Kujtimi i Bartolomeut I për Papën Françesku, vëlla i çmuar në Krishtin
R. SH. – Vatikan
“Një vëlla i çmuar në Krishtin, me të cilin, që në momentin e parë të zgjedhjes në fronin papnor, krijova një miqësi vëllazërore dhe një bashkëpunim për të mirën e Kishave tona, për të mirën e njerëzimit. Gjatë këtyre dymbëdhjetë viteve të misionit të tij, mbeti një mik besnik, një shok, një mik i sinqertë i Ortodoksisë dhe i vëllezërve më të përvuajtur të Zotit”.
Kremtimi i 1700-vjetorit të Koncilit të Nikesë
Në këmbë, në sallën e fronit ekumenik, në audiencë me një delegacion të kryesuar nga kryeipeshkvi i Bari-Bitontos, imzot Giuseppe Satriano, Patriarku i Kostandinopojës, Bartolomeu I, i lidhur me miqësi të thellë me Papën Françesku, bëri dje një deklaratë të ndierë, në të cilën përshkoi shkurtimisht impenjimin e përbashkët për bashkimin e të krishterëve. “Kur në vitin 2014, me propozimin dhe nismën time, shkuam në Jerusalem, u lutëm në gjunjë pranë njëri-tjetrit para varrit të Zotit”, vërejti primati ortodoks, duke rrëfyer se gjatë bisedave të atyre ditëve në Tokën Shenjte, i propozoi Papës të kremtonin së bashku, në vitin 2025, 1700-vjetorin e Koncilit të parë Ekumenik në Nikea të Bitinies.
“Do të ishte një akt shumë i bukur dhe simbolik të shkojmë atje së bashku për të kremtuar këtë përvjetor historik dhe për të folur mbi rrugëtimin e mëtejshëm të Kishave tona simotra drejt Kelkut të përbashkët”, i pati thënë Papës Françesku, Bartolomeu.
Dëshira e Papës për të qenë i pranishëm në kremtime
E Ati i Shenjtë, gjithnjë sipas deklaratës së Patriarkut Ekumenik, u përgjigj: “Këto janë mendime, ide dhe propozime të mëdha. Shpresojmë të jemi mirë me shëndet dhe ta bëjmë këtë shtegtim në Nike. Përndryshe, nëse Zoti nuk do të na e lejojë, ta bëjnë pasardhësit tanë”.
Dëshirën për të qenë i pranishëm në kremtime, Papa ia shprehu disa herë, deri pak javë më parë, si Patriarkut Ekumenik, ashtu edhe primatëve të tjerë ortodoksë. Fjalë e ndjete, që sot marrin një kuptim të veçantë, prekës, pasi tingëllojnë si amanet. E vërtet, “vdekja e Papës Françesku nuk e shuan vullnetin për të vazhduar nismat e bashkëpunimit dhe të dialogut tashmë të filluara”, nënvizoi Patriarku Ekumenik Bartolomeu I.
Urgjenca e një date të vetme për Pashkët e krishtera
Kreu i selisë së Kostandinopojës përsëriti "urgjencën e një date të vetme për Pashkët" e krishtera, duke bërë thirrje që 1700-vjetori i Koncilit të Nikesë të jetohet “jo si kujtesë historike, por si shtysë në udhën ekumenike, drejt së vërtetës së përbashkët". Një mendim edhe për Shën Gjergjin – ditën e emrit të Papës Françesku - që kremtohet sot, “simbol i bashkëjetesës ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve”. Kalorësi, që mundi kuçedrën (simbol i djallit) nderohet si Megalomartir nga Kishat Lindore dhe si profet nga myslimanët, gjë që e bën atë një figurë uniteti dhe dialogu. Emri Gjergj (Jorge) i përshtatej më së miri Papës Jorge Mario Bergoglio, i cili e bëri dialogun stil të papnisë së tij.