Kërko

Koncili i Nikesë Koncili i Nikesë

Bartolomeu I: të gjendet mënyra për t’i festuar gjithnjë së bashku Pashkët

Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës, Primat i Kishës Ortodokse, flet në emisionin “Aventura e Nikesë”, që do të transmetohet të dielën e Pashkëve në Rai3. Ai ndalet në 1700-vjetorin e Koncilit të Nikesë, duke uruar që Papa Françesku të arrijë për të marrë pjesë në kremtimet e planifikuara për në fund të majit 2025

R.SH. – Vatikan

Mundësia e një date të vetme për kremtimin e Pashkëve katolike dhe ortodokse, si edhe shpresa që Papa Françesku të jetë në gjendje për të marrë pjesë në kremtimet e planifikuara në Turqi, në fund të majit 2025, me rastin e 1700-vjetorit të Koncilit të Nikesë, që i dha botës Besojmën e krishterë: këto janë aspektet, që trajton Patriarku i Kostandinopojës, Bartolomeu I, Primat i Kishës ortodokse,  në emisionin “Aventura e Nikesë”, që do të transmetohet të dielën e Pashkëve, në Rai3, në orën 15.50.

Përsa i përket faktit që Pashkët do të kremtohen në të njëjtën datë si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim, Bartolomeu I shpjegon: "Këtë vit, kremtojmë së bashku Pashkët në të njëjtën të diel. Mendoj se nuk është thjesht rastësi, por shenjë nga lart, që na tregon rrugën, nevojën për të gjetur një mënyrë të përhershme për t’i kremtuar së bashku Pashkët, çdo vit".

“Aventura e Nikesë” është një hulumtim historik mbi Koncilin e Nicesë, mbi kuptimin dhe rëndësinë e vendimeve të marra nga ajo asamble ipeshkvijsh, e cila – sqaron RAI në një deklaratë për shtyp - ishte Koncili i parë Ekumenik në histori. Ndër protagonistët e emisionit, përveç Patriarkut Bartolomeu I, edhe kryeipeshkvi i Izmir-Smirne, imzot Martin Kmetec, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Turke; Vikari Apostolik i Stambollit, imzot Massimiliano Palinuro; Nënë Rebecca Nazzaro, drejtoreshë e Baritorisë së Shtegtimeve në Veprën Romake të Shtegtimeve.

18 prill 2025, 14:52