Kërko

Salma papa Francesco in San Pietro per ostensione, in fila 100 mila persone

Emocioni i besimtarëve para trupit të Papës Françesku

Që nga njoftimi i vdekjes së Atit të Shenjtë më 21 prill, besimtarët katolikë, të prekur nga humbja e tij, vijojnë të mblidhen masivisht në Bazilikën e Shën Pjetrit për t'i bërë nderimet e fundit Papës argjentinas. Disa nuk ngurrojnë të nisen për në Romë e pastaj të presin me orë të tëra në radhën e gjatë që të çon në Bazilikën e Vatikanit, për të përshëndetur Françeskun dhe për t’i shprehur mirënjohjen. Bashkojnë, kështu, dhimbjen e tyre me dhimbjen e një turme të pafundme.

R.SH. / Vatikan

Në Qytetin e Romës e në Vatikan këto ditë të trishtuara mbërrijnë grupe besimtarësh të krishterë, shtegtarësh, turistësh…Pas vdekjes së Atit të Shenjtë Bergoglio më 21 prill, të Hënën e Pashkëve, mbi 90.000 vetë e vizituan Bazilikën e Shën Pjetrit vetëm në 24 orët e fundit për t'i bërë homazhe Papës Françesku, duke përfshirë edhe 13.000 vetë mbrëmë, nga mesnata deri në orën 2.30 të mëngjesit. Aktualisht mbi 120.000 persona kanë shprehur nderimet e janë lutur për Papëne ndjerë, pas një radhe prej dy kilometrash në pritje për të kapërcyer dyert e Bazilikës së Vatikanit.

Në një rrjedhë të pandërprerë, mijëra njerëz me prejardhje të ndryshme vazhdojnë të mblidhen para trupit pa jetë të Atit Shenjt argjentinas, Papës së 266-të të Kishës, arkivoli i të cilit do të mbyllet sot, 25 prill, në orën 20.00 të mbrëmjes, në Bazilikën e Shën Pjetrit.

Në një atmosferë lutjeje, me rruzaret në duar e lotët në sy, besimtarët kërkojnë ndërmjetësimin e Virgjërës Mari për prehjen e shpirtit të Papës Françesku, “që u kthye në shtëpinë e Atit, pasi ia kushtoi gjithë jetën shërbimit të Zotit dhe të Kishës së tij”.

Disa nga reagimet e shtegtarëve të cilët, të trishtuar nga vdekja e tij, e quajnë “Papa i të varfërve e bariu i mirë” i cili, siç u shpreh Kamerlengu i Kishës Universale, Kardinali Farell pas njoftimit të vdekjes së tij, të hënën e kaluar, kur tha: “Françesku na mësoi të jetojmë vlerat e Ungjillit me besnikëri, guxim dhe dashuri universale, veçanërisht në favor të më të varfërve dhe më të braktisurve”.

25 prill 2025, 10:54