Kërko

FILE PHOTO: Buenos Aires' poor barrios remember 'slum pope' Francis

Imzot Coda: "Trashëgimia e Françeskut, Kishë në dalje, pas Vatikanit II"

Sekretari i përgjithshëm i Komisionit teologjik ndërkombëtar e vlerëson papninë e Françeskut si shërbim të plotë të përhapjes së Ungjillit deri në skajet më të largëta të Tokës: "Edhe angazhimi i tij për paqen, mbrojtjen e migrantëve dhe mjedisin duhen konsideruar si veprime të pastra teologjike"

R.SH. - Vatikan

Testamenti shpirtëror dhe teologjik që Papa Françesku i lë Kishës e botës, është ai i një ëndrre. “E nuk është term poetik, por term substancial, sepse ai dëshironte të fliste shpesh për nevojën e ëndërrimit”, shpjegon Imzot Piero Coda, sekretar i përgjithshëm i Komisionit Teologjik Ndërkombëtar, në një bisedë me mediat e Vatikanit.

E vërteta ungjillore

E kjo ëndërr nuk zbulon gjë tjetër, veçse të vërtetën: Kisha është Ungjilli, jo në kuptimin e pronës së Kishës, por "në kuptimin që Jezusi, i kryqëzuar si i mallkuar e të cilin Perëndia e ringjalli nga të vdekurit vazhdon, përmes Kishës, të sjellë lajmin e mirë: Zoti ka ardhur tashmë,   vjen ndërmjet  nesh për të gjithë, veçanërisht për më të vegjlit".

Përtritja

Njëri nga veprimet e para teologjike të papnisë së tij, që hamendësonte një fazë të re në rrugën e Kishës, rrugë e gjatë ripërtëritjeje, ngjarja providenciale e së cilës ishte Koncili II i Vatikanit, ndodhi në mbrëmjen e zgjedhjes, kur Papa i ri u duk për herë të parë në Lozhën e Bekimeve, në Shën Pjetër. Në atë çast - kujton Coda - ai u përkul dhe i kërkoi popullit të Zotit bekimin, në mënyrë që të mund të kryente shërbesën e tij sipas vullnetit hyjnor. Kjo është figurë teologjike vendimtare e veprimit të tij si ipeshkëv i Romës, që frymëzohej nga mësimet e Koncilit II të Vatikanit, në veçanti nga kapitulli II i kushtetutës dogmatike Lumen gentium: Kisha, si popull i Zotit me universalitetin e saj i mbledh dhe i thërret të gjithë burrat dhe gratë me vullnet të mirë përtej rrëfimit fetar dhe përkatësisë në Kishën Katolike".

Lidhja me Këshillin

Pastaj ekziston një lidhje tjetër themelore ndërmjet këtij gjesti, në dukje të thjeshtë, dhe thesarit të Koncilit. Gjendet gjithnjë në Lumen gentium, këtë herë në kapitullin e parë, titulluar : “Kisha, si mister dhe si subjekt historik që dëshmon për praninë dhe veprimin e Zotit në histori". Në fund të fundit, kur Papa Françesku flet për një Kishë të varfër dhe për të varfrit, zbaton Magna Carta-n e Koncilit II të Vatikanit: “Sigurisht që nuk është varfëri. Varfëria, për të cilën po flasim, është varfëria që shpreh dashurinë e Fjalës të Krishtit i cili, nga i pasur që ishte, u bë i varfër për të shkuar drejt më të fundmëve”.

Të ecësh me Shpirtin Shenjt

Gjatë gjithë magjisterit të tij, Papa Françesku ndjeu nevojën të mos i shkëpuste kurrë sytë nga Koncili II i Vatikanit, sepse, siç e pati thënë edhe Gjon Pali II, është premisë e domosdoshme për udhëtimin e Kishës në mijëvjeçarin e tretë: "Atëherë Françesku ishte Papa i parë që nuk mori pjesë në punimet e koncilit. Për këtë arsye, i la pas të gjitha pyetjet që lidheshin me interpretimin e tij, dhe mori thelbin, në mënyrën më të thellë, duke kuptuar se ishte e nevojshme ecja në gjurmët e treguara në të nga Shpirti i Shenjt".

Vizioni sinodal

Thirrja e procesit të madh sinodal, ende në zhvillim e sipër, nuk bën gjë tjetër veçse "e konkretizon atë që Koncili II i Vatikanit kishte vendosur si premisë. Pali VI e paraqiti Sinodin e Ipeshkvijve si shprehje të risisë kishtare konciliare, duke pohuar kolegjialitetin episkopal; e Papa Françesku e çoi përpara këtë reformë, duke thirrur së bashku të gjithë popullin e Zotit e duke u përpjekur, kështu, ta kapërcejë figurën e një Kishe klerikale, njëanshmërisht hierarkike dhe shoviniste".

Vazhdimësia

Enciklika e parë e papnisë ishte ajo me titull Lumen fidei, kushtuar temës së fesë, e nisur nga paraardhësi i tij, Benedikti XVI. Pa dyshim, një vazhdimësi e thellë me papninë e mëparshme e cila, sipas Codës, përfaqësonte një gjest të fortë: “Nga njëra anë, nga ana e Benediktit XVI, për ta lënë këtë dokument të papërfunduar si trashëgimi e, nga ana tjetër, nga ana e Papës Françesku, për ta mbledhur trashëgiminë, për ta bërë të vetën dhe për ta ripërvetësuar. Çelësi i kësaj enciklike të madhe na mëson se fe nuk do të thotë vetëm të besosh në Krishtin, si Bir i Zotit të mishëruar, por edhe pjesëmarrje në të njëjtin vështrim me të cilin Jezusi shikoi Atin dhe nga Ati shikoi historinë”.

Përkimi

Lumen fidei ka përkim të drejtpërdrejtë me enciklikën e fundit të Papës Françesku “Dilexit nos” mbi dashurinë njerëzore dhe hyjnore të Zemrës së Jezu Krishtit, e cila përfaqëson një tjetër trashëgimi themelore shpirtërore: "Këtu besimi në Krishtin lexohet dhe propozohet përmes përshtatjes me zemrën e tij, prej nga buron bamirësia që na u dha në Shpirtin Shenjt e në të cilën ne marrim pjesë - për të dhënë jetë".

Korrespondenca

Lumen fidei ka përkim të drejtpërdrejtë me enciklikën e fundit të Papës Françesku “Dilexit nos”, mbi dashurinë njerëzore dhe hyjnore të Zemrës së Jezu Krishtit, e cila përfaqëson një tjetër trashëgimi shpirtërore themelore: "Këtu besimi në Krishtin lexohet dhe propozohet përmes përshtatjes me zemrën e tij, nga e cila buron bamirësia që na u dha në Shpirtin Shenjt dhe në të cilën ne marrim pjesë për t'i dhënë jetë një qytetërimi të ri, atij të dashurisë".

Veprime teologjike

Edhe angazhimin konkret të Papës Françesku për paqen botërore e për mbrojtjen e migrantëve dhe të mjedisit, Coda e përfshin ndërmjet akteve plotësisht teologjike: "Sigurisht. Dhe pastaj vetë Françesku e thotë në Dilexit nos: për t’i kuptuar të gjitha këto dhe të gjitha mësimet e tij, duhet të fillojmë nga Zemra e Krishtit. Mesazhi i Ungjillit është mesazh  transformimi i zemrës së njeriut, në masën e asaj të Krishtit, falë Shpirtit  Shenjt. E pikërisht për këtë arsye është edhe mesazh transformimi shoqëror, politik, ekonomik, kulturor. Kisha nuk shpall vetëm mesazh të llojit shpirtëror".

Profet në botë

Imzot Coda ka bindjen se Papa Françesku ishte profet në një kohë të polarizuar. Në të rreziku që po afrohet është ai i një teknokracie ekonomike, që përdor edhe mjete ushtarake për t’i imponuar qëndrimet e saj: "Gjithë këtyre, Françesku i kundërvë revolucionin e vërtetë: të kumtojmë përparësinë e shërbimit të të fundmëve dhe rolin themelor të drejtësisë, solidaritetit e vëllazërisë".

25 prill 2025, 10:56