Kërko

Kard. Parolin: trashëgimia e Papës të jetë mëshira, që ia hap zemrën tjetrit

Në homelinë e Meshës për shpirtin e Papës Françesku, në të dytën e Nëntëditëshit të zisë, kardinali kujtoi se vetë Ati i Shenjtë ia përsëriti botës se "nuk mund të ketë kurrë paqe nëse nuk mësojmë ta falim njëri-tjetrin". Për të rinjtë e shumtë të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, ftesa për të besuar në shpresën e vërtetë, që është Jezu Krishti

R.SH. – Vatikan

 Një ditë me diell si dje, një turmë besimtarësh dhe shumë të rinj, rreth 200 mijë, që erdhën në Romë për Jubileun e Adoleshentëve. Edhe sot, në të dielën e dytë të Pashkëve, kushtuar Mëshirës Hyjnore, vazhdoi ai përqafim i njerëzve për Papën Françesku, që filloi me homazhet për të, në Bazilikën e Vatikanit, vazhdoi në Meshën e Dritës kremtuar të shtunën në mëngjes, si edhe në procesionin, që e shoqëroi deri në Bazilikën e Zojës së Madhe, ku u varros.

Në homelinë e tij, në meshën e dytë gjatë Nëntëditëshit të zisë për Papën, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, kardinali Pietro Parolin, u përqendrua në një tipar të magjisterit të Françeskut, në mëshirën që frymëzoi "veprimtarinë e tij intensive apostolike, së bashku me shqetësimin për t’ua shpallur atë të gjithëve, gjë që ishte programi i papnisë së tij". Mëshira, siç ka theksuar vazhdimisht Papa, “është vetë emri i Zotit” dhe askush nuk mund t’i vërë kufi dashurisë së Atit, i cili “dëshiron të na ngrejë sërish në këmbë dhe të na bëjë njerëz të rinj”.

“Dashuria jonë për të, e cila manifestohet në këto orë, nuk duhet të mbetet emocion i thjeshtë i momentit; trashëgiminë e Tij duhet ta bëjmë tonën dhe ta kthejmë në jetë të jetuar, duke ia hapur zemrën mëshirës së Zotit e duke u bërë edhe ne të mëshirshëm me njëri-tjetrin”.

  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Nuk ka paqe pa mëshirë

Kisha e Jezu Krishtit, theksoi kardinali Parolin, përbëhet nga dishepuj që kthehen në “mjete mëshire për njerëzimin”.

“Papa Françesku ishte dëshmitar i ndritur i një Kishe, që përkulet me butësi drejt të lënduarve dhe i shëron me balsamin e mëshirës; Ai na kujtoi se nuk mund të ketë paqe pa i pranuar të tjerët, pa u kushtuar vëmendje më të ligshtëve e, sidomos, nuk mund të ketë kurrë paqe nëse nuk mësojmë ta falim njëri-tjetrin, duke përdorur ndërmjet nesh të njëjtën mëshirë, që Zoti ka për jetën tonë”.

Një botë e re e lindur nga falja

Mëshira, theksoi ish-Sekretari i Shtetit të Vatikanit, është “zemra e fesë”, e cila na bën thirrje t’i rimendojmë marrëdhëniet tona me Zotin jo sipas kategorive njerëzore apo tokësore, “sepse lajmi i mirë i Ungjillit është, para së gjithash, zbulimi se duhemi nga një Zot, që ka brenda mëshirë dhe butësi për secilin prej nesh, pavarësisht nga meritat tona”. Që këtej, ftesa për t’i jetuar marrëdhëniet në frymën e dialogut me të tjerët, duke i falur për dobësitë dhe gabimet.

“Vetëm mëshira shëron, vetëm mëshira krijon një botë të re dhe shuan zjarret e mosbesimit, të urrejtjes dhe të dhunës: ky është mësimi i madh i Papës Françesku”.

  (Vatican Media)

Trishtim për vdekjen e Papës

Duke iu referuar Ungjillit të së Dielës së Mëshirës Hyjnore, ku pasqyrohet konfuzioni i apostujve pas vdekjes së Jezusit, i cili, më pas, u duket me dritën e Ringjalljes, kardinali vërejti se edhe sot, pasi Papa Françesku u nda nga kjo jetë, njerëzit përjetojnë të njëjtat ndjesi.

“Dhimbja për vdekjen e tij, ndjenja e trishtimit që na kaplon, shqetësimi që e ndiejmë në zemër, ndjenja e konfuzionit: edhe ne po i përjetojmë të gjitha këto, si apostujt, të cilëve u dhemb shpirti për vdekjen e Zotit”.

Gëzimi i Pashkëve në fytyrat e të rinjve

Në sprovë, na ndihmon gëzimi i Pashkëve; një gëzim, theksoi kardinali Parolin mes duartrokitjeve, që “sot, pothuajse mund të preket me dorë në këtë shesh; mund të shihet sidomos në fytyrat tuaja, të dashur të rinj dhe adoleshentë, që keni ardhur nga e gjithë bota për të kremtuar Jubileun”, iu referua ai Jubileut të Adoleshentëve, të cilit duhej t’i kushtohej mesha e paradites, por që pas vdekjes së Papës Bergoglio, u kremtua si meshë për shpirtin e tij, në praninë e mijëra fëmijëve e të rinjve nga e gjithë bota.

“Ju drejtoj një përshëndetje të veçantë, të cilën ua drejtoj edhe ipeshkvijve, që ju shoqëruan, meshtarëve, katekistëve, drejtuesve të grupeve tuaja. Një përshëndetje e veçantë, me dëshirën për t'ju bërë ta ndieni përqafimin e Kishës dhe dashurinë e Papës Françesku, i cili do të kishte dashur t'ju takonte, t'ju shikonte në sy, të kalonte midis jush për t'ju përshëndetur”.

  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Sytë te Jezusi, shpresa e vërtetë

Duke iu drejtuar të rinjve të shumtë të pranishëm, kardinali vuri në dukje se kanë përpara sfida si “ajo e teknologjisë dhe e inteligjencës artificiale, që e karakterizojnë në mënyrë të veçantë epokën tonë”. Por, ata kanë një aleat në këtë udhëtim, që është Jezu Krishti.

“Ai vjen t’ju takojë aty ku jeni, për t’ju dhënë guximin për të jetuar; guximin për të shkëmbyer përvojat, mendimet, dhuratat, ëndrrat tuaja; guximin për të parë në fytyrën e të afërmve, ose të të largtëve, një vëlla dhe një motër për t’u dashur, të cilëve keni kaq shumë për t’u dhënë dhe, në të njëjtën kohë, kaq shumë për të marrë; guximin për t’ju ndihmuar të jeni bujarë, besnikë dhe të përgjegjshëm në jetën që ju pret, si edhe për t’ju bërë të kuptoni se ç’ka më tepër vlerë në jetë: dashuria, që përfshin gjithçka dhe shpreson për gjithçka”.

Përqafimi i Françeskut

Në përfundim të homelisë, kardinali Parolin pati një mendim edhe për punonjësit dhe besimtarët e Shtet-Qytetit të Vatikanit, të cilët ruajnë në zemra kujtimin e gjallë të Françeskut, duke i falënderuar për shërbimin e tyre të përditshëm.

“Mbi ju, mbi të gjithë ne, mbi gjithë botën, Papa Françesku e shtrin përqafimin e tij nga Qielli”.

Së fundi, lutja për Zojën, me të cilën Papa ishte tejet i lidhur, “aq sa zgjodhi të pushonte në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe”. “Na mbroftë, ndërmjetësoftë për ne, mbikëqyrtë Kishën, mbështettë – përfundoi kardinali – rrugën e njerëzimit në paqe e vëllazërim”.

27 prill 2025, 12:24