Është e Enjtja e Madhe, o Zot, e ti më vë para bukën e jetës
R.SH. / Vatikan
Jezusi u mësonte apostujve ta donin atë dhe njëri tjetrin. Gjatë Darkës, me fjalë solemne që nënkuptonin flijimin e tij të afërt mbi Kryq, Jezusi e shndërroi bukën në korp të vetin e verën, në gjak të vetin e ua dha apostujve ta hanin e ta pinin. E shtoi: "Bëjeni këtë në kujtimin tim!". Dhuronte kështu Sakramenti e Urdhrit të Shenjtë, atë të meshtarisë. Jezusi i shuguroi meshtarë apostujt e vet, sepse u dha atyre pushtetin për të shuguruar bukën e verën, duke i shndërruar në korpin e gjakun e Tij, për t'ia ofruar pastaj këtë flijim Atit të Amshuar. Prej këndej mund të themi se sonte Kisha adhuron dhe falënderon Jezusin për flijimin dhe për Sakramentin e Eukaristisë Shenjte!
Edhe Kisha në kremtimet e rastit, duke i ftuar të gjithë besimtarët të ulen rreth sofrës hyjnore, së bashku me Krishtin, rikujtoi çastet kulmore të Darkës së Fundit të Zotit dhe shpjegon simbolet kryesore: larjen e këmbëve, simbol i shërbimit dhe i dashurisë vëllazërore e themelimin e Eukaristisë, misterit më të madh e më të pashqyrtueshëm për arsyen njerëzore, që na bën një me Krishtin dhe me vëllezërit, përmes simboleve të thjeshta Eukaristike: do të thotë bukës e verës që shndërrohen në Korpin e në Gjakun e Krishtit.
Është e Enjtja e Madhe, o Zot, e ti më vë para bukën e jetës
Është e Enjtja e Madhe, o Zot,
e ti më vë përpara
bukën e verën
që unë të ha e të pi
e të marr pjesë kështu në jetën tënde të ndërprerë,
ofruar për shpëtimin e botës.
Asgjë më shumë se ajo bukë
nuk mund të flasë për Ty,
për gjithçka ke dhuruar:
fjalët, gjestet,
energjitë e kohën,
dashurinë dhe mëshirën tënde.
Asgjë më shumë se ajo verë
s’më kujton se ke derdhur
gjakun për ne në kryq
si një përrua që rigjallëron
njerëzimin mbarë
dhe tokën shndërron.
Është e Enjtja e Madhe, o Zot
E ti më vë përpara
Mjetet e shërbimit:
ibrikun dhe legenin
përparësen dhe peshqirin.
Asgjë më shumë se këto objekte,
të thjeshta e të përvuajtura,
s’më kujtojnë detyrën
që ti i dorëzon çdo dishepulli.
Ti nuk i ofron lavdi,
pushtet, famë, privilegje.
Ti u përule aq
sa u bëre shërbëtor i të gjithëve.
Kush të do me të vërtetë
pranon të ndjekë shembullin tënd,
të përulet para vëllezërve
në detyrat më të përvuajtura.