Imzot Shevchuk: në masakrën e Sumy-t, solidariteti fitoi kundër frikës
R.SH. – Vatikan
“Nëse je mirë, nuk ke nevojë për asnjë hir, as nga Zoti, as nga njerëzit”. Por kur “përjeton dhimbje, tragjedi” dhe provon “çdo ditë se nuk ia del me forcat e tua, se ke nevojë për një dorë nga tjetri, kjo të bën të zbulosh kuptimin e udhës së përbashkët” dhe të ndihmon të rezistosh. Feja dhe forca e shpirtit, qëndrueshmëria dhe shpresa në Krishtin, që e ka mposhtur vdekjen, edhe atë që ta copëton zemrën pas një tjetër masakre civilësh: Fortlumturia e tij Sviatoslav Shevchuk, kryeipeshkvi i madh i Kievit, përshkruan për mediat e Vatikanit Javën e Madhe të Pashkëve në këtë kohë lufte, sidomos gjendjen pas sulmit rus kundër qytetit Sumy, të Dielën e Larit, me 34 të vrarë e rreth 120 të plagosur, ndër të cilët rreth 15 fëmijë. Një goditje tjetër mizore, e cila, nënvizon ai, nuk e ka prekur ndjenjën e humanizmit dhe bindjet më të thella në shpirtin e popullit ukrainas.
Shpresa në Krishtin është burim mbijetese
“Shpresa – nënvizon ai - është burimi i mbijetesës sonë, i aftësisë për të rezistuar, për të ecur përpara. Ne nuk mbështetemi te diçka, por te dikush. Dhe kjo marrëdhënie me Jezu Krishtin, që vuajti për ne, vdiq dhe u ringjall, është burimi i shpresës sonë. Shumë njerëz vijnë në shtegtim, veçanërisht në këtë periudhë Kreshmësh, në katedralet e shenjtëroret tona, pikërisht për ta shtuar këtë shpresë. Ata marrin pjesë në Sakramentet e Rrëfimit dhe në Eukaristi, luten për Papën dhe për shëndetin e tij dhe marrin këto hire që na ofron Jubileu dhe që Ati i Shenjtë na lejon t'i përjetojmë jo vetëm në Romë - sepse shumë shtegtarë shkojnë në Romë - por edhe këtu tek ne”.
Tragjedia e Sumy-t
“Kjo Javë e Shenjtë, java e mundimeve të Zotit, - vijon komentin imzot Shevchuk, duke iu referuar masakrës së Sumy-t - fatkeqësisht filloi me një tragjedi të madhe. Në Sumy, ndërsa njerëzit po luteshin në kishë, të Dielën e Larit, ndërsa në katedralen ortodokse të Moskës mbahej homelia, ranë dy raketa, duke vrarë 34 njerëz, përfshirë dy fëmijë dhe duke plagosur 119, përfshirë 15 fëmijë. Natyrisht, çdo analizë e këtij sulmi, e kësaj masakre, tregon se qëllimi ishte goditja e popullsisë civile. Raketa e parë goditi qendrën e qytetit dhe më pas - kur e dinin se do të vinin menjëherë policia rrugore, zjarrfikësit dhe ndihmësmjekët për të plagosurit - në atë moment, mbërriti raketa e dytë, edhe më vdekjeprurëse, sepse thonë se kjo raketë shpërtheu në ajër për të goditur njerëzit, që lëviznin në qendër të qytetit. Një tragjedi, që tronditi të gjithë. Kemi ndjesinë se sa më shumë flasim për paqen në Ukrainë, sa më shumë që punojmë në nivel ndërkombëtar për të promovuar dialogun dhe për të gjetur një marrëveshje, aq më të pamëshirshme bëhen këto sulme, sepse në tri javët e fundit ato janë shtuar në mënyrë të konsiderueshme.
Edhe këtu në qytetin e Kievit, jetojmë nën bombardime çdo natë, me intensitet më të madh se në muajt e kaluar. Ne e dimë se jemi në Udhën e Kryqit e po ecim së bashku në të. Fola me meshtarin që shërben në Sumy, atë Olexandr Dyadya, i cili është edhe drejtor i Karitasit lokal. Ai më tregoi gjëra të jashtëzakonshme: pas sulmeve, njerëzit nuk u larguan nga qyteti, por bashkëpunuan për të dhënë ndihmë, për të pastruar rrugët, madje, edhe për t'u përgatitur për Pashkë. Pas sulmit, njerëzit nuk kanë frikë, por përkundrazi janë më të motivuar të qëndrojnë, të rezistojnë dhe të ndihmojnë në përballimin e pasojave. Është diçka e jashtëzakonshme, sepse çdo njeri do të thoshte: “Ik nga ky vend, ku duket se mbretëron vetëm vdekja”.
Por, jo! Kjo tregon se njerëzit reagojnë ndryshe para kësaj tragjedie, jo si ata që kanë frikë, por si ata që janë në gjendje ta mposhtin frikën falë besimit në Zot. Meshtari tregoi se këto dy raketa ranë saktësisht 200 metra larg selisë së Karitasit, ku punojnë 50 vetë. Të nesërmen të gjithë ishin aty, punonin, ndihmonin ata që kanë humbur shtëpitë, që janë në spitale, që kanë më shumë nevojë për mbështetje. Na shqetësojnë më shumë fëmijët” – vëren kryeipeshkvi, duke falënderuar Karitaset e huaja, që kanë organizuar kampe verore për ta, gjë që do t’i ndihmojë në planin psikologjik dhe shpirtëror.
Edhe në Ukrainë Krishti ringjallet, Ukraina jeton
E ndërsa përshkruan punën e Kishës greko-katolike në Ukrainë, që ka marrë një kuptim të ri, imzot Shevchuk u bën urimet për Pashkë të gjithë dëgjuesve të Radio Vatikanit e lexuesve të Vatican News. “Dua ta dini – nënvizon ai - se edhe në Ukrainë Krishti ringjallet, se Ukraina jeton. Jemi popull për udhë drejt Pashkëve përfundimtare të Krishtit. Me rastin e festës më të madhe të krishterë, e cila na kthen në burimin e fesë sonë, ju urojmë Pashkë të Shenjta. Ju urojmë këtë gëzim, që i tejkalon edhe lotët. Krishti i ringjallur është shëruesi ynë, ai na shëron plagët dhe e mposht vdekjen. Në kohën e Pashkëve, ta përshëndesim njëri-tjetrin duke thënë: "Krishti u ngjall!" e të përgjigjemi: "Me të vërtetë u ngjall!"