Papa: të mos ndjekim iluzionet e botës, të vrapojmë drejt Krishtit
R.SH. / Vatikan
Krishti i ngjallur “fshihet dhe zbulohet te motrat dhe vëllezërit që takojmë”, në “situatat më anonime dhe të paparashikueshme të jetës sonë” dhe “në jetën e përditshme”, prandaj “duhet të lëvizim, të dalim ta kërkojmë”. Ky është nxitja e Papës drejtuar besimtarëve në predikimin e tij për Meshën së Dielës së Pashkëve 2025, kremtuar sot më 20 Prill. Liturgjia solemne, e kremtuar sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, u kryesua nga Kardinali Angelo Comastri, Vikar i Përgjithshëm Nderi për qytetin e Vatikanit dhe Kryeprift Nderi i Bazilikës së Shën Pjetrit, deleguar nga Papa Françesku. Në fund të predikimit të tij, kardinali Comastri falënderoi Papën për këtë "ftesë të fortë për të rizgjuar besimin tonë".
Nën një qiell pranveror, mbi 35 mijë besimtarë, nga vende të ndryshme të botës, janë mbledhur mes kolonadave të Berninit, në Sheshin e Vatikanit. Mes tyre ishte edhe kryeministri kroat Andrej Plenkoviq dhe një delegacion nga Holanda. Si çdo vit, Sheshi Shën Pjetrit përballë Bazilikës së Vatikanit u dekorua me lule e bimë të të gjitha llojeve dhe ngjyrave për Javën e Shenjtë të Pashkëve. Meqenëse sivjet të krishterët e Lindjes dhe Perëndimit festojnë Pashkët në të njëjtën ditë, Ungjilli u shpall në greqisht dhe latinisht. U kënduan edhe këngët e Pashkëve nga liturgjia bizantine, të cilat dikur këndoheshin para Papës në ditën e Pashkëve”.
Në vijim
HOMELIA E ATIT TË SHENJTË
Mesha e Ditës së Pashkëve
20 prill 2025
Maria Magdalenë, duke parë se guri i varrit ishte rrokullisur, vrapoi t'i tregonte Pjetrit dhe Gjonit. E të dy dishepujt, pasi morën lajmin tronditës, dolën - thotë Ungjilli - “e vrapuan të dy bashkë” (Gjn 20:4). Protagonistët e tregimeve të Pashkëve vrapojnë të gjithë! E ky “vrapim”, shpreh, nga njëra anë, shqetësimin se mund ta kishin marrë trupin e Zotit; por, nga ana tjetër, vrapimi i Marisë Magdalenë, Pjetrit dhe Gjonit flet për dëshirën, nxitjen e zemrës, qëndrimin e brendshëm të atyre që u nisën në kërkim të Jezusit. Ndërsa Ai është ngjallur nga të vdekurit dhe për këtë arsye nuk është më në varr. Duhet kërkuar dikund tjetër.
Ky është kumtimi i Pashkëve: duhet kërkuar tjetërkund. Krishti u ringjall, është gjallë! Ai nuk mbeti i burgosur nga vdekja, nuk është i mbështjellë më me qefin, prandaj nuk mund të mbyllet në një histori të bukur për t’u treguar, nuk mund të bëhet hero i së kaluarës e as të mendohet si shtatore e vendosur në një sallë muzeu! Përkundrazi, ne duhet ta kërkojmë atë dhe, për këtë arsye, nuk mund të ngurrosemi në një vend. Duhet të lëvizim, të dalim ta kërkojmë: ta kërkojmë në jetë, ta kërkojmë në fytyrat e vëllezërve tanë, ta kërkojmë në jetën e përditshme, ta kërkojmë kudo, përveçse në atë varr.
Kërkojeni gjithmonë! Sepse, po të jetë ngjallur prej së vdekurish, atëherë Ai është i pranishëm kudo, banon mes nesh, fshihet e zbulohet edhe sot në motrat dhe vëllezërit gjatë rrugës, në situatat më anonime dhe më të paparashikueshme të jetës sonë. Është i gjallë e gjithmonë me ne, duke qarë me lotët e atyre që vuajnë dhe duke shumëfishuar bukurinë e jetës në gjestet e vogla të dashurisë së secilit prej nesh.
Për këtë arsye, feja e Pashkëve, që na hap rrugën e takimit me Zotin e Ngjallur dhe na përgatit për ta mirëpritur në jetën tonë, nuk është tjetërgjë, veçse sistemim statik ose vendosje paqësore në siguri fetare. Përkundrazi, Pashkët na nxisin të lëvizim, na shtyjnë të vrapojmë si Maria Magdalenë dhe si dishepujt; na ftojnë të kemi sy të aftë për të "shikuar përtej", për të parë Jezusin, të Gjallin, si Zoti që zbulohet e edhe sot e kësaj dite bëhet i pranishëm, na flet, na paraprin, na befason. Ashtu si Maria Magdalenë, çdo ditë mund ta përjetojmë humbjen e Zotit, e çdo ditë të vrapojmë për ta kërkuar rishtas, duke e ditur me siguri se Ai gjendet e na ndriçon me dritën e ringjalljes së Tij.
Vëllezër e motra, ja shpresa më e madhe e jetës sonë: ne mund ta jetojmë këtë jetë të varfër, të brishtë dhe të plagosur, të kapur pas Krishtit, sepse Ai e mposhti vdekjen, e mposhti errësirën tonë e do të fitojë edhe mbi errësirën e botës, për të na bërë të jetojmë me Të në gëzim, përgjithmonë e jetës. Drejt këtij qëllimi, siç thotë Shën Pali Apostull, edhe ne vrapojmë, duke harruar atë që është pas nesh e duke jetuar në pritje të asaj që është përpara (shih Fil 3:12-14). Të nxitojmë, atëhere, për ta takuar Krishtin, me ritmin e shpejtë të Magdalenës, të Pjetrit, të Gjonit.
Jubileu na thërret të përtërijmë brenda vetes dhuratën e kësaj shprese, t’i flakim në të vuajtjet dhe ankthet tona, t'ua përcjellim atyre që takojmë rrugës, t'i besojmë kësaj shprese të ardhmen e jetës sonë dhe fatin e njerëzimit. E kështu ne nuk mund t'i parkojmë zemrat tona në iluzionet e kësaj bote ose t'i mbyllim në trishtim; duhet të vrapojmë plot gëzim. Të vrapojmë, pra, për ta takuar Jezusin, ta rizbulojmë hirin e paçmuar, që na kujton se jemi miqtë e tij. Të lejojmë që Fjala e tij e jetës dhe e së vërtetës të ndriçojë rrugën tonë. Siç tha teologu i madh Henri de Lubac, "duhet të mjaftojë që ta kuptojmë këtë: krishterimi është Krishti. Jo, vërtetë, nuk ka asgjë tjetër përveç kësaj. Në Krishtin kemi gjithçka" (Les responsabilités doctrinales des catholiques dans le monde d'aujourd'hui, Paris 2010, 276).
Dhe kjo “gjithçka” që është Krishti i ringjallur e hap rrugën e jetës sonë drejt shpresës. Ai është gjallë, Ai ende dëshiron ta përtërijë jetën tonë sot. Atij, fitimtarit mbi mëkatin e mbi vdekjen, duam t'i themi:
“Zot, në këtë festë, ne të kërkojmë këtë dhuratë: të jemi edhe ne të rinj për ta jetuar këtë risi të përhershme. Largoje prej nesh, o Zot, pluhurin e trishtuar të zakonit, të lodhjes dhe të zhgënjimit; jepnae gëzimin e zgjimit, çdo mëngjes, me sy të mahnitur për të parë ngjyrat e reja të atij agimi, të pashoqe e të ndryshme nga të gjitha të tjerat. [...] Gjithçka është e re, o Zot, e asgjë e përsëritur, asgjë e vjetër» (A. Zarri, Quasi una preghiera).
Motra, vëllezër, në mahnitjen e fesë pashkvnore, duke mbartur në zemrat tona çdo pritje paqeje dhe çlirimi, mund të themi: me Ty, o Zot, gjithçka është e re. Me ty, gjithçka rifillon!