Kërko

At Francesco Patton, Kujdestar i Tokës së Shenjtë At Francesco Patton, Kujdestar i Tokës së Shenjtë

Pashkët në Tokën Shenjte, Atë Patton: të mos rrimë të burgosur në një varr bosh

Rojtari i Tokës Shenjte i fton besimtarët ta kremtojnë ringjalljen e Jezusit pa mbetur të bllokuar "nga guri i rëndë i rrethanave nën të cilat jetojmë e të cilat na flasin për dështim e vdekje, luftëra, pandemi, tërmete, kriza ekonomike, fatkeqësi natyrore dhe fatkeqësi të shkaktuara nga pavetëdija jonë njerëzore e nganjëherë edhe nga mizoria njerëzore".

R.SH. / Vatikan

Pashkët në Tokën Shenjte, Atë Patton: të mos rrimë të burgosur në një varr bosh

Prej nëntë vjetësh kam pasur privilegjin t’i kremtoj Pashkët në vendet që kujtojnë ringjalljen e Jezusit dhe dukjet e tij të para: varri i zbrazët dhe kapelat aty pranë, që të kujtojnë takimin me nënën e tij, me Marinë Magdalenë dhe me gratë; Emausi, ku Jezusi u njoh duke thyer bukën; çenakulli, ku iu duk dishepujve në mbrëmjen e Pashkëve dhe tetë ditë më vonë.

Këtë vit mendimi im për Pashkë vjen nga Tabgha, në  bregun e detit të Galilesë, jo shumë larg Kafarnaos, Malit të Lumturive dhe të Magdalës.

Jezusi i kishte kërkuar Marisë Magdalenë t'i njoftonte vëllezërit e tij se  ishte ringjallur, se po i paraprinte në Galile dhe se ata do ta takonin përsëri atje, ku gjithçka kishte filluar, tre vjet më parë.

Në Tabgha, në bregun e liqenit, Jezusi i duket Pjetrit dhe gjashtë dishepujve të tjerë që përpiqeshin të peshkojnë si ta kishin braktisur thirrjen e tyre, sepse të dërmuar nga vdekja e Mjeshtrit. Në Tabgha, Jezusi i ringjallur duket në agim, kur nuk është më natë as ditë. Duket kur është më e vështirë t’a njohësh fytyrën, por jo zërin.

I Ngjalluri duket dhe kërkon edhe një herë të peshkojë kur peshkimi nuk është më i dobishëm. Kërkon, pra, t'i besojmë Atij, edhe një herë, e edhe deri në fund të fundit. Sepse vetëm Ai është në gjendje t’i përmbysë dështimet tona dhe ta mbushë zbrazëtinë tonë.

 I Ngjalluri duket dhe i bën Pjetrit pyetjen më të rëndësishme, po atë që na bën ne të gjithëve: "A më do më shumë se çdo gjë e më shumë se këdo? Nëse më do vërtet, mund të fillosh të më ndjekësh përsëri. Nëse më do vërtet, mund të fillosh të kujdesesh për njerëzit që të besoj. Nëse më do vërtet, edhe ti do të mund të japësh jetën tënde deri në fund të fundit, si unë".

Nëse duam t’i festojmë Pashkët, nëse duam t’i festojmë plotësisht, edhe ne duhet të mësohemi të mos burgosemi në një varr bosh. Jezusi i Ngjallur na paraprin, ecën para nesh.

Nëse duam të festojmë Pashkët, nuk mund të mbetemi të burgosur në dështimet tona vetjake: si në planin njerëzor, ashtu edhe në atë fetar.

Nëse duam të festojmë Pashkët, nuk mund të mbetemi të dërrmuar nën gurin e rëndë të rrethanave në të cilat po jetojmë, e të cilat flasin për dështim e vdekje: luftëra, pandemi, tërmete, kriza ekonomike, fatkeqësi natyrore dhe fatkeqësi të shkaktuara nga pamaturia jonë njerëzore e ndonjëherë edhe nga mizoria jonë njerëzore.

Jezusi i Ngjallur tashmë i ka kapërcyer të gjitha këto dhe na pyet vetëm: "A më do aq sa të më besosh plotësisht? A je gati të fillosh nga e para me mua? Dëshiron të jem përsëri në qendër të jetës tënde?". Atëherë dhe vetëm atëherë ai do të jetë në gjendje të na thotë rishtas: "Më ndiqni dhe kujdesuni për njerëzit që ju besoj, e së bashku me mua, mësohuni të jepni jetën tuaj".

Atëherë dhe vetëm atëherë do të jemi të aftë ta njohim atë të pranishëm, kur të mos jetë më natë, por as ende ditë, dhe do të bindemi se duke shpresuar tek ai, nuk do të zhgënjehemi, nuk do të mashtrohemi as nuk do të hutohemi kurrë më. Me të do të mund të ecim të sigurt në rrugët e kohës drejt Pashkëve të përjetshme.

19 prill 2025, 16:58