Kërko

2020.07.08 Santa Messa celebrata da Papa Francesco nell'anniversario della sua visita a Lampedusa nel 2013

Homelitë në Shën Martë, në zanafillë të mësimdhënies së Françeskut

Historia e Meshëve kremtuar nga Papa Françesku për shtatë vjet në Kapelën vatikanase të shtëpisë së shën Martës të cilat, që nga çasti i parë, kontribuan për ta njohur profilin shpirtëror dhe baritor të Papës si dhe forcën e gjuhës inovative, tipike për mësimdhënien e tij.

R.SH. / Vatikan

Tani kur është koha e bilanceve, e rrëfimeve mediatike të papnisë dhe analizave të temave kryesore, tipike për Papën e shpresës dhe të vëllazërisë, të të refuzuarve dhe të mëshirës, ​​asnjë histori rreth asaj që ishte ndërtesa e magjisterit ngritur nga Papa Françesku, nuk mund ta injorojë kantierin e ndërtimit ku ajo ndërtesë pa, si të thuash, vendosjen e gurëve të parë. Duke i rishikuar shtatë vjetët e predikimeve mbajtur në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës - nga marsi 2013, deri në maj 2020 - nuk është e vështirë të gjesh shprehjen e parë, formën e parë dhe forcën e parë prekëse të Papës Bergoglio, përmes argumenteve, që i kishte më për zemër, të zhvilluara, më pas, në një formë të plotë në fjalime e dokumente.

Papa i ardhshëm

E pikërisht në qetësinë “famullitare” të asaj kapele, e cila i dha lamtumirën e fundit më 23 prill, Françesku, “famullitari” i botës, e bëri të njohur me fund stilin e tij baritor. Papë pa distanca, siç e tregon kremtimi i Meshës disa herë në javë, para njerëzve të zakonshëm, që përfundon me përshëndetjen dhe shtrëngimin e duarve të gjithë të pranishmëve, një nga një, ndërsa largohen nga kapela. E, siç e tregon gjuha e tij plot spontanitet, aq afër popullit - sa larg paqartësisë konceptuale, shpesh aromatizuar me disa terma huazuar nga gjuha e tij amtare.

Të fundmit, të parët e Françeskut

Prandaj, plotësisht në përputhje me Bariun që dëshiron të ketë të njëjtën aromë, si delet e tij - dhe që do të na mësojë të shikojmë qendrën nga periferitë me shijen për iniciativë, që i përmbys protokollet – është fakti që sezoni i liturgjive të mëngjesit hapet në heshtje, me ftesën për një kategori aq të çmuar, sa është e vështirë të akreditohet në nderimin e vendeve të para. Në orën 7 të mëngjesit, më 22 mars 2013, kur Roma ishte në errësirë,  kopshtarët dhe pastruesit e rrugëve, që punonin në Vatikan e mbushën kapelën dhe më pas dëgjuan homelinë e parë të Françeskut në  Shtëpinë e Shën Martës. Të nesërmen u duken punëtorë të tjerë nga Selia e Shenjtë, punonjës të serrës, murgesha… E kështu me radhë, javë pas jave, derisa arritën edhe një mori besimtarësh nga famullitë romake. Ajo që dukej si Meshë e improvizuar, episod anësor i axhendës papnore, u shndërrua, me kalimin e viteve, në takim për qindra njerëz "normalë", që nuk do të kishin menduar kurrë të kalonin një ditë ballë për ballë me Papën.

Fjalë krejt të padëgjuara

Zoti “që nuk ka shkop magjik”, por shpëton me këmbëngulje, “Jezusi, që nuk përjashton askënd”, “Kisha, që nuk është dado” apo “ OJQ”, por “histori dashurie”, Shpirti “që nuk mund të zbutet” dhe “besimi që nuk është mashtrim” (edhe nëse ka “ideologë që falsifikojnë Ungjillin”), pastorë “karrieristë” që ndonjëherë “bëhen ujqër”, të krishterë që janë njerëz të gëzimit dhe jo fytyra melankolike “si speca djegës në uthull”, komunitete të mbyllura “që nuk shijojnë përkëdheljet, por detyrën”, pa harruar edhe ftesën për të shmangur thashethemet dhe për të “provuar grimin e jetës”, “hirin e lotëve”, paqen “e paçmuar”, rrëfyesit “që nuk janë pastrim kimik”, por që duhen trajtuar me “turp të bekuar” - domethënë, konceptet dhe fjalët që, me kalimin e kohës, do të bëhen shenja dalluese e mësimdhënies së Papës  - lulëzojnë, pa përjashtim, në ato javët e para pas zgjedhjes. Merr jetë një Ungjill “sipas Françeskut” i arritshëm, i gjallë, i menjëhershëm. Kjo provokon mendimin dhe prek zemrën. E zemra pushton veshët indiferentë. Jehona e atyre Meshëve të habit, të vë në lëvizje, është si daltë që, goditje pas goditjeje, pikturon profilin shpirtëror të Papës, që erdhi  nga fundi i botës.

Nga Radioja e Papës, drejt Botës

Që nga ai çast, Radio Vatikanit iu ngarkua një përgjegjësi e madhe: me vullnetin e vetë Papës, reporterët e tij zgjedhin çdo herë tre klipe audio nga homelia, njëri prej të cilëve është për videon, që do të transmetohet më pas në mediat botërore, me pëlqimin paraprak të Sekretarisë së Shtetit. E kështu, në koherencë të plotë me një Papë që i pëlqen të fillojë procese, Kapela e Shën Martës shquhet si pikëmbështetja e shumëpritur dhe themelore për të kuptuar papninë. Më vonë, siç do ta tregojnë ndarjet e detyruara nga Covid, do të jetë "shtëpia" e shpëtimit për miliona njerëz të lidhur me të nga e gjithë bota,  ndërsa pandemia tërbohet në të katër anët, pa asnjë siguri.

Forca e shpejtësisë

Kështu, çka del nga homelitë e mbajtura në Kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, është “teologji e jetës së përditshme”. Françesku e çon Ungjillin në jetën e përditshme, duke shpjeguar se si ta mishërojmë Fjalën në realitetin e gjërave të vogla, duke përdorur andej e këndej fakte ose anekdota. Homelitë e Françeskut janë të shkurtra, si këshillonte gjithnjë, jo të gjata, të mërzitshme, retorike. Për të, Fjala duhet të arrijë drejtpërdrejt në zemrën e njerëzve, të jetë busull në shtigjet e jetës. E kjo është arsyeja pse fjalët e tij janë të gjalla, të pasura me metafora nxjerrë nga ngjarje konkrete. Janë këshillat e një bariu që e njeh mirë kujdesin për grigjën, pasi ka jetuar gjithë jetën e tij në Buenos Aires, duke ndarë gjithçka, madje edhe përdorimin e mjeteve të zakonshme të transportit, siç është metroja.

Përvujtëria dhe klerikalizmi

Përvujtëria është stili që përdor gjithmonë, madje edhe për temat më “të larta”, si më 18 prill 2013, kur shpjegoi se feja e krishterë është vërtet besim në një Zot të vetëm, në Tri Vetje “sepse ky është Zoti ynë, Shejtja Trini, Zot i vetëm: jo perëndi e papërcaktuar dhe e përhapur, si një spërkatje kudo”. Në qershor të të njëjtit vit, duke folur për nevojën e përvujtërisë, pohoi se pa të nuk mund të “pretendosh se shpall Krishtin a se je dëshmitari i tij” e kjo, shton ai me stilin e tij të zakonshëm të sinqertë, “vlen edhe për priftërinjtë”: dhurata e hirit të Zotit, thekson më tej, “është thesar që duhet ruajtur në enë prej balte”; askush nuk mund ta përvetësojë “për karrierën e tij personale”. Në shumë predikime, Papa Bergoglio përshkruan identitetin e të krishterit. Besimtari, shpjegon, ecën përgjatë një rruge që është “e hapur për të tjerët” dhe për këtë arsye e largon idenë se “mund të ndjehet me rëndësi” vetëm sepse është i krishterë. Modeli është Jezusi, i cili të bezdiste, sepse “i shpjegonte gjërat në mënyrë që njerëzit t’i kuptonin mirë” e, sidomos, “e jetonte, atë që predikonte”, me komentin kundër “qëndrimit klerikalist” të priftit-princ “i cili thotë një gjë, e bën një tjetër”.

"Thashethemet kriminale"

Tema e mëshirës, ​​e cila do të bëhet arkitrau i Jubileut, jehon shumë shpesh ndërmjet qemereve të Kapelës. “Zoti fal gjithçka, përndryshe bota nuk do të ekzistonte» - pati pohuar Françesku në dhjetorin 2015 dhe në vitin 2017 e, për të vënë në pah masën e saj të pakufishme, siguroi se “Jezusi e shpëdoron mëshirën për të gjithë”. Duke folur për lutjen, në një homeli në fillim të vitit 2016, Papa Bergoglio e përcakton atë si forcën e vërtetë lëvizëse të jetës së Kishës, ndërsa në vitin 2018 këmbëngul mbi nevojën për t'u lutur pa u lodhur kurrë me këtë ftesë: "Ngulni këmbë në lutje ". Një temë tjetër, e cila do të pësëritet ndër një mijë fjalime, por që do të dëgjohet së pari në Shën Martë, është ajo e thashethemeve. Ata mbjellin zili, xhelozi, etje për pushtet, paralajmëron Papa. Gjëra që mund të të shtyjnë edhe të vrasësh dikënd: “Thashethemet janë kriminale, sepse vrasin Zotin e të afërmin”.

Paqja dhe “buka e ndyrë” e korrupsionit

Kufijtë e Kapelës përkojnë me ato të Planetit. Papa i thirrjeve të pafundme për paqe, veçanërisht në vitet e fundit të papnisë së tij, ndalet në shumë raste te urgjenca e paqes, e shikuar si "punë e përditshme". Në një predikim të vitit 2017, duke kujtuar Noehin, përsërit se dega e ullirit është “shenja e asaj që donte Zoti”, vlerë e fortë, të cilën ne, vërente, nuk e pranojmë “aq lehtë”. Shton edhe se ekziston një tundim për luftë, që e bën folenë  “shpirtin e Kainit”, ndërsa tundimi i Adamit dhe i Evës, i përmendur në një rast tjetër, tregon se djalli “është mashtrues”.

Papa Bergoglio flet shpesh për “Gënjeshtarin e Madh”, djallin që “të   premton shumë, por të lë picak, ndaj me të është e ndaluar të “dialogosh”. Hapi drejt armikut tjetër të madh të korrupsionit është i shkurtër. Papa që në vitin 2013 e quajti “bukë e ndyrë”, “dinakëri” që ushqen lidhjen me botën e shpesh fillon “me një gjë të vogël” e “pak nga pak,  e rrogomisë njeriun  në mëkat”.

Covid, stuhia “e papritur dhe e tërbuar”

Më pas, në papninë e Françeskut arrin ai çast, në të cilin atësia e tij, e përbërë nga kujdesi, afërsia, vëmendja, shprehet me forcë. Ka një datë të saktë fillimi: 9 mars 2020, dita në të cilën, me kërkesën e tij, mediat e Vatikanit transmetuan Meshën e orës 7 të mëngjesit, kremtuar nga Shtëpia e Shën Martës. Dritë e kuqe, që ndriçon mbi Papën, në të vërtetë dritë që ndriçon mbi Ungjillin, që ngushëllon një botë të humbur, të mbyllur, të frikësuar nga epidemia e tmerrshme e Covid-19, veçanërisht në Itali ku çdo ditë vdesin pothuajse një mijë njerëz. Françesku i njeh ato ndjenja, atë varkë të goditur nga stuhia “e papritur dhe e furishme” që alarmon dishepujt, siç do ta kujtojë më 27 mars në çastin e jashtëzakonshëm të lutjes në Sheshin e Shën Pjetrit. Një varkë, në të cilën jemi “të gjithë të brishtë dhe të çorientuar, por në të njëjtën kohë, të rëndësishëm dhe të nevojshëm, të gjithë të thirrur të lundrojmë së bashku, të gjithë të ngushëllojmë njëri-tjetrin”.

Pranë njerëzimit në izolim

Zakoni i orarit të Meshës së mëngjesit ndryshoi. Nëse deri atëherë ishte treguar në mënyrë të përmbledhur nga kronikat mediatike të Vatikanit, por e kremtuar për praninë e grupeve të kufizuara, që nga ajo ditë u bë një çast i domosdoshëm për të gjithë. Papa, drejtpërdrejt në televizion, kremton Eukaristinë, duke treguar menjëherë kuptimin e asaj zgjedhjeje. “Në këto ditë”, shpjegon “do ta kremtoj Meshën për ata që janë të sëmurë nga kjo epidemi e koronavirusit, për mjekët, infermierët, vullnetarët që ndihmojnë kaq shumë, anëtarët e familjes, për të moshuarit, që janë në azile pleqsh, për të burgosurit, që janë të mbyllur. Të lutemi së bashku këtë javë, me këtë lutje të fortë drejtuar Zotit: “Më shpëto, o Zot, ki mëshirë për mua! Këmba ime është në rrugën e duhur. Në kuvend do ta bekoj Zotin”.

Jehona Botërore

Me pak fjalë, Françesku rrok plagët e këtij njerëzimi të dëshpëruar dhe të paralizuar. Kush e dëgjon, ndjehet i “kujdesur” në dhimbjen e tij, shpesh të jetuar në vetmi, në pamundësinë për të takuar dikënd, për të përqafuar një të afërm, për t’i thënë lamtumirë gjyshit a gjyshes, tezes a fqinjit a miku që nga një ditë në tjetrën nuk duket më. Në këtë dramë kolektive, takimi i mëngjesit bëhet çast lutjeje e adhurimi të të Shenjtnueshmit Sakrament edhe përmes një ekrani. Kështu, Ati merr në dorë grigjën e tij të humbur, zgjedhje që ka  jehonë të jashtëzakonshme, madje edhe në Kinë ndiqen çdo ditë festimet nga Kapela e Shën Martës. Çdo ditë, në zemrën e Françeskut, shndërrohen fytyrat, historitë dhe jetët e njerëzve të zakonshëm të mbingarkuar nga pandemia.

Një lutje, për çdo kategori shoqërore

Më 10 mars, mendimi i tij shkon te “priftërinjtë, që të kenë guximin të dalin dhe të vizitojnë të sëmurët, duke çuar kudo forcën e Fjalës së Zotit dhe të Eukaristisë”. Dy ditë më vonë i nxit njerëzit të luten për autoritetet “e thirrura të marrin masat, të cilat njerëzve nuk u pëlqejnë". Më 14 mars, mendimet e tij shkojnë tek familjet me fëmijë në shtëpi, të thirrura për të përballuar një situatë të vështirë me paqe, e gjithashtu me gëzim", por mbi të gjitha, për ata që jetojnë pranë njerëzve me aftësi të kufizuara, në mënyrë që "të mos humbasin paqen në këtë kohë dhe të jenë në gjendje të vazhdojnë jetën me të gjithë familjen, pa humbur forcën as gëzimin". Në mendjen e tij janë edhe viktimat e dhunës në familje. Për ta inkurajon disa herë prindërit të shfrytëzojnë rastin për t'i rritur në mirësi.

Në ato javë, zemra e Papës është një kaleidoskop që nuk dëshiron të lërë pas asnjë kategori shoqërore. Kujton “punonjësit në farmaci, supermarkete, transport, polici” (15 mars), “punonjësit e shëndetësisë, që kanë vdekur” (18 mars), “njerëzit, që kujdesen për varrimin e të ndjerëve, që rrezikojnë jetën e tyre dhe gjithashtu rrezikojnë të infektohen” (16 maj), “shumë njerëz që pastrojnë spitalet, rrugët, që zbrazin koshat e plehrave” (17 maj) - ky është festimi i fundit që mbyll epokën e Meshët e mëngjesit në Kapelën e Shën Martës të hapur përjashta.

Një vend i veçantë në shumë ndjete lutjesh të atyre ditëve u kushtohet të moshuarve që janë vetëm dhe vuajnë “nga vetmia shumë e madhe shpirtërore” (17 mars) e veçanërisht të burgosurve. Papa denoncon mbipopullimin e institucioneve penale, i kupton vuajtjet e të burgosurve ndërsa mendon për familjet e tyre (19 mars) e lutet “për të gjithë njerëzit që vuajnë një dënim të padrejtë për shkak të mizorisë” (7 prill).

Ndërsa muajt kalojnë, shfaqet shqetësimi për ata që kanë humbur vendet e punës dhe ndihen të uritur, për ata që janë viktima të "pandemisë sociale", njerëzit që mbështeten te fajdexhinjtë për ushqim (23 prill), ose për të pastrehët e braktisur në rrugë "në mënyrë që shoqëria e burrave dhe grave të bëhet e vetëdijshme për këtë realitet, t'i ndihmojë, e edhe Kisha t'i mirëpresë" (31 mars). Ekziston gjithashtu një mendim i drejtuar Kontinentit të Vjetër, në mënyrë që të mund të bashkohet dhe “të arrijë të ketë unitetin vëllazëror që - shpreson Françesku - e patën ëndërruar etërit themelues të Bashkimit Evropian” (22 prill). Papa kujton edhe ata që punojnë në media (1 prill), nënat shtatzëna të shqetësuara për të ardhmen e fëmijës së tyre (17 prill), mësuesit e thirrur për të edukuar në distanca (24 prill) dhe viktimat e aspektit më mizor të Covid-it, ata që janë varrosur në varre masive e pa emër (30 prill). Një lutje edhe për artistët, të cilët “nëpërmjet rrugës së bukurisë, na tregojnë shtegun që duhet ndjekur” (27 prill). Pastaj, më 18 maj, pas më shumë se dy muajsh, Françesku e përfundoi Meshën drejtpërdrejt në TV, duke përkuar me rifillimin e kremtimeve me prani fizike.

Trashëgim, që mbetet

Tani Homelitë e Shën Martës do të mbeten në historinë e papnisë dhe të Kishës. Ka nga ata që i kanë çmuar, nga ata që duan t'i lexojnë e edhe nga ata që ende nuk i njohin. E njëjta Kapelë që për vite me radhë e pa të shpjegonte Ungjillin, i dha lamtumirën e fundit, por në atë hapësirë ​​mbeti trashëgimia e fjalëve, e gjesteve, e heshtjeve të adhurimit, e edhe arkivoli i Françeskut…! I vendosur tek këmbët e altarit pak pas vdekjes së tij, të kujtonte fjalët: "ideali i Kishës është gjithnjë me popullin e me Sakramentet. Gjithmonë!".

28 prill 2025, 14:57