Kard. Hollerich: sinodaliteti, trashëgimia e Papës për një Kishë të gjallë
R.SH. – Vatikan
Sinodaliteti si një përvojë konstruktive, e hapur dhe dialoguese: ky është aspekti që Kardinali Jean-Claude Hollerich, relator i përgjithshëm i Sinodit, e ka shprehur disa herë në të kaluarën kur ka folur për asamblenë sinodale. Kështu pohon edhe një herë për media të Vatikanit duke kujtuar Papën, i cili ndërroi jetë të hënën e Pashkëve në moshën 88-vjeçare.
"Isha në burgun e Luksemburgut," tha kardinali, "për të kremtuar Meshën dhe nuk mund ta kisha celularin me vete. Vdekjen e Papa Françeskut e mora vesh vetëm pas kremtimit të Meshës, por ditët më parë, veçanërisht gjatë Meshës së Pashkëve, mendoja shpesh për të. Mendova për Ringjalljen dhe më pas erdhi lajmi për vdekjen e tij". Një vdekje, shpjegon kardinali Hollerich, që "është një shpallje e Ungjillit".
Trashëgimia e lënë pas
Kryeipeshkvi i Luksemburgut thotë se u takua me Papa Françeskun rreth dhjetë ditë më parë, "kur arrita të shkoja dhe ta vizitoja, vuajtja e tij më bëri të mendoj për vuajtjen e Jezusit". "Mirësia e tij, hapja e tij ndaj të gjithëve, humori dhe afërsia e tij me Jezusin është diçka e madhe që Papa na ka lënë."
Një Kishë e gjallë
Duke menduar për trashëgiminë e Papës, kardinali Hollerich nënvizon vlerën e sinodalitetit që Françesku i ka transmetuar Kishës. "Papa ka mbështetur gjithmonë hapat që kemi marrë në Sinod. Kur kardinali Mario Grech (Sekretari i Përgjithshëm i Sinodit) dhe unë shkonim tek ai çdo muaj për ta përgatitur atë, ai gjithmonë na inkurajonte të ecnim përpara". Kard. Hollerich më pas nënvizon se, edhe gjatë shtrimit në Poliklinikën Gemelli, Françesku miratoi fillimin e një itinerari që do të çojë në një takim në vitin 2028, duke konsoliduar atë që ishte arritur deri në atë pikë, pa thirrur një Sinod të ri. “Ky gjest për mua është si një testament i Papës, është trashëgimia e tij dhe na thotë të vazhdojmë në rrugën sinodale, në mënyrë që Kisha të jetë një Kishë e gjallë, një Kishë misionare në këtë kohë ndryshimesh”.