Imzot Dodë Gjergji: Françesku ndhuratë e çmuar për Kishën dhe për njerëzimin
R.SH. / Vatikan
Njoftim nga Dioqezës Prizren-Prishtinë
Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtine
Prot, Nr. 49/2025
Prishtinë, 22.04.2025
Të dashur vëllezër dhe motra besimtarë,
Meshtarë, rregulltarë dhe rregulltare,
Të nderuara autoritete fetare dhe politike, Përfaqësues të trupit diplomatik në Kosovë,
Miq dhe dashamirë,
Siç tashmë jeni në dijeni, Ati i Shenjtë, Papa Françesku, të Hënën e Pashkëve është kthyer në shtëpinë e Atit Qiellor. Largimi i tij ka prekur zemrat tona – një bari i përvuajtur dhe i guximshëm që udhëhoqi Kishën jo nga froni i lartë i Pontifikatit, por nga thellësia e zemrës së përulur njerëzore. Dora e tij nuk mbajti skeptrin e pushtetit, por shkopin e barinjve të mirë; gjuha e tij nuk ishte shpatë që ndante, por pupël që ngushëllonte dhe shëronte plagët e një bote të lënduar.
Në këtë moment të dhimbshëm dhe falënderues njëkohësisht, ne duam t'i shprehim mirënjohje Hyjit që na e dhuroi këtë Papë të jashtëzakonshëm, që për 12 vite udhëhoqi Kishën Katolike Universale me dritën e Ungjillit dhe fuqinë e dashurisë së tij. Ju ftojmë që ta kujtoni në lutjet tuaja, me nderim dhe përulësi, duke ndjekur shembullin që na la si një dishepull i vërtetë i Jezu Krishtit.
Në koordinim me Delegatin Apostolik, Shkëlqesinë e Tij, Mons. Jean-Marie Speich, kam vendosur si më poshtë:
1. Nga e Enjtja, më 24 Prill, deri të Shtunën, më 26 Prill 2025, të hapet Libri i Ngushëllimeve në Rezidencën e Dioqezës Prizren-Prishtinë (pranë Konkatedrales Shën Nënë Tereza), nga ora 09:00 deri në 12:30. Ku të gjithë janë të ftuar të shprehin një lutje, një kujtim personal apo një mendim të mbartur në zemër për Papën Françesku.
2. Të Dielën e Mëshirës Hyjnore, më 27 Prill 2025, në të gjitha kishat tona famullitare të kujtohet me lutje të veçantë Papa Françesku, duke ia besuar shpirtin e tij Mëshirës së pafundme të Zotit tonë Jezu Krishtit.
3. Po atë ditë, në meshën e orës 11:00, (të cilën do ta prijë unë), në Kon-katedralen Shën Nënë Tereza, ftoj të gjithë Kishën dioqezane që nuk është e angazhuar në shërbesat nëpër famulli, bashkësitë fetare, autoritetet politike, përfaqësuesit diplomatik, përfaqësuesit e institucioneve të vendit, si dhe të gjithë miqtë dhe dashamirët e Papës Françesku dhe të Kishës Katolike, të bashkohen me ne në lutje të përbashkët për shpirtin e tij të ndritur nga Krishti i Ringjallur.
Papa Françesku ishte një dhuratë e çmuar për Kishën dhe për mbarë njerëzimin. Me urtinë e tij, me dashurinë e tij të përulur dhe me thirrjen e tij të pandërprerë për paqe, drejtësi dhe kujdes për të përjashtuarit, ai preku zemrat e miliona njerëzve, përtej kufijve fetarë, kulturorë dhe kombëtarë. Ai ishte zëri i të pambrojturve, shpresa e të harruarve dhe frymëzimi i atyre që kërkojnë një botë më të drejtë dhe më njerëzore. Trashëgimia e tij nuk do të shuhe ajo do të mbetet një dritë udhëzuese për brezat që vijnë.
Epja, o Zot, pushimin e pasosun. E shndritë drita e pamarume!
Pushoftë në paqe! Amen.
imzot Dodë Gjergji