Kardinali Re në meshë: “Françesku, Papa i mëshirës dhe i gëzimit të Ungjillit”
R.SH. – Vatikan
Dy pamje. Njëra e evokuar nga Dekani i Kolegjit kardinalor, Giovanni Battista Re, gjatë homelisë së Meshës së Dritës, kremtuar në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit, në Vatikan, për t’i dhënë lamtumirën e fundit Papës Françesku, që u nda nga jeta më 21 prill, në moshën 88-vjeçare. Siç tha kardinali Dekan, “do të mbetet në sytë dhe në zemrat tona” pamja e Papës, që doli për herë të fundit në lozhën e Bazilikës së Shën Pjetrit, të Dielën e Pashkëve dhe, më pas, ajo e xhiros së tij me papamobil ndërmjet besimtarëve. Pamja tjetër ishte para syve të 250.000 pjesëmarrësve në funeralin e Françeskut. Sheshi i Shën Pjetrit dhe Via della Conciliazione ishin të mbushura plot për të nderuar Ipeshkvin e Romës, "papnia intensive e të cilit", sipas fjalëve të kardinalit Re, që kryesoi meshën, "preku mendjet dhe zemrat" e të gjithëve. Në fund të fundit, të dy imazhet përputhen. Bari i Kishës deri në fund, mund të thuhet, “me forcë dhe qetësi, pranë grigjës së tij”.
Papa i parë nga Amerika Latine, Papa i parë që mori emrin Françesk
Në një shesh të shndritur nga dielli, plot me njerëz, Mesha e Dritës u bashkëkremtua nga 220 kardinaj, 750 ipeshkvij e meshtarë, ndërsa 4 mijë meshtarë të tjerë ishin të pranishëm në treme. Arkivoli i Papës u zhvendos në krah para Bazilikës, i pritur nga duartrokitjet e besimtarëve. Sipër tij, para altarit, Ungjilli, faqet e të cilit shfletoheshin herë pas here nga era, duke thirrur në kujtesë rrethana të ngjashme në funeralin e Papës shenjt Gjon Pali II, 20 vjet më parë. Fjalët e kardinalit Dekan përshkruan tiparet karakteristike njerëzore të Jorge Mario Bergoglio-s, Papa i parë nga Amerika Latine, Papa i parë që mori emrin Françesk.
“E ruajti temperamentin dhe formën e tij të udhëheqjes baritore, e la menjëherë gjurmët e personalitetit të tij të fortë në qeverisjen e Kishës, duke krijuar kontakte të drejtpërdrejta me individë e me popullata, duke dëshiruar të ishte pranë të gjithëve, me vëmendje të veçantë ndaj njerëzve në vështirësi, duke e shkrirë veten pa masë, në veçanti për të fundmit e të braktisurit e tokës” nënvizoi kardinali Re për aspektin e parë. E shtoi “Kishte spontanitet të madh dhe mënyrë informale për t'iu drejtuar të gjithëve, madje edhe njerëzve larg Kishës”.
Mëshira dhe gëzimi i Ungjillit, dy fjalë kyçe të Papës
Përsa i përket papnisë së Françeskut, kardinali Dekan nuk ka dyshime: “Mëshira dhe gëzimi i Ungjillit janë dy fjalë kyçe të Papës”. E sidomos:
“Primati i ungjillëzimit ishte udhërrëfyesi i Papnisë së tij, duke përhapur, me një gjurmë të qartë misionare, gëzimin e Ungjillit, titull i Nxitjes së tij të parë Apostolike Evangelii gaudium. Një gëzim, i cili mbush me besim e shpresë zemrat e të gjithë atyre, që i besojnë Zotit”.
Kisha është shtëpi për të gjithë
Në thelb, vijoi kardinali, “kjo është detyra e vazhdueshme e Pjetrit dhe e Pasardhësve të tij, shërbimi i dashurisë në gjurmët e Mësuesit dhe Zotit Jezu Krisht, i cili ‘nuk erdhi për t’u shërbyer, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si shpërblim për të gjithë’”. Sipas kardinalit Re, “filli, që përshkoi misionin e tij, ishte edhe bindja se Kisha është shtëpi për të gjithë; shtëpi me dyer gjithmonë të hapura”. Kardinali kujtoi mendimin për “Kishën si ‘spital fushor’ pas një beteje me shumë të plagosur; Kishë e etur për t’u kujdesur me vendosmëri për problemet e njerëzve dhe shqetësimet e mëdha, që e shkatërrojnë botën bashkëkohore; Kishë e aftë të përkulet mbi çdo njeri, përtej çdo besimi a gjendjeje, duke shëruar plagët. Gjestet dhe thirrjet e tij në favor të refugjatëve dhe personave të zhvendosur janë të panumërta. Këmbëngulja për të punuar për të varfrit, gjithashtu, e vazhdueshme”. Kardinali përmendi udhëtimet në ishujt e Lampeduzës e Lesbos dhe meshën e kremtuar në kufirin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Meksikën. Homelia ndërpritej herë pas here nga duartrokitjet e të pranishmëve.
“Papa Françesku - vërejti më tej Dekani i Kolegjit Kardinalor - e ka vënë gjithnjë në qendër Ungjillin e mëshirës, duke theksuar vazhdimisht se Zoti nuk lodhet kurrë së na faluri: Ai fal, gjithmonë, cilado qoftë situata e atyre, që kërkojnë falje dhe kthehen në rrugën e drejtë. Deshi Jubileun e Jashtëzakonshëm të Mëshirës,duke theksuar se mëshira është ‘zemra e Ungjillit’”.
Tema e vëllazërimit përshkoi gjithë papninë e Françeskut
Kardinali Re kujtoi enciklikën “Fratelli tutti” për të thënë se “në dallim nga ajo që e quajti “kultura e flakjes së gjërave të panevojshme”, foli për kulturën e takimit dhe të solidaritetit. Tema e vëllazërimit përshkoi gjithë papninë e tij me tone të gjalla. Në këtë drejtim, i rëndësishëm është dokumenti mbi “Vëllazërimin Njerëzor për Paqen Botërore dhe Jetën e Përbashkët”, i cili kujton atësinë e përbashkët të Zotit. Po aq themelore është edhe enciklika “Laudato si’”, e cila “tërhoqi vëmendjen mbi detyrat dhe bashkëpërgjegjësinë ndaj shtëpisë së përbashkët. Askush nuk shpëtohet i vetëm”.
“Përballë tërbimit të luftërave të shumta të këtyre viteve, me tmerre çnjerëzore e me vdekje e shkatërrime të panumërta, Papa Françesku e ngriti pa pushim zërin duke kërkuar paqe dhe duke ftuar për arsyetim, negociata të ndershme, zgjidhje të mundshme, sepse lufta - pohonte – nuk është gjë tjetër, veçse vdekja e njerëzve, shkatërrimi i shtëpive, i spitaleve dhe i shkollave. Lufta e lë gjithmonë botën më keq se ç’ishte më parë: është gjithmonë, për të gjithë, disfatë e dhimbshme dhe tragjike”.
“Ndërtoni ura dhe jo mure”
“Ndërtoni ura dhe jo mure” është thirrja, që Papa përsëriste shpesh, prandaj shërbimi i tij i fesë si Pasardhës i Shën Pjetrit Apostull, ka qenë gjithmonë i lidhur me shërbimin ndaj njeriut në të gjitha përmasat. Kështu, ndërmjet udhëtimeve të shumta, kardinali Dekan përmendi atë në Irak, “kryer duke sfiduar çdo rrezik. Ajo Vizitë e vështirë Apostolike ishte balsam mbi plagët e hapura të popullsisë irakiane, e cila kishte vuajtur aq shumë nga vepra çnjerëzore e ISIS-it. Edhe ky ishte udhëtim i rëndësishëm për dialogun ndërfetar, tjetër përmasë e rëndësishme e punës së tij baritore”.
Papa Françesku lutu për ne
Në fund të homelisë, kardinali Re kujtoi se Bergoglio i mbyllte fjalimet dhe takimet e tij duke thënë: “Mos harroni të luteni për mua”.
“I dashur Papa Françesku – iu drejtua Dekani i Kolegjit Kardinalor - tani të kërkojmë Ty të lutesh për ne e, edhe që nga qielli, Ti ta bekosh Kishën, ta bekosh Romën, ta bekosh të gjithë botën, siç bëre të dielën e kaluar nga ballkoni i kësaj Bazilike, në një përqafim të fundit me gjithë popullin e Zotit, por idealisht, edhe me njerëzimin, që e kërkon të vërtetën me zemër të sinqertë dhe e mban lart pishtarin e shpresës.