Kërko

Tymi i bardhë mbi Vatikan kur u zgjodh Papa Françesku Tymi i bardhë mbi Vatikan kur u zgjodh Papa Françesku

Çfarë ndodh pasi Papa ndahet nga kjo jetë?

Vdekja e një Pape shënon fillimin e një sërë ngjarjesh, që çojnë drejt Konklavit dhe drejt zgjedhjes së Pasardhësit të ri të Shën Pjetrit. Në këtë artikull, përshkruhen hapat drejt zgjedhjes së një Pape të ri

R.SH. – Vatikan

Vdekja e një Pape vë në lëvizje një zinxhir ngjarjesh – tradita, që shënojnë momentet nga vdekja e Papës dhe funerali i tij deri në fillimin e Konklavit dhe në zgjedhjen e pasardhësit. Por çfarë ndodh në të vërtetë në Vatikan gjatë kësaj “Sede Vacante”, ose "Seli Vakante"?

Ndryshimet kryesore të vitit 1996: “Universi Dominici Gregis”

E shpallur nga Papa shenjt Gjon Pali II më 22 shkurt 1996, në Solemnitetin e Katedrës së Shën Pjetrit, Kushtetuta Apostolike “Universi Dominici Gregis” rishikoi dhe përditësoi normat në fuqi deri atëherë, lidhur me trashëgiminë apostolike në Selinë e Shën Pjetrit, e cila, më parë, ndiqte rregullat e përcaktuara nga Kushtetuta Apostolike “Romano Pontifici Eligendo” (1975) e Papës shenjt Pali VI.

Dokumenti ndahet në dy pjesë:

- E para përmban normat mbi Selinë Vakante, pra, mbi periudhën ndërmjet fundit të mbarështimit të Kishës nga Papa i ndjerë dhe zgjedhjes së pasardhësit të tij.

- E dyta përshkruan procedurat për përgatitjen dhe zgjedhjen e Papës së Romës.

Rishikimi i këtyre normave u motivua nga "ndërgjegjësimi për situatën e ndryshuar në të cilën jeton Kisha sot dhe nga nevoja për të marrë parasysh rishikimin e përgjithshëm të së drejtës kanonike... frymëzuar nga Koncili II i Vatikanit. ...Në formulimin e normave të reja, duke marrë parasysh nevojat e kohës sonë, jam kujdesur të mos devijoj në thelb nga tradita e urtë dhe e nderuar, ndjekur deri më sot", shkruan Gjon Pali II. (f. 4-5 UDG)

Kushtetuta konfirmon pjesërisht rregulloret para-ekzistuese për zgjedhjen e Papës së ri.

Pikat kryesore

Kolegji i Kardinajve mbetet organi përgjegjës për zgjedhjen e Papës, duke ndjekur një traditë mijëvjeçare të sanksionuar në norma kanonike të mirëpërcaktuara:

“Nëse, me të vërtetë, është doktrinë feje që pushteti i Atit të Shenjtë Papë rrjedh drejtpërdrejt nga Krishti, Vikari i të cilit ai është mbi tokë, është gjithashtu përtej çdo dyshimi se një pushtet i tillë suprem në Kishë i atribuohet atij nëpërmjet një zgjedhjeje legjitime, të pranuar prej tij, së bashku me shugurimin ipeshkvnor”. (f. 5 UDG)

Në datën e 21 prillit 2025, Kolegji kishte 135 kardinaj me të drejtë vote (“Universi Dominici Gregis” vendos një limit prej 120), 108 prej të cilëve u emëruan nga Papa Françesku, dhe 117 pa të drejtë vote.

Ata, që mbushin 80 vjeç në ditën e fillimit të Sede Vacante, janë të përjashtuar nga votimet. Megjithatë, kardinajtë mbi 80 vjeç mund të marrin pjesë në takimet përgatitore (Kongregacionet e Përgjithshme, që i paraprijnë zgjedhjes).

Kolegji i Zgjedhësve përbëhet ekskluzivisht nga kardinaj:

“Në ta, pothuajse në një sintezë të mrekullueshme, shprehen dy aspektet, që karakterizojnë figurën dhe detyrën e Papës Romak: Romak, sepse ai identifikohet si Ipeshkvi i Kishës në Romë dhe, për këtë arsye, në marrëdhënie të ngushtë me klerin e këtij qyteti, të përfaqësuar nga kardinajtë me titull presbiteral dhe diakonal të Romës, si edhe nga kardinajtë ipeshkvij të Selive suburbikare (pra, periferike); Papë i Kishës Universale, sepse ai është i thirrur të përfaqësojë dukshëm Bariun e padukshëm, që e udhëheq të gjithë grigjën në kullotat e jetës së amshuar. Gjithashtu, universaliteti i Kishës përfaqësohet mirë në vetë përbërjen e Kolegjit të Kardinajve, ku bëjnë pjesë anëtarë nga çdo kontinent” (f. 6 UDG).

Konklavi, si "institucion i lashtë", konfirmohet si vendi për zgjedhjen e Papës së ri. Gjon Pali II riafirmoi strukturën e tij thelbësore dhe vendosi që të gjitha procedurat zgjedhore të zhvillohen ekskluzivisht në Kapelën Sikstine të Pallatit Apostolik. Ashtu si në të kaluarën, pranohet nevoja për ta mbrojtur zgjedhjen e Papës Romak nga ndikimet e jashtme dhe për t'ia besuar atë një organi zgjedhor të kualifikuar dhe të paracaktuar. Procedurat e Konklavit synojnë jo vetëm të sigurojnë lirinë, por edhe të garantojnë pavarësinë e gjykimit të çdo kardinali zgjedhës, duke i mbrojtur ata nga kurioziteti i tepërt dhe nga presionet e papërshtatshme.

Kushtetuta “Universi Dominici Gregis” bëri tre ndryshime kryesore:

1. Gjatë gjithë kohëzgjatjes së zgjedhjeve, rezidenca e kardinajve zgjedhës dhe e atyre, që sigurojnë zhvillimin e duhur të zgjedhjeve, është në Shtëpinë e Shën Martës në Qytetin e Vatikanit (f.42 UDG). Më parë, kardinajve nuk u lejohej të largoheshin nga Kapela Sikstine gjatë gjithë kohëzgjatjes së procesit të votimit.

2. Kardinajtë zgjedhës mund t’i shprehin votat për zgjedhjen e Papës vetëm përmes një votimi të fshehtë (f. 9 UDG). Kjo shfuqizoi mundësitë, që jepnin rregulloret e mëparshme për zgjedhjen me aklamacion, ose me frymëzim (quasi ex inspiratione), të cilat u konsideruan jo më të përshtatshme për të pasqyruar mendimet e një organi zgjedhor kaq të gjerë dhe të larmishëm. U shfuqizua edhe zgjedhja me kompromis (per compromissum) si e vështirë për t'u zbatuar, pasi mund të çonte edhe në një lloj papërgjegjësie ndërmjet zgjedhësve, të cilët, në këtë rast, nuk ishin të detyruar të shprehnin një votë personale (f. 9 UDG). Sipas kësaj metode zgjedhjeje, nëse disa turne votimi nuk arrinin të propozonin një kandidat me shumicën e kërkuar, kardinajtë zgjedhës mund të binin dakord unanimisht për një kompromis, duke miratuar një kriter të ndryshëm shumice.

3. Përsa i përket numrit të votave të kërkuara për zgjedhjen e vlefshme të Papës së ri, paragrafi 75 i “Universi Dominici Gregis”, fillimisht, përcaktonte se pas votimit të 33-të ose të 34-të, nëse nuk arrihej konsensusi, për votimet e ardhshme mjaftonte arritja e shumicës absolute (50+1%). Por, kjo dispozitë u ndryshua nga Papa Benedikti XVI nëpërmjet Motu Proprio-s “Aliquibus mutationibus in normis de electione Romani Pontificis”, nënshkruar më 11 qershor 2007 dhe miratuar më 26 qershor të atij viti. Papa i nderit ktheu rregullin tradicional për zgjedhjen e vlefshme të Papës së ri, me një shumicë e kualifikuar prej dy të tretash të votave.

Selia Vakante

Termi "Sede Vacante" (Selia Vakante, pra, e lirë, nga latinishtja) i referohet periudhës ndërmjet fundit të mbarështimit të Kishës Katolike nga një Papë dhe zgjedhjes së pasardhësit të tij. Kjo periudhë rregullohet nga Kushtetuta Apostolike "Universi Dominici Gregis", publikuar nga Papa shenjt Gjon Pali II më 22 shkurt 1996.

Kush e "administron" Selinë Vakante?

Sipas dispozitave, gjatë kohës që Selia Apostolike është vakante, mbarështimi i Kishës i besohet Kolegjit të Kardinajve. Megjithatë, autoriteti i tyre kufizohet vetëm në trajtimin e çështjeve të zakonshme, ose urgjente dhe në përgatitjen për zgjedhjen e Papës së ri. Kolegji i Kardinajve merr përsipër të gjitha detyrat e pushtetit civil të Papës lidhur me qeverisjen e Qytetit të Vatikanit. Megjithatë, ai nuk ka juridiksion mbi çështjet ekskluzivisht prerogativë e Papës, gjatë jetës së tij.

Çfarë ndodh me krerët e Kuries Romake gjatë Selisë Vakante?

Me vdekjen e Papës, të gjithë krerët e Dikastereve të Kuries Romake japin dorëheqjen me disa përjashtime, që synojnë ruajtjen e funksionimit të rregullt të Vatikanit.

Ata që i mbajnë detyrat e tyre janë: Kardinali Kamerleng (Kardinali Kevin Farrell), i cili ka detyrën e mbikëqyrjes dhe administrimit të të mirave dhe të drejtave tokësore të Selisë Apostolike gjatë kohës së Selisë Vakante; Kryependestari (Kardinali Angelo De Donatis); Vikari i Përgjithshëm për Dioqezën e Romës (Kardinali Baldassare Reina); Kryeprifti i Bazilikës së Vatikanit, njëkohësisht, Vikar i Përgjithshëm për Qytetin e Vatikanit (Kardinali Mauro Gambetti); Lëmoshtari i Shenjtërisë së Tij (Kardinali Konrad Krajewski); Zëvendësi për Çështjet e Përgjithshme të Sekretarisë së Shtetit (Kryeipeshkvi Edgar Peña Parra); Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet (Kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher); si edhe Mjeshtri i Kremtimeve Liturgjike Papnore (Kryeipeshkvi Diego Giovanni Ravelli). Mbeten në detyrë edhe Sekretarët e Dikastereve.

Çfarë bën Kolegji i Kardinajve gjatë Selisë Vakante?

Gjatë Selisë Vakante, Kolegji i Kardinajve (të cilët mblidhen të gjithë në Romë, përveç rasteve kur i pengon shëndeti i keq) mblidhet në dy lloje Kongregacionesh (mbledhjesh apo asamblesh) Kardinalore:

1. Kongregacione të Përgjithshme: në to merr pjesë i gjithë Kolegji Kardinalor (duke përfshirë kardinajtë mbi moshën e lejuar (80 vjeç) për zgjedhjen e Papës së ri). Këto Kongregacione të Përgjithshme mbahen në Pallatin Apostolik dhe kryesohen nga Dekani i Kolegjit (Kardinali Giovanni Battista Re). Nëse Dekani dhe zv.Dekani nuk janë në gjendje të kryesojnë, e merr përsipër detyrën kardinali më i vjetër me të drejtë vote.

2. Kongregacione të Veçanta. Këto përbëhen nga:

- Kardinali Kamerleng i Kishës së Shenjtë Romake dhe nga tre kardinaj, një nga secili Urdhër (ipeshkvnor, meshtarak, diakonal), të zgjedhur me short nga kardinajtë me të drejtë vote;

- Tre kardinajtë ndihmës të Kamerlengut shërbejnë për tri ditë, pas të cilave zëvendësohen nga tre të tjerë përmes një përzgjedhjeje të re me short. Ky proces vazhdon edhe gjatë zgjedhjes së Papës;

- Kongregacioni i Veçantë merret me punët e përditshme të zakonshme, ndërsa çështjet më serioze duhet t'i referohen Kongregacionit të Përgjithshëm.

Cilat janë vendimet më urgjente, që merren nga Kongregacionet e Përgjithshme?

Kongregacionet e Përgjithshme (të mbajtura para fillimit të procesit zgjedhor) duhet të diskutojnë menjëherë mbi vendimet kryesore të mëposhtme (duke përjashtuar procedurat, që lidhen me vdekjen e Papës):

- Të përgatisin pritjen e kardinajve në Domus Sanctae Marthae dhe të përshtasin Kapelën Sikstine për procedurat zgjedhore;

- T’u caktojnë dy klerikëve të shquar dhe me autoritet moral detyrën e dy reflektimeve për kardinajtë mbi sfidat aktuale të Kishës dhe zgjedhjen e Papës së ri, si edhe të caktojnë datën për këto reflektime;

- Të shkatërrojnë Unazën e Peshkatarit dhe Vulën e Plumbit të përdorura nga Papa i ndjerë;

- Të caktojnë datën dhe orën për fillimin e procesit të votimit.

Çfarë ndodh menjëherë para fillimit të zgjedhjeve?

Zgjedhjet paraprihen nga një kremtim solemn eukaristik me meshën kushtimore “Pro Eligendo Papa”, në të cilën marrin pjesë kardinajtë me të drejtë vote. Pasdite, kardinajtë zgjedhës vazhdojnë me një procesion solemn drejt Kapelës Sikstine, ku fillon Konklavi për zgjedhjen e Papës së ri.

Në fund të procesionit, brenda Kapelës Sikstine, çdo kardinal zgjedhës bën betimin, siç përcaktohet në paragrafin 53 të “Universi Dominici Gregis”. Përmes këtij betimi, ata zotohen, nëse zgjidhen, të përmbushin me besnikëri Munus Petrinum (shërbesën pjetrine) si Barinj të Kishës Universale. Gjithashtu, zotohen të ruajnë sekretin absolut për gjithçka lidhet me zgjedhjen e Papës Romak dhe të mos mbështesin asnjë përpjekje për ndërhyrje të jashtme në zgjedhje.

Më pas, Mjeshtri i Kremtimeve Liturgjike Papnore shpall “extra omnes”, që do të thotë se të gjithë individët, të cilët nuk marrin pjesë në Konklav, duhet të largohen nga Kapela Sikstine. Mbeten vetëm Mjeshtri dhe kleriku i caktuar për të mbajtur meditimin e dytë. Ky meditim ka të bëjë me përgjegjësinë e rëndë, që bie mbi zgjedhësit dhe me domosdoshmërinë për të vepruar për të mirën e Kishës Universale, duke mbajtur vetëm Zotin para syve (paragrafi 52).

Pasi të mbarojë meditimi, si kleriku ashtu edhe Mjeshtri i Kremtimeve Liturgjike Papnore largohen. Kardinajtë zgjedhës thonë lutjet sipas “Ordo Sacrorum Rituum Conclavis” dhe dëgjojnë kardinalin Dekan, i cili i pyet nëse janë gati të votojnë apo u nevojiten sqarime lidhur me rregullat dhe procedurat e përcaktuara në “Universi Dominici Gregis”.

Masat e sigurisë dhe parandalimi i ndërhyrjeve të jashtme

Të gjitha procedurat zgjedhore zhvillohen ekskluzivisht në Kapelën Sikstine, brenda Pallatit Apostolik të Vatikanit, i cili mbetet plotësisht i mbyllur deri në përfundimin e zgjedhjeve.

Kushtetuta Apostolike e Papës shenjt Gjon Pali II thekson nevojën për të siguruar sekretin e plotë për gjithçka ndodh gjatë Konklavit dhe për çdo gjë, që lidhet drejtpërdrejt, ose tërthorazi, me zgjedhjen e Papës. Dokumenti jep hollësitë e të gjitha masave paraprake për të garantuar konfidencialitetin dhe për të parandaluar ndërhyrjet e jashtme (paragrafët 51-61).

Gjatë gjithë procesit zgjedhor, kardinajtë zgjedhës nuk lejohen të dërgojnë letra, ose të bëjnë biseda, përfshirë telefonatat, përveç rasteve urgjente të jashtëzakonshme. Ata nuk lejohen të dërgojnë, ose të marrin mesazhe të çdo lloji, të lexojnë gazeta a revista të çdo natyre, ose të ndjekin transmetime radiofonike a televizive.

Numri i votave të kërkuara dhe shumica e nevojshme për zgjedhje

Për të zgjedhur në mënyrë të vlefshme një Papë të ri, kërkohet një shumicë prej dy të tretash të votave të zgjedhësve të pranishëm. Nëse numri i përgjithshëm i zgjedhësve nuk është i pjesëtueshëm me tre, është i nevojshëm një votim shtesë (paragrafi 62 i Universi Dominici Gregis). Nëse zgjedhja e Papës fillon pasditen e ditës së parë të Konklavit, votohet vetëm një herë. Në ditët e mëvonshme, mbahen dy votime paradite dhe dy pasdite.

Procedurat për votim përshkruhen me hollësi në Kushtetutën “Universi Dominici Gregis”, ku përfshihen edhe dispozitat për zgjedhësit e sëmurë, të cilët votojnë nga dhomat e tyre në Domus Sanctae Marthae. Pasi numërohen votat, të gjitha fletët e votimit digjen.

Çfarë ndodh nëse nuk arrihet shumica e kërkuar?

Nëse pas tri ditësh votimi zgjedhësit nuk arrijnë marrëveshjen për një kandidat, parashikohet një pushim deri në një ditë për lutje, diskutim të lirë ndërmjet votuesve dhe këshillim të shkurtër shpirtëror me kardinalin Protodiakon (Kardinali Dominique Mamberti). Votimi rifillon dhe, nëse pas shtatë votimesh të tjera, nuk zgjidhet ende Papa i ri, bëhet një pushim tjetër. Ky proces përsëritet pas shtatë votimesh të tjera të pasuksesshme. Në këtë pikë, Kamerlengu konsultohet me kardinajtë për mënyrën e vijimit të Konklavit.

Është e rëndësishme të theksohet se neni 75 i “Universi Dominici Gregis” u ndryshua nga Motu Proprio i Papës Benedikti XVI më 26 qershor 2007, i cili ktheu rregullin tradicional, që, për zgjedhjen e vlefshme të Papës së ri, kërkon një shumicë prej dy të tretash të votuesve të pranishëm. Ky rregull u konfirmua edhe në Motu Proprio-n e Papës Benedikti XVI, më 25 shkurt 2013, ku sqarohet se votat duhet të llogariten në bazë të zgjedhësve të pranishëm, që votojnë.

Çfarë ndodh menjëherë pasi zgjidhet Papa i ri?

Sapo të ketë përfunduar zgjedhja e Papës së ri, i fundit nga kardinajtë Diakonë thërret Sekretarin e Kolegjit të Kardinajve dhe Mjeshtrin e Kremtimeve Liturgjike Papnore në Kapelën Sikstine.

Dekani i Kolegjit, në emër të të gjithë zgjedhësve, kërkon pëlqimin e kandidatit të zgjedhur me fjalët e mëposhtme: "A e pranoni zgjedhjen tuaj kanonike si Papë?" Pas marrjes së pëlqimit, pyet: "Me çfarë emri dëshironi të quheni?" Funksionet e noterit, me dy Zyrtarë Ceremonierë si dëshmitarë, kryhen nga Mjeshtri i Kremtimeve Liturgjike Papnore, i cili harton dokumentin e pranimit dhe regjistron emrin e zgjedhur.

Nga ky çast, kandidati i zgjedhur fiton autoritet të plotë dhe suprem mbi Kishën universale. Konklavi përfundon menjëherë. Kardinajtë zgjedhës i shprehin nderimin dhe i premtojnë bindje Papës së sapozgjedhur, duke falënderuar Zotin.

Kardinali Protodiakon u njofton besimtarëve zgjedhjen dhe emrin e Papës së ri me shprehjen e famshme: “Annuntio vobis gaudium magnum; Habemus Papam”. Menjëherë pas kësaj, Papa i ri jep Bekimin Apostolik Urbi et Orbi nga Lozha e Bazilikës së Shën Pjetrit (UDG f. 87-91).

Hapi i fundit, që kërkohet nga Kushtetuta, parashikon që, pas ceremonisë solemne të përurimit të papnisë, brenda një kohe të përshtatshme, Papa i ri të hyjë zyrtarisht në Kryebazilikën Patriarkale të Shën Gjonit në Lateran, sipas ritit të caktuar.

25 prill 2025, 18:23