Kërko

Papa, Jezusi na mëson dashurinë: "ai që do jeton, ai që urren vdes"

Në katekezën gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit, kremtuar sot në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa komenton Ungjillin e Lukës që na tregon paraqitjen e Jezusit në Tempull: “Si dielli që lind mbi botë, ky fëmijë do ta shpengojë atë nga errësira e së keqes, dhimbjes dhe vdekjes”

R.SH. - Vatikani

“Jezusi është shpëtimi; Jezusi është drita; Jezusi është një shenjë e kontradiktës”. Në katekizmin e sotëme të lutjes së Engjëllit të Zotit, kremtuar në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, 2 shkurt, Papa Françesku fillon reflektimin e tij nga këto tre “mënyra të bukura që Simeoni përdor për të përcaktuar Jezusin ndërsa e mban në krahë brenda Tempullit në Jerusalem.

Ungjilli i liturgjisë së sotme nga Luka (Lk 2,22-40) na flet për Marinë dhe Jozefin që e çojnë foshnjën Jezus në tempullin e Jeruzalemit - tregon sakaq Papa - Sipas ligjit, e paraqesin në banesën e Atit, për të na kujtuar se jeta vjen nga Zoti. E ndërsa Familja Shenjte bën atë, që populli i Izraelit e ka bërë gjithmonë, brez pas brezi, ndodh diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë.

Një ngjarje e padëgjuar

Dy pleq, Simeoni dhe Ana, profetizojnë për Jezusin - kujtoi në vijim Papa Françesku -  lavdërojnë Hyjin dhe u flasin për fëmijën "të gjithë atyre që kërkonin shpengimin e Jeruzalemit" (v. 38). Zërat e tyre të dridhshme kumbojnë ndërmjet gurëve të vjetër të Tempullit, duke njoftuar përmbushjen e pritshmërive të Izraelit:

“Zoti është vërtet i pranishëm mes popullit të tij: jo sepse jeton brenda katër mureve, por sepse jeton si njeri mes njerëzve. Në pleqërinë e Simeonit dhe Anës, ndodh diçka e re që ndryshon historinë e botës”.

Nga ana e tyre, Maria dhe Jozefi "mbetën të habitur nga ajo që u tha" për Jezusin (v. 33). Kur Simeoni e merr ngrykë fëmijën, e thërret në tri mënyra të bukura, të cilat meritojnë reflektim:

“Jezusi është shpëtimi; Jezusi është drita; Jezusi është shenjë kontradiktore”.

Para së gjithash, ky fëmijë është shpëtimi. Kështu thotë Simeoni, duke iu lutur Hyjit: “Sytë e mi panë shpëtimin tënd, që ti e përgatite në sytë e të gjithë popujve” (v. 30-31). Kjo na mahnit gjithmonë: shpëtimi universal i përqendruar në një të vetëm! Po, sepse në Jezusin banon gjithë plotësia e Zotit, e Dashurisë së tij (shih Kol 2:9).

Jezusi,"dritë e zbulesës për johebrenjtë"

Aspekti i dytë: Jezusi është "dritë zbulese për johebrenjtë" (v. 32). Ashtu si dielli që lind mbi botën, ky fëmijë do ta shpengojë atë nga errësira e së keqes, e dhimbjes, e vdekjes.

“Sa shumë kemi nevojë për këtë dritë, edhe sot!”.

Jezusi, shenjë kontradikte

Së fundi, foshnja e përqafuar nga Simeoni, është shenjë kontradikte "që të mund të zbulohen mendimet e shumë zemrave" (v. 35). Jezusi zbulon kriterin për të gjykuar të gjithë historinë dhe dramën e saj, si dhe jetën e secilit prej nesh. Ky kriter është dashuria: ai që do, jeton; ai që urren, vdes!

Çka pres nga jeta?

Të ndriçuar nga takimi me Jezusin, atëherë mund të pyesim veten: çfarë pres nga jeta ime? Cila është shpresa ime e madhe? A dëshiron zemra ime të shoh fytyrën e Zotit? A e pres dukjen e planit të Tij të shpëtimit për njerëzimin?

Pikëpyetje, që presin nga ne edhe përgjigjen. 

“T’i lutemi së bashku Marisë, nënës më të pastër, që të na shoqërojë në dritëhijet e historisë, drejt Zotit.

02 shkurt 2025, 14:06

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >