Kërko

Kardinali Ernest Simoni me presidentin Bajram Begaj e me kryeipeshkvin metropolit të Tiranë-Durrësit, imzot Arjan Dodaj Kardinali Ernest Simoni me presidentin Bajram Begaj e me kryeipeshkvin metropolit të Tiranë-Durrësit, imzot Arjan Dodaj

Papa, kryeipeshkvi i Firences: pjesëmarrja e shqiptarëve, fryt i dialogut ndërfetar

Mbërritëm në Bazilikën e Shën Pjetrit së bashku me kardinalin Ernest Simoni për t'i bërë homazhe Papës Françesku - tregon imzot Gambelli. - Këtu takuam Presidentin e Republikës së Shqipërisë, të shoqëruar nga një delegacion ndërfetar, ku bënin pjesë kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit, krerë të Kishave të tjera të krishtera dhe krerët e bashkësive myslimane të Shqipërisë. Edhe nga kjo pjesëmarrje mund të shohim frytet e magjisterit të Papës, aftësinë e tij për të favorizuar dialogun me të gjithë

R.SH. - Vatikan

"Kremtimi i funeralit të Papës Françesku ishte çast shumë emocionues lutjeje, me pjesëmarrjen e shumë ipeshkvijve, që erdhën nga e gjithë bota. U preka dhe dua të kujtoj në veçanti fjalët e homelisë së kardinalit Giovanni Battista Re, i cili nënvizoi se mëshira është në qendër të magjisterit të Papës Françesku, zemra pulsante e Ungjillit. Gjithashtu, përmendi edhe përkushtimin e tij për dialogun ndërfetar, me udhëtimin në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe nënshkrimin e dokumentit mbi 'Vëllazërimin Njerëzor për Paqen Botërore dhe Jetën e Përbashkët', ose me udhëtimin e tij në Irak. Fjalët e Papës për paqen kanë qenë gjithnjë shumë të fuqishme, thoshte se lufta e lë gjithmonë botën më keq se më parë, se luftërat janë gjithmonë disfatë. Të gjithëve ne, që ruajmë kujtimin e Tij, na takon një impenjim konkret për paqen".

Ky, mendimi i kryeipeshkvit të Firences, imzot Gherardo Gambelli, në fund të Meshës së djeshme të Dritës për Papës Françesku. Në funeralin e kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, po nga Firence, erdhën edhe kardinali Giuseppe Betori dhe kardinali shqiptar Ernest Simoni, të dy të inkardinuar në dioqezën italiane.

Delegacioni i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë në meshën e Dritës për Papën Françesku
Delegacioni i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë në meshën e Dritës për Papën Françesku

“Pata përshtypjen se ishte pothuajse një provë gjenerale për një Koncil”, deklaroi kryeipeshkvi i Firences. "Po përgatitemi për Asamblenë kishtare të vitit 2028 dhe kjo na predispozon edhe për një Koncil të ri, që mund të jetë vërtet një moment i çmuar dhe i rëndësishëm për ta jetuar me një besnikëri më të madhe Ungjillin, gjë që Papa Françesku na e ka mësuar gjatë gjithë këtyre viteve".

“Më 25 prill - shtoi kryeipeshkvi Gambelli - mbërritëm pasdite në Bazilikën e Shën Pjetrit së bashku me kardinalin Ernest Simoni për t'u lutur dhe për t'i bërë homazhe Papës Françesku. Këtu takuam Presidentin e Republikës së Shqipërisë, të shoqëruar nga një delegacion ndërfetar, ku bënin pjesë kryeipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit, krerë të Kishave të tjera të krishtera dhe krerët e bashkësive myslimane të Shqipërisë. Ishte çast intensiv: edhe nga kjo pjesëmarrje mund të shohim frytet e magjisterit të Papës, aftësinë e tij për të favorizuar dialogun me të gjithë”.

27 prill 2025, 16:21