Kërko

Papa Francesco nei migliori 10 scatti dell'ANSA - GALLERY

Papa Françesku: vdekja nuk është fund i gjithçkaje, por fillim i ri

Françesku: Është e vërtetë, ne plakemi, por problemi nuk është ky: problemi është se si plakemi. Nëse e jetoni këtë kohë të jetës si hir, dhe jo me inat; nëse e mirëprisni kohën (edhe të gjatë) në të cilën jetojmë pakësimin e forcës, lodhjen në rritje të trupit, reflekset nuk janë më të njëjta me ato të rinisë sonë e pleqëria bëhet moshë jete, siç na mësoi Romano Guardini, vërtet e frytshme, që mund të rrezatojë të mirën.

R.SH. / Vatikan

Po botojmë parathënien që Papa Françesku shkroi më 7 shkurt 2025 për librin e Kardinalit Angelo Scola, Kryeipeshkëv Nderi i Milanos, me titull “Duke pritur një fillim të ri. Reflektime mbi pleqërinë”. Vëllimi do të jetë në librari të enjten, më 24 prill 2025

I lexova me emocion këto faqe që vinin nga mendimet dhe dashuria e kardinalit Angelo Scola-s, vëllait të dashur në ipeshkvni dhe njeriut që ka kryer shërbime delikate në Kishë, për shembull, si rektor i Universitetit Papnor Lateran, më vonë patriark i Venedikut dhe kryeipeshkëv i Milanos. Fillimisht, dua të shpreh mirënjohjen time për këtë reflektim që gërsheton përvojën personale me ndjeshmërinë kulturore, siç e kam lexuar rrallë herë. Njëra, përvoja, ndriçon tjetrën, kulturën; e dyta vërteton të parën. Në këtë ndërthurje të lumtur, jeta dhe kultura lulëzojnë me bukurinë.

Mos t’ju mashtrojë forma e shkurtër e këtij libri: janë faqe shumë të dendura, për t'u lexuar e për t’u rilexuar. Nga reflektimet e Angelo Scola-s marr disa ide veçanërisht në përkim me atë, që më ka bërë ta kuptoj përvoja ime.

Kardinali Angelo Scola na flet për pleqërinë, pleqërinë e tij, e cila - shkruan me një vetëbesim çarmatosës - “më ra me nxitim të papritur dhe në shumë mënyra të papritura”.

Tashmë në zgjedhjen e fjalës me të cilën vetpërcaktohet “i vjetër”, gjej një bashkëtingëllim me autorin. Po, nuk duhet të kemi frikë nga pleqëria, nuk duhet të kemi frikë ta rrokim pleqërinë, sepse jeta është jetë dhe ta sheqerosësh realitetin do të thotë të tradhtosh të vërtetën e sendeve. T’i rikthesh krenarinë një termi, që shpesh konsiderohet i pashndetshëm, është gjest për të cilin duhet t'i jemi mirënjohës kardinalit Scola. Sepse të thuash "i vjetër" nuk do të thotë "për t’u flakur tutje", ashtu si e shtyn të mendojë njeriun kultura e degraduar. Të thuash i vjetër, nga ana tjetër, do të thotë të thuash përvojë, urti, dije, aftësi dalluese, mendim, dëgjim, ngadalësi… Vlera, që na duhen dëshpërimisht!

Është e vërtetë, ne plakemi, por problemi nuk është ky: problemi është se si plakemi. Nëse e jetoni këtë kohë të jetës si hir, dhe jo me inat; nëse e mirëprisni kohën (edhe të gjatë) në të cilën jetojmë pakësimin e forcës, lodhjen në rritje të trupit, reflekset nuk janë më të njëjta me ato të rinisë sonë e pleqëria bëhet moshë jete, siç na mësoi Romano Guardini, vërtet e frytshme, që mund të rrezatojë të mirën.

Angelo Scola nxjerr në pah vlerën njerëzore dhe shoqërore të gjyshërve. Unë e kam theksuar vazhdimisht se roli i gjyshërve ka rëndësi themelore për zhvillimin e ekuilibruar të të rinjve dhe, në fund të fundit, edhe për një shoqëri më paqësore. Sepse shembulli i tyre, fjalët e tyre, mençuria e tyre mund të rrënjosin tek të rinjtë një vizion afatgjatë, kujtesën e së shkuarës dhe ankorimin në vlerat, që i bëjnë ball së ardhmes. Në furinë e shoqërive tona, shpesh kushtuar shijes kalimtare dhe jo të shëndetshme të pamjes, mençuria e gjyshërve bëhet fener që shkëlqen, ndriçon pasigurinë dhe u jep drejtim nipërve dhe mbesave, që mund të nxjerrin nga përvoja e tyre “më shumë” se nga e përditshmja.

Fjalët që Angelo Scola ia kushton temës së vuajtjes, e cila shpesh lind kur  plakemi, e rrjedhimisht kur vdesim, janë perla të çmuara feje dhe shprese. Në argumentet e këtij vëllai ipeshkëv dëgjoj jehonën e teologjisë së Hans Urs von Balthasar dhe Joseph Ratzinger, teologji "e bërë në gjunjë", e mbushur me lutje dhe dialog me Zotin. Për këtë arsye thashë më lart se këto janë faqe të ardhura nga “mendimi dhe dashuria” e kardinalit Scola: jo vetëm nga mendimi, por edhe nga përmasa afektive, të cilës i referohet feja e krishterë, duke qenë se krishterimi nuk është aq veprim intelektual apo zgjedhje morale, por dashuri për një vetje, atë Krisht, që erdhi të na takojë dhe vendosi të na thërrasë miq.

Vetë përfundimi i këtyre faqeve nga Angelo Scola, të cilat janë rrëfim me zemër të hapur, që tregon se si po përgatitet për takimin përfundimtar me Jezusin, na jep siguri ngushëlluese: vdekja nuk është fundi i gjithçkaje, por fillimi i diçkaje. Është fillim i ri, siç e nënvizon me mençuri titulli, sepse jeta e amshuar, të cilën ata që e duan tashmë e përjetojnë në tokë brenda profesioneve të çdo dite, është të fillosh diçka, që nuk do të përfundojë kurrë. Dhe pikërisht për këtë është fillim “i ri”, sepse do të përjetojmë diçka që nuk e kemi përjetuar kurrë plotësisht: amshimin!

Me këto faqe në duar do të doja të bëja përsëri të njëjtin gjest, që bëra sapo vesha petkun e bardhë të Papës, në Kapelën Sikstine: ta përqafoja me shumë nderim e dashuri vëllaun tim Angelo, tani, të dy më të vjetër se atë ditë marsi. Por gjithmonë të bashkuar nga mirënjohja ndaj këtij Zoti të dashur, që na jep gjallëri e shpresë në çdo moshë të jetës sonë.

Qyteti i Vatikanit, 7 shkurt 2025

23 prill 2025, 09:02