Kërko

Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë

Novendiali: kardinajtë vendosën oraret për nëntë ditë zie

Mesha e dritës për Papën Françesku do të shënojë fillimin e një tradite të lashtë të mbajtjes së nëntë ditëve të njëpasnjëshme zie, e cila do të shënohet nga kremtimet e Meshëve për shpirtin e Papës së ndjerë. Kështu kanë vendosur 103 kardinajtë që morën pjesë, pasditen e sotme, në Kongregacionin e dytë të Përgjithshëm

R.SH. / Vatikan

103 kardinaj që morën pjesë, pasditen e sotme, në Kongregacionin e dytë të Përgjithshëm, më 23 prill, që filloi në orën 17:00. dhe përfundoi në orën 18:30 në sallën e Sinodit në Vatikan, gjatë të cilit u miratua programi i Novendiali-t, do të thotë i kremtimeve të Eukaristisë a Meshëve për shpirtin e Papës, duke filluar me Meshën e dritës, Meshën e funeralit, më 26 prill në orën 10:00. Liturgjitë janë të hapura për të gjithë, por me pjesëmarrjen, çdo ditë, të një grupi të ndryshëm, duke marrë parasysh lidhjet e grupeve me Papën. Në njoftimin e publikuar nga Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë, saktësohet se “kjo larmi asamblesh tregon, në një farë mënyre, si shtrirjen e shërbimit të Bariut suprem, ashtu edhe universalitetin e Kishës së Romës”.

Zyra e shtypit e Selisë së Shenjtë njoftoi se kardinajtë filluan takimin e sotëm me lutjen Veni, Sancte Spiritus  dhe më pas me një lutje për shpirtin e Papa Françeskut, pastaj u betuan kardinajtë që nuk e kishin bërë ende betimin.

Kujtojmë se Novendiali është periudha Nëntëditore e zisë që pason vdekjen e Papës. Gjatë kësaj periudhe, duke filluar nga funerali solemn, data e të cilit është vendosur nga Kongregacioni i Kardinajve më 26 prill (siç shkruhet në statutin Universi Dominici Gregis, nr. 13 dhe 27), mbahen kremtime të veçanta, siç është Mesha në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan.

Është përcaktuar që kremtimet e Meshëve për shpirtin e Papës gjatë Novendiali-t do të zhvillohen si më poshtë:

Dita e dytë: E diel, 27 prill, ora 10:30, para Bazilikës së Vatikanit: punonjësit dhe besimtarët e Qytetit të Vatikanit. Bashkë-kremtimi i Meshës do të kryesohet nga Shkëlqesia e Tij Kardinali Pietro Parolin, ish-Sekretar i Shtetit të Vatikanit.

Dita e 3-të: E hënë, 28 prill, ora 17:00, në Bazilikën e Vatikanit: Kisha e Romës. Bashkë-kremtimi i Meshës do të kryesohet nga Shkëlqesia e Tij, Kardinali Baldassare Reina, Vikar i Përgjithshëm i Shenjtërisë së Tij për Dioqezën e Romës.

Dita e 4-të: E martë, 29 prill, ora 17:00, në Bazilikën e Vatikanit: Kapitujt e Bazilikave Papnore. Bashkë-kremtimi i Meshës do të kryesohet nga Hirësia e Tij Kardinali Mauro Gambetti, Kryeprift i Bazilikës Papnore të Shën Pjetrit në Vatikan.

Dita e 5-të: E mërkurë, 30 prill, ora 17:00, në Bazilikën e Vatikanit: Kapela Papnore. Bashkë-kremtimi i Meshës do të kryesohet nga Shkëlqesia e Tij, Kardinali Leonardo Sandri, Zëvendësdekan i Kolegjit të Kardinajve.

Dita e 6-të: E enjte, 1 maj, ora 17:00, në Bazilikën e Vatikanit: Kuria Romake. Bashkë-kremtimi i Meshës do të kryesohet nga Shkëlqesia e Tij Kardinali Kevin Joseph Farrell, Kamerlengu i Kishës së Shenjtë Romake.

Dita e 7-të: E premte, 2 maj, ora 17:00, në Bazilikën e Vatikanit: Kishat Lindore. Bashkë-kremtimi i Meshës do të kryesohet nga Hirësia e Tij, Kardinali Claudio Gugerotti, ish-Prefekt i Dikasterit për Kishat Lindore.

Dita e 8-të: E shtunë, 3 maj, ora 17:00, në Bazilikën e Vatikanit: anëtarët e Instituteve të Jetës së Kushtuar dhe të Shoqërive të Jetës Apostolike. Bashkë-kremtimi i Meshës do të kryesohet nga Hirësia e Tij, Kardinali Ángel Fernández Artime, ish-Proprefekt i Dikasterit për Institutet e Jetës së Kushtuar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike.

Dita e 9-të: E diel, 4 maj, ora 17.00, në Bazilikën e Vatikanit: Kapela Papnore, rezervuar vetëm për kardinaj. Bashkë-kremtimi i Meshës do të kryesohet nga Hirësia e Tij Kardinali Dominique Mamberti, Protodiakon i Kolegjit të Kardinajve.

Kongregacioni i ardhshëm i Përgjithshëm do të mbahet nesër në mëngjes në orën 9.

Zyra e shtypit njoftoi se nga ora 11 e mëngjesit të sotëm deri rreth orës 19:30, gati 20 mijë persona kanë bërë homazhe para trupit të Papa Françeskut dhe se janë pranuar rreth 4000 kërkesa për akreditim nga gazetarët e vendeve të ndryshme të botës.

 

23 prill 2025, 21:30