Kërko

Varrimi në Santa Maria Maggiore. Kard. Makrickas: "Papa deshi që varri i tij të fliste për jetën e tij"

Kard. Makrickas ruan përmbushjen e dëshirave të Papa Françeskut, i cili kërkoi të varrosej pranë Zojës Mari ‘Salus Populi Romani’, në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe. Një varr i thjeshtë, si jeta e tij, për t'i qëndruar pranë Marisë Virgjër, në Bazilikën që e vizitoi 126 herë.

R.SH. / Vatikan

Kard. Rolandas Makrickas, Ndihmës i Bazilikës Papnore të Santa Maria Maggiore, mban sot një nga përgjegjësitë më intime dhe solemne që lidhet me pontifikatin e Papa Françeskut: të kujdeset për realizimin e dëshirave të tij të fundit. Pas vdekjes së Atit të Shenjtë Bergoglio, që ndodhi të hënën e Pashkëve më 21 prill 2025, pikërisht kjo Bazilikë e Zojës së Madhe, në Romë, do të ruajë eshtrat e tij, në një varr aq të thjeshtë sa edhe jeta e tij.

Papa i ardhur “nga fundi i botës” që zgjodhi të lërë si trashëgimi shpirtërore një dëshmi të gjallë besimi te Nëna e Zotit, edhe nëpërmjet varrimit pranë Ikonës së Zojës Mari Salus Populi Romani, që dëshmon për një përkushtim të thellë, të përditshëm, të vërtetë marian, që e bëri Françeskun të qëndrojë pranë Marisë, në jetë dhe në vdekje. Një zgjedhje që duket si një gjest profetik, si dhe një thirrje për të gjithë Kishën për të jetuar një fe të përulur, të besuar, konkrete.

Për ne, të presësh varrin e Papa Françeskut në Bazilikën e Zojës së Madhe do të thotë të presësh një atë, i cili pasi ka jetuar gjithë jetën e tij në thjeshtësi, siç dëshmohet edhe nga zgjedhja e emrit për papninë e tij, kthehet në shtëpi jo si i huaj, por si dikush që e ka vizituar 126 herë këtë bazilikë. Në momentet më të rëndësishme të jetës së tij, si udhëtimet apostolike apo kthimi nga spitali. Ne e mirëpresim Papën si një që kthehet jo vetëm në shtëpinë e Atit, por edhe në shtëpinë e Nënës, pohon kard.Makrickas.

23 prill 2025, 13:13