Kërko

Bank of Taiwan Securities Bank of Taiwan Securities

Tarifat doganore amerikane vënë në vështirësi bursat botërore

Në rënie tregu i aksioneve në gjithë botën, për shkak të politikës tarifore të dëshiruar nga presidenti amerikan Trump. Qeveritë kërkojnë urgjentisht bisedime me Shtëpinë e Bardhë për negociata të mundshme

R.SH. – Vatikan

         Bursat e gjithë botës u hapën sot me rënie, duke konfirmuar prirjen e fundjavës së kaluar dhe problemet ekonomike e financiare, shkaktuar nga vendosja e tarifave doganore nga ana e presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Tokio hapi dyert sot me një rënie prej 7%, Sydney 6% dhe Seuli 5%. Wall Street është gjithashtu në rënie, pasi dogji 500 miliardë dollarë vetëm në 48 orë, javën e kaluar. Frankfurti kryeson prirjen negative në Evropë, duke regjistruar sot, 7 prill, një rënie prej -9%, ndërsa Milano e nisi ditën me një humbje prej 7%.

Negociatat e mundshme

Kancelaritë kryesore në mbarë botën kanë bërë përpjekje për të kërkuar bisedime me Shtëpinë e Bardhë dhe për të hyrë në negociata me presidentin Trump, në mënyrë që të zbusin pasojat e tarifave doganore në ekonomitë e tyre. Këshilltari ekonomik i Shtëpisë së Bardhë, Kevin Hassett, deklaroi se më se 50 vende i kanë kërkuar presidentit amerikan të negociojë. Vetë Trump theksoi se është gati për bisedime për sa kohë që vendet, të cilat i kërkojnë ato, të rishikojnë deficitin e tyre tregtar me SHBA-në. "Unë dua të zgjidh problemin e deficitit. Jam gati të ulem në tryezë për të folur mbi këtë çështje", nënvizoi presidenti amerikan në bordin e Air Force One. Çështja e tarifave do të diskutohet edhe me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu gjatë takimit të planifikuar për sot, e hënë 7 prill, në Uashington. Trump sinjalizoi se tregtia ndërmjet SHBA-së dhe Izraelit do të jetë temë kryesore e diskutimeve, ku, natyrisht, do të flitet edhe për çështjen e luftës në Rripin e Gazës e për Iranin.

Reagimi i Bashkimit Evropian

Shqetësim për mbarëvajtjen e tregjeve financiare shprehu edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila, në një bisedë telefonike me kryeministrin britanik, Keir Starmer, vuri në dukje gatishmërinë e Evropës për të mbrojtur interesat e saj. "Von der Leyen shpreh vendosmërinë e saj për të bashkëpunuar në përgjigje të këtij realiteti të ri të ekonomisë globale, duke pasur parasysh se çdo partner tregtar do të veprojë sipas përparësive të veta", shkruhet në një notë të Komisionit. Presidentja dhe kryeministri britanik diskutuan edhe mbi përgatitjet për samitin e ardhshëm BE-Mbretëri e Bashkuar, që do të mbahet më 19 maj, mbi tema si siguria dhe mbrojtja, tregtia dhe ekonomia.

07 prill 2025, 14:31