Mё 30 prill kalendari kujton tё Lumin dom Dedё Plani, martir
R.SH. - Vatikan
Mё 30 prill kalendari kujton tё Lumin dom Dedё Plani, martir i Kishёs Katolike gjatё regjimit komunist nё Shqipёri.
I Lumi Dom Dedë Plani nuk arriti në martirizim rastësisht. Mundimet e Krishtit ishin ngulitur në mendjen dhe zemrën e tij që në rininë e tij. Lindi në Shkodër më 21 janar 1891 por me origjinë ishte nga Plani i Dukagjinit. Ishte i fundit ndër tre vëllezër: Mikeli, Dom Ndreu, meshtar dhe Dom Deda. Familja e tij ishte një familje fetare, në të cilën thithej me krejt mushkëritë prania e Zotit, aq sa mund të quhet familje-seminar.
Pasi përfundoi shkollën e mesme dhe atë filozofike pranë Seminarit Panor në Shkodër, në tetorin e vitit 1916 hyri në Kolegjin Canisianum të Innsbruck në Austri. Shugurohet meshtar më 3 gusht 1919. Pak muaj pas shugurimit Imzot Shllaku e emëron dom Dedën në famullinë e re të Gimajve të Shalës, famulli që në atë kohë nuk kishte as Kishë dhe as qelë. Dom Deda banoi në një dhomë të vetme që përdorej edhe për kremtimin e Meshës të dieleva edhe për banesë për të. Varfëria ishte ekstreme. Këtë e pohon edhe Delegati Apostolik Imzot Cozzi kur në lidhje më gjendjen e kishave shkruan në relacionin e tij: "Kishat …, me përjashtim të atyre të qyteteve, janë tepër të thjeshta, pa asnjë parim arti të krishterë dhe madje edhe pa këmbanare e sakristi. Disa Kisha famullitare pastaj janë kolibe, jerevi që nuk e meritojnë emrin kishë. Në këto lloj kushtesh do të zhvillojë apostullatin ky meshtar i ri. Më pas dom Deda do të emërohet fmaullitar në Pog, në Prekal e në Kir".
E kishte një karakter të përvujtë, i thjeshtë, komunikues, shumë i zellshëm, korrekt, zemërgjerë dhe guximtar, punëtor i palodhur. Nga familja kishte trashëguar një devocion birnor për Nënën e Këshillit të Mirë. Ai vetë në veçanti kishte një devocion për shën Mëhillin Kryeengjëll. Por mundimet e Krishtit ishin ngulitur në zemrën e tij, e kur bënte katekizëm apo predikonte, shpesh mallëngjehej kur i referohej këtyre mundimeve. Një nga problematikat që luftoi nëpër këto famulli malore ishte ajo e “bashkëjetesës pa kurorë”.
Nëse nuk do të kishte ardhur cikloni i diktaturës komuniste, ndoshta askush nuk do ta kishte vënë re ekzistencën e tij. Por rregjimi ishte sëmurë nga psikoza e tradhëtisë. Mjerimit ekzistues iu shtua varfëria. Delegati Apostolik Imzot Nigris shkruan: “Iu nda toka fshatarëve, por kjo qe vetëm një lojë, sepse këta duhej të sillnin gjithçka, deri edhe vezët, në magazinat e Shtetit, për t’i shitur me çmime qesharake dhe për të blerë pastaj me çmime shumë të larta ushqimet e triskës … pjesa më e madhe e ushqimeve dhe e naftës dërgohet ne Rusi dhe Jugosllavi në këmbim të armëve dhe të municionit … Arrestimet janë të shpeshta e bëhen natën, prandaj të gjithë bien të flenë me makthin se mund të arrestohen ndërsa po flenë; të burgosurit lihen në kushte të mjerueshme dhe torturohen … nganjëherë të burgosurit vdesin gjatë torturave dhe trupat hidhen prej dritareve për t’u dukur si vetëvrasje. Propaganda anti-fetare është metodike me shtyp, radio dhe konferenca”.
Edhe arrestimi i Dom Dedës bëhet pa një shkak të drejtë apo arsye. Në famullinë e tij jetonte një punonjës i sigurimit i cili pothuajse kishte braktisur familjen për të pasur marrëdhënie me një vajzë/grua të re komuniste, e për këtë e deturoi dom Dedën ti linte një dhomë për banim. Por dom Deda, duke parë situatën e pamoralshme, qe shumë i vendosur në shprehjen e pakënaqësive të veta. Kjo nuk i pëlqeu aspak këtij punonjësi të sigurimit dhe bëri të mundur që të arrestohej. Arrestimi ndodhi rreth muajve shtator-tetor 1947.
Kjo gjë nuk e befasoi dom Dedën që e priti arrestimin i qetë, i sigurt për pafajësinë e vet. Nga Rrenci u dërgua në burgun e Shkodrës. Pësoi shumë tortura, por kishte vetëm një shqetësim: nuk kishte arritur të vendoste në vend të sigurt të Shenjtërueshmin Sakrament. Në fakt kur Halla Kushë (Kusha Cini) shkoi për ta takuar në spital, i tha: Kushë, po i Shenjtërueshmi Sakrament ku është? U qetësua kur mori vesh se një meshtar tjetër kishte shkaur menjëherë në Kishë dhe e kishte marrë me vete.
I Lumi Dom Deda nuk pësoi një gjyq të mirëfilltë, vdiq nën tortura më 30 prill 1948 në moshën 57 vjeç. E njëra prej torturave më të zakonshme ishte që viktima të lihej gjatë dimrit në qelinë e ngushtë me dyshemenë plot ujë. Vërtet ai vdiq i shkatërruar prej torturave, por i pasur me merita, sepse e kishte flijuar jetën e vet për të shpallur besnikërinë e tij meshtarake ndaj Krishtit, që e kishte thirrur.
Familjarët e morën trupin e tij dhe e varrosën në varrezat e Rrmjat në Shkodër. Pjetër Seti që e kishte njohur shumë mirë, dëshmon: Të gjithë e mbanim të pranishëm në zemër dhe në mendje dhe, në fshehtësi, të gjithë i luteshim atij dhe e lutnim për ne. E ashtu siç pohon një tjetër njohës i tij, Imzot Frano Illia, dom Deda vdiq in odium fidei, për urrejte ndaj fesë, si një martir i vërtetë i Kishës tonë Shqiptare e një martir i vërtetë i fesë.
Lutja për Kanonizimin si dhe për të kërkuar hire
Trini e Shenjtë,
Atë e Bir e Shpirt Shenjt,
Ty të qofshin lavdi, ndera e bekimi,
që ia ke dhuruar Kishës së shenjtë
të Lumin Dedë Plani, meshtar
si model besnikërie ndaj Krishtit
dhe dashurie të pakushtëzuar ndaj vëllezërve.
Të lutemi me përvujtëri:
ashtu si u denjove ta lumnosh në Qiell,
denjohu ta lavdërosh edhe këtu mbi tokë
duke na dhënë hirin që aq shumë e dëshirojmë
e që, me ndërmjetësinë e tij, me besim të kërkojmë
(në këtë moment shprehet kërkesa).
Besojmë në Ty, o Zot. Ardhtë Mbretëria jote! Amen.
Ati ynë. Të falemi Mari. Lavdi Atit …