Kërko

Lutje në Buenos Ajres për Papën Bergoglio Lutje në Buenos Ajres për Papën Bergoglio

Ipeshkvi e populli ecin së bashku, trashëgimia shpirtërore e Françeskut në Argjentinë

Në Buenos Ajres Papa Françesku do të kujtohet gjithnjë për veprën e tij të pavdekshme, do të vijojë ftesën për të ecur së bashku, do ta shoqërojë popullin me bekimin e tij nga lart. Ai i mësoi njerëzit të jetojnë me këmbë në tokë, me zemër bujare e me besim thellësisht kushtuar realitetit

R.SH. / Vatikan

Imzot Ernesto Giobando SJ, ipeshkëv i Dioqezës së Mar del Plata, ndihmës i Buenos Ajres nga viti 2014 deri në 2024, flet për media të Vatikanit për trashëgiminë shpirtërore të Françeskut, me të cilin kishte miqësi vëllazërore: "Besoj se na la dëshmi shenjash e edhe fjalësh. Por gjëja më e rëndësishme janë gjestet. Këtë e vërejta gjithnjë, gjithnjë tek Papa Françesku, njeri me fakte dhe gjeste konkrete, siç e patëm të Dielën e Pashkëve. Gjesti i Tij, edhe pse me pak forcë e brishtësi, më dukej se i zgjeronte kufijtë e kësaj bote dhe i jepte Zotit hirin të bekonte qytetin e Romës, dioqezën e tij e edhe botën, me një mesazh paqeje për luftërat e pafundme që vijojnë në mbarë botën”. Shenjë shprehëse që Zoti dëshiron të na e thotë  në këtë kohë krize”.

Fillimi dhe mbarimi i papnisë gjetën në atë përshëndetje korale drejtuar Kishës universale në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, një analogji shumë të dukshme dhe befasuese: "Vdiq pranë atij sheshi ku ishin mijëra e mijëra shtegtarë dhe besimtarë që mundën të merrnin bekimin e tij. Besoj se kjo do të mbetet e skalitur në jetën tonë. Si atëhere, dymbëdhjetë vjet më parë, kur doli në të njëtin balkon dhe bëri gjestin e parë, që ishte i bukur”.

Prelati jezuit jep një dëshmi jete, që Bergoglio e la në Argjentinë: "Shumë pyesin pse nuk u kthye më. Epo, kjo është një pyetje që koha duhet t'i përgjigjet, por fakti që ai nuk erdhi, do të thotë se ishte në gjendje të vizitonte periferitë e botës. Në Argjentinë shumica dërrmuese prej nesh janë në vuajtje të mëdha. Kam marrë mesazhe nga njerëz të besimeve të tjera fetare, nga vëllezër e motra të feve të tjera, që janë shumë, shumë, shumë të trishtuar. Ndjehesh paksi jetim, po, për gjestet e tij atërore  e për shqetësimin e pamasë, kur mendonte si mund të ndihmohen të varfërit.  Pyeste gjithnjë çfarë e si duhet bërë, nga që i takonte kudo, e kudo edhe i ndihmonte.

Edhe Imzot Marcelo Colombo, Kryeipeshkëv i Mendozës dhe Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Kishës Katolike Argjentinase, zëdhënës i përzierjes së tronditjes e i shpresës që po përfshin vendin, theksoi për median e Vatikanit vendosmërinë e Françeskut për të qenë pranë popullit të Zotit deri në fund të fundit. “Ai na mësoi të jetojmë me këmbët tona mbi tokë, me zemër bujare e me besim thellësisht të kushtuar realitetit”. Mos harroni se mëshira që predikonte Papa nuk ishte e as nuk është ide abstrakte, por praktikë e përditshme, e mishëruar në veprime konkrete butësie, afërsie,   shërbimi. "Ai na riktheu në rrënjët tona si kishë misionare”. Një nga gjurmët e mëdha të papnisë së tij, sipas kryeipeshkvit, ishte rruga e sinodalitetit. "Françesku konfirmoi dëshirën tonë për të ndërtuar një kishë vëllazërore, pjesëmarrëse, ku kanë zë të gjithë. Qoftë ky edhe veriu ynë, busulla jonë”.

Imzot Gustavo Oscar Carrara, Kryeipeshkëv i La Platës, i shuguruar diakon e më pas ipeshkëv nga vetë Papa argjentinas, e konsideron Françeskun "njeri i Zotit, atë i mëshirshëm, profet i dinjitetit njerëzor, që u përpoq të predikonte gëzimin e Ungjillit për të gjithë”. E njoha - tregon - në vitin 1992, kur unë isha seminarist, e ai ipeshkëv-ndihmës i Buenos Ajres. I priu kryedioqezës si bari i madh, e më pas, si atë! Ishte gjithnjë shumë i afërt me priftërinjtë dhe besonte se ipeshkvi duhet të ishte i tillë. Trashëgimia që la në Argjentinë - kujton - vështirë të matet. Mendoj se me kalimin e kohës do të jemi më në gjendje ta vlerësojmë. Ai na mësoi të jemi barinj pranë njerëzve e t’i shoqërojmë periferitë gjeografike dhe ekzistenciale të qytetit të Buenos Ajres. Bergoglio ishte dhuratë e vërtetë nga Zoti. Dëgjoi britmën e tokës dhe të të varfërve, gjëra që i vuri në pah në enciklikat e tij. Papa Françesku vijon të na ftojë të ecim së bashku.

24 prill 2025, 09:42