Thirrje për të ungjillëzuar online: Jubileu për misionarët dixhitalë
R.SH. – Vatikan
Kremtimi së bashku, përgjegjësimi dhe frymëzimi i atyre, që ungjillëzojnë në botën dixhitale: ky është synimi i Jubileut të Misionarëve dhe të Influencer-ve (Ndikuesve) Dixhitalë Katolikë, i cili do të mbahet të hënën më 28 dhe të martën më 29 korrik 2025 në Romë. Pikërisht për këtë ngjarje, ekipi organizator ka aktivizuar një faqe zyrtare në internet ku gjithëkush mund të shohë të gjitha informacionet, të mësojë për mënyrën e pjesëmarrjes dhe të regjistrohet (kliko këtu për t'u regjistruar).
Ky jubile nuk është thjesht një kremtim. Është mundësi unike për t’i bashkuar ata që, nëpërmjet platformave dixhitale, shpallin Ungjillin me krijimtari dhe përkushtim. Do të jetë hapësirë për të shkëmbyer përvojën, për të mësuar dhe për të ripërtërirë së bashku angazhimin, që çon dritën e Krishtit në skajet më të largëta të internetit - veçanërisht ndër ata që, për arsye të ndryshme, nuk mund t'i afrohen Kishës personalisht.
Shumë nisma për Jubileun
Programi do të fillojë të hënën, më 28 korrik, me një meshë mirëseardhjeje dhe me hapjen e veprimtarive. Gjatë ditës, janë parashikuar tre seminare mbi aspekte të ndryshme të ungjillëzimit dixhital, që do t’u japin mundësi pjesëmarrësve të mësojnë mjete të reja për të përforcuar shërbimin e tyre online. Dita do të kulmojë me një vigjilje lutjeje dhe me një liturgji pendestare në Bazilikën e Shën Pjetrit, në shenjë ripërtëritjeje shpirtërore dhe bashkimi me Kishën universale. Të martën, më 29 korrik, ungjillëzuesit do të shkojnë në shtegtim për të kapërcyer Portën Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit, ku do të marrin pjesë në kremtimin eukaristik. Pasdite, do të zhvillohet veprimtaria dixhitale “Misionarët e Shpresës online”, i cili do të përpiqet të çojë mesazhin e Jubileut përtej Romës, duke u dhënë mundësi shumë të tjerëve – edhe atyre, që nuk mund të marrin pjesë personalisht – të bashkohen me këtë moment hiri dhe misioni të përbashkët. Në të njëjtën frymë, Kishat lokale në mbarë botën inkurajohen të organizojnë veprimtari të njëkohshme, duke krijuar një rrjet global ungjillëzimi, që ecën së bashku, si duke e parë tjetrin në sy, ashtu edhe duke u takuar me të në botën dixhitale.
Kremtimi i krijimtarisë
Festivali i Influencer-ve Katolikë, i planifikuar për në orën 19.00, të martën, do të jetë kulmi i kësaj përvoje, me në qendër krijimtarinë, larminë dhe dëshminë e atyre, që shpallin fenë në kontinentin dixhital. Organizatorët kanë menduar për një sërë takimesh mujore në Zoom, të shtunën e parë të çdo muaji, ndërmjet marsit dhe qershorit, në orën 16.00 (me orën në trevat shqiptare), për të shkuar të përgatitur në ditët e Jubileut. Këto hapësira shkëmbimi do t’u japin mundësi misionarëve dixhitalë të paraqesin ide e dyshime, që kërkojnë zgjidhje dhe, të krijojnë së bashku rrugën drejt Jubileut.
Sipas fjalëve të Sekretarit të Dikasterit për Komunikimin, imzot Lucio Adrián Ruiz, ky proces është themelor që askush të mos përjashtohet: ky Jubile është "për të gjithë, për të gjithë, për të gjithë". Nuk është nismë e rezervuar për një grup të vogël, por një takim i hapur, me pjesëmarrje të gjerë dhe thellësisht sinodal, në sintoni me zemrën e Ungjillit dhe me thirrjen e Papës Françesku për të qenë Kishë në lëvizje, edhe në botën dixhitale.