Funerali i Papës Françesku, informacioni i mediave të Vatikanit
R.SH. – Vatikan
Një ngjarje, që e fton gjithë botën në një përqafim me Papën, ndërsa kujtesa kolektive kthehet 20 vjet prapa për të gjetur ngjashmëri me Meshën e Dritës së Papës shenjt Gjon Pali II, më 8 prill 2005. Por sidomos, një ngjarje unike për mediat bashkëkohore, të cilat nuk e kanë dokumentuar kurrë zhvendosjen e trupit të një Pape nga Vatikani në një vend tjetër për varrim. Pikërisht kjo do të ndodhë nesër, më 26 prill, duke filluar nga ora 10.00, kur Radio Vatikani/Vatican News do të ndjekë transmetimin e gjatë të drejtpërdrejtë të Meshës së Dritës për Papën Françesku dhe procesionin e mëpasëm, që do ta shoqërojë arkivolin deri në Bazilikën e Zojës së Madhe, ku do të varroset Ati i Shenjtë, ashtu siç e ka lënë vetë me testament.
Gjuhët dhe televizioni
Për t’u dhënë mundësi sa më shumë njerëzve ta ndjekin këtë ngjarje, mediat e Vatikanit do ta komentojnë drejtpërdrejt në radio në 15 gjuhë (në gjuhën italiane, angleze, spanjolle, frënge, braziliane, portugeze, gjermane, polake, vietnameze, kineze, arabe), duke përfshirë edhe 4 gjuhë shenjash (atë italiane, atë spanjolle, atë frënge dhe atë amerikane). Transmetimet televizive, të përgatitura nga Qendra Televizive e Vatikanit - Vatican Media, do të jenë nga ajri e nga toka dhe do të mbulojnë si zonën e Sheshit të Shën Pjetrit, ashtu edhe gjithë rrugën, që do të përshkojë arkivoli me trupin pa jetë të Papës deri në Bazilikën e Zojës së Madhe.
Në nivel editorial, mesha dhe procesioni do të pasqyrohen përmes programeve radiofonike, internetit dhe rrjeteve “social” në 56 gjuhët, që përbëjnë sistemin e informacionit të Radio Vatikanit, Vatican News dhe gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano”. Ju kujtojmë se faqja e internetit e programit shqip është “vaticannews.va/sq”, ku mund të ndiqni në video krejt ngjarjen e nesërme, me kronikën ndërkombëtare, që fillon nga ora 9.30 e, mund të na gjeni edhe në Facebook, në “facebook.com/vaticannews.al”.