edhe një devocion të ëmbël e birnor për Zojën e Bekua . Me 24 maj 1948, sigurimi e arrestoi në Gomsiqe, u dënua me 3 vjet burg, nga vuajtjet dhe dhimbjet ishte shpërfytyruar, po ai tregonte një durim të madh dhe i ishte nënshtruar vullnesës hyjnore. Vdiq mё 16 prill 1950

R.SH. / Vatikan

Kalendari kishtar sot më 16 prill përkujton e kremton liturgjikisht të Lumin Atë Gaspёr Suma, ofm, martir i Jezu Krishtit në kohën e diktaturës komuniste në Shqipëri. 

Atë Gaspёr Suma me misionin e tij nëpёr malet e vështira tё Dukagjinit qe ungjillëzuesi i zellshëm, por edhe “mjeku” i shpejtë që gjendej në vështirësitë shëndetësore për dhënien e ndihmës së parë, si edhe mësuesi që përpiqej të mësonte shkrim e këndim njerёzit. Misioni i tij, që mban gjurmën e trashëgimisë shpirtërore të shën Françeskut, u dallua sidomos për dashurinë e tij bujare dhe bamirësinë heroike deri në vënien në rrezik të jetës së tij.  I Lumi Atë Gaspër Suma i kultivonte një devocion të veçantë për shpirtrat e shenjtë të Purgatorit, aq sa thoshte: “Kur lutem për ta, gjithçka i kërkoj Zotit, Ai ma jep”.

ishte një frat minor i butë, shumë i dashur, i thjeshtë, rinor dhe i pëlqente të bënte humor. Ishte gjithmonë i buzëqeshur. Kishte përherë gati një batutë të hareshme për të kënaqur njerëzit që e rrethonin. Meshtar i gatshëm për t’i shërbyer popullit të Zotit. Përveç Eukaristisë së Shenjtë, kishte edhe një devocion të ëmbël e birnor për Zojën e Bekuar. Pavarësisht shëndetit të dobët, qe i palodhur në punën baritore. Provinciali i atëhershëm, Atë Vinçenc Prennushi, duke admiruar dëshminë e Atë Gasprit e të fretërve të tjerë, të cilët jetonin në kushte shumë të këqija nëpër malet e vështira të Dukagjinit, i shkruan Ministrit të Përgjithshëm të Fretërve në Romë: “Ata [fretërit]… gjejnë në atë që do ta quaja pothuajse martirizim i tyre i vazhdueshëm, atë kënaqësi e cila, duke i mbajtur, i gjen të gatshëm për flijime të reja”. Fjalë profetike! Po ashtu edhe Provinciali, Atë Çiprijan Nikaj, më 1938, në një relacion shkruan me admirim për zellin baritor e kurajën e këtyre fretërve “që bëjnë një jetë flijimi të vazhdueshëm”, duke theksuar që, “për të shkuar nëpër ato famulli duhen këmbë shumë të mira dhe nuk duhet të të merren mendtë, përndryshe, mjerë ata! Humnerat prej 400-500 m janë të gatshme t’i përpijnë”. E Atë Gaspri në ato male ishte ungjillëzuesi i zellshëm, por edhe “mjeku” i shpejtë që gjendej në vështirësitë shëndetësore për dhënien e ndihmës së parë, si edhe mësuesi që përpiqej të mësonte shkrim e këndim. Mbarështimi i tij, që mban gjurmën e trashëgimisë shpirtërore të shën Françeskut, u dallua sidomos për dashurinë e tij bujare dhe bamirësinë heroike deri në vënien në rrezik të jetës së tij. Ndërkohë shëndeti i tij vinte duke u dobësuar, i goditur, me sa duket, prej një tumori hepatik.

Një frat e meshtar i këtyre përmasave nuk do të kalonte pa u vënë re nga regjimi i ri komunist, për të cilin “Kisha duhej konsideruar dhe trajtuar e paligjshme dhe priftërinjtë duheshin mbikëqyrur e, në rastin më të volitshëm, edhe arrestuar, që të arrihej qëllimi: shkatërrimi i organizimit të Kishës dhe largimi i njerëzve nga çdo praktikë fetare”. Atë Gaspri vetë, nuk ishte naiv, prandaj që në fillim e jetoi në një përgatitje asketike pritjen “e orës” së tij. E kjo “orë” erdhi pa vonuar në festën e Zojës Ndihmëtare. Atë ditë, pra me 24 maj 1948, Sigurimi e arrestoi në Gomsiqe. Kështu në shoqërinë e Zojës fillon kalvari i tij për ta derdhur gjakun në besnikëri të kushteve rregulltare dhe të shugurimit meshtarak. E dërguan në kuvendin e Gjuhadolit, tashmë i kthyer në burg. Edhe pse me shëndet aspak të mirë nuk ia kursyen torturat mizore. Por forca e tij shpirtërore dilte në pah, kur në intervalet mes një torture e tjetrës, i kushtohej lutjes dhe, si apostull i vërtetë, i mësonte të luteshin ata që ishin në burg me të dhe fshehurazi i pajtonte me Hyjin vëllezërit në fe. Gjithashtu e tregoi veten edhe në gjyq, ku haptazi dha arsyet se pse duhej kundërshtuar komunizmi: është kundër fesë e karakteristikat e tij janë shkatërrimi i familjes e i moralit.

U dënua me 3 vjet burg, edhe pse i mohoi zyrtarisht akuzat dhe kërkoi më kot rishikimin e vendimit. Pas vendimit e transferuan në “Burgun e Madh” të Shkodrës. E kështu, në moshën 53-vjeçare, në infermierinë e burgut, ku e kishin çuar në fill të vdekjes, ashtu si Mësuesi i tij Hyjnor, “dha shpirt”. Ishte data 16 prill 1950, e Diela e Bardhë (sot e Diela e Mëshirës Hyjnore). Kështu qe tamam Pashkë për të! Atë ditë edhe ai e lau stolën e vet meshtarake në gjakun e Qengjit dhe i shndërruar hyri “në aradhën e dëlirë të martirëve” për t’iu bërë kurorë Hyjit Atë.

Lutja për Kanonizimin si dhe për të kërkuar hire të nevojshme

Trini e Shenjtë,

Atë e Bir e Shpirt Shenjt,

Ty të qofshin lavdi, ndera e bekimi,

që ia ke dhuruar Kishës së shenjtë

të Lumin Gaspër Suma,

meshtar rregulltar i Urdhrit të Fretërve Minorë,

si model besnikërie ndaj Krishtit

dhe dashurie të pakushtëzuar ndaj vëllezërve.

Të lutemi me përvujtëri:

ashtu si u denjove ta lumnosh në Qiell,

denjohu ta lavdërosh edhe këtu mbi tokë

duke na dhënë hirin që aq shumë e dëshirojmë

e që, me ndërmjetësinë e tij, me besim të kërkojmë

(në këtë moment shprehet kërkesa).

Besojmë në Ty, o Zot. Ardhtë Mbretëria jote! Amen.

Ati ynë. Të falemi Mari. Lavdi Atit …

16 prill 2025, 11:25