Kërko

PALESTINIAN-ISRAEL-CONFLICT-RELIGION-CHRISTIANITY-PALM SUNDAY

Kard. Pizzaballa: të krishterë, mos kini frikë, Jeruzalemi do të jetë shtëpia e të gjithë popujve

Patriarku latin i Jeruzalemit, në mesazhin për procesionin e të Dielës së Larit, iu drejtua besimtarëve të Tokës Shenjte, të cilët nuk kanë frikë nga ata që duan ta përçajnë, ta përjashtojnë apo ta rrëmbejnë “shpirtin” e Qytetit Shenjt, pasi thirrja e tyre është “të ndërtojnë, të bashkojnë, të shembin muret, të shpresojnë kundër çdo shprese”

R.SH. - Vatikan

Zëri i të krishterëve në Tokën Shenjte, si i vendasve, ashtu edhe i shtegtarëve, u lartua sot nga Jeruzalemi, për të pohuar me forcë se nuk kanë frikë sepse, si “bij të dritës, të ringjalljes, të jetës”, jetojnë me shpresë dhe me besim se dashuria “fiton mbi gjithçka”. Kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriark Latin i Jeruzalemit, për procesionin e të Dielës së Palmave, u drejtoi një mesazh besimtarëve "nga Gaza në Nazaret; nga Betlehemi në Jenin", si dhe atyre të Jordanisë e të Qipros, të cilët - shkruan - luten me ne e hyjnë shpirtërisht me ne në Qytetin Shenjt, në vendet e të krishterëve, në Jeruzalem", për të pohuar "se janë në të njëjtat vende, ku u kryqëzua Jezusi" e se do të bashkohen me të gjithë ata “që sot e jetojnë mundimin e tyre këtu, mes nesh, e edhe në botë”.

Të krishterët nuk kanë frikë

Mundimet e Jezusit, vijon mesazhi, "nuk janë fjala e fundit e Zotit për botën", por edhe ringjallja, gjë që synojnë ta riafirmojnë të krishterët e Tokës Shenjte, të cilët e takuan atë. Bashkimi i të krishterëve, mbështetja dhe falja e njëri-tjetrit dëshmojnë se askush nuk do të jetë kurrë në gjendje t'i ndajë besimtarët "nga dashuria e Jezusit". Mesazhi është i qartë: të krishterët nuk kanë frikë nga ata që “duan të ndajnë”, nga ata që duan të “përjashtojnë” ose nga ata që duan t’ia “marrin shpirtin”  qytetit shenjt të Jeruzalemit, “sepse Jeruzalemi do të mbetet sot e përgjithmonë shtëpi lutjeje për të gjithë popujt dhe askush nuk do të mund ta zotërojë”. Të krishterët, si anëtarë të Qytetit Shenjt, nuk mund të ndahen kurrë prej tij, ashtu siç nuk mund të ndahen kurrë nga "dashuria e Krishtit", pasi ata, të cilët i përkasin atij, do të jenë gjithmonë "ndërmjet atyre që ndërtojnë, nuk rrënojnë; dinë t'i përgjigjen urrejtjes me dashuri dhe unitet dhe ta kundërshtojnë refuzimin me pranim".

Shpresë, kundër çdo shprese

Jeruzalemi - përfundon Imzot Pizzaballa - është vendi i vdekjes dhe i ringjalljes së Krishtit, vendi i pajtimit, i dashurisë që shpëton dhe që i kapërcen kufijtë e dhimbjes dhe të vdekjes".

Ndaj thirrja e të krishterëve është:

"Të ndërtojmë, të bashkojmë, t’i shembim muret, të shpresojmë kundër çdo shprese".

Është ftesë për të mos e humbur guximin, për të mos e humbur shpresën, për të mos patur frikë, por “për t’i lartuar sytë me besim”, duke përtërirë “angazhimin e sinqertë dhe konkret për paqen e bashkimin, me besim të patundur në fuqinë e dashurisë së Krishtit”.

14 prill 2025, 10:19