Mbledhja e katërt e kardinajve: “është funerali i Bariut të Kishës, jo i një sovrani”
R.SH. – Vatikan
U mbajt sot mbledhja e katërt dhe e fundit e kardinajve në Vatikan, para kremtimit të Meshës së Dritës për Papën Françesku, nesër, në orën 10.00, në Sheshin e Shën Pjetrit. Mbledhja e ardhshme do të jetë të hënën. Të pranishëm sot, në Sallën e Sinodit, 149 prelatë, që filluan kongregacionin me lutje, për të vijuar me betimin e kardinajve që mbërritën sot e për të përfunduar në orën 12.20.
Kongregacionet e kardinajve, pas vdekjes së një Pape, vijojnë deri në mbledhjen e Konklavit e shërbejnë për të shoshitur problematikat e Kishës Katolike e të botës, me besim në Shpirtin Shenjt, që do t’i ndihmojë prelatët të kuptojnë se kush duhet të jetë Bariu i ri në krye të rreth 1 miliard e gjysmë besimtarëve katolikë në gjithë globin. Sot, folën 33 kardinaj e më pas, u lexua Kushtetuta Apostolike “Universi Dominici Gregis”, deri në paragrafin 32.
Në fund të kongregacionit, mjeshtri i kremtimeve liturgjike papnore, imzot Diego Giovanni Ravelli, shpjegoi mënyrën e kremtimit të funeralit të Atit të Shenjtë, që ai të ndihet e të kuptohet qartë si funerali i një bariu, jo i një sovrani. Trupi i Papës nuk do të vendoset në katafalk, siç quhet shtrati i vdekjes, në të cilin janë vendosur parardhësit e tij, me dëshirën e vetë Atit të Shenjtë, që ndërpreu kështu, një traditë shumëvjeçare.
Riti i mbylljes së arkivolit të Papës Françesku
Sonte, në orën 18, besimtarët nuk mund të vendosen më në rresht për të hyrë në Bazilikën e Shën Pjetrit për homazhe, pasi ajo do të mbyllet në orën 19.00, për ritin e vendosjes së kapakut mbi arkivolin e Papës Françesku, i cili është akt privat. Nesër, në Meshën e Dritës, autoritetet do të renditen sipas protokollit: në radhën e parë krerët shtetërorë të Argjentinës, atdheut të Papës, pastaj ata të Italisë, në vijim familjet mbretërore dhe presidentët e tjerë, sipas rendit alfabetik francez. Lista e plotë e delegacioneve do të publikohet këtë pasdite.
Rruga e procesionit nga Shën Pjetri në Bazilikën e Zojës së Madhe
Procesioni me automjetin, që do të transportojë trupin pa jetë të Papës në Bazilikën e Zojës së Madhe do të dalë nga Vatikani nga porta e ashtuquajtur “Perugino”, pa kaluar nëpër Shën Pjetër. Do të duhet rreth gjysmë ore e arkivoli i Papës do të jetë i dukshëm. Do të përshkojë rrugët e qendrës historike të Romës drej bazilikës liberiane. Varrimi në bazilikë do të bëhet privatisht.
Të dielën pasdite, kardinajtë do të shkojnë në bazilikën e Shën Marisë së Madhe, duke filluar nga ora 16.00, do të kalojnë Portën Shenjte, do të bëjnë homazhe te varri i Papës Françesku dhe më pas, do të shkojnë në kapelën ku ndodhet Zoja - Salus Populi Romani. Së bashku, do të kremtojnë Mbrëmësoret.
150 mijë vetë për homazhe
Që nga e mërkura e kaluar deri në mesditën e sotme, 25 prill, afërsisht 150.000 vetë kanë shkuar në Bazilikën e Shën Pjetrit për t’i bërë homazhe Atit të Shenjtë. Deri më sot, 2700 gazetarë janë akredituar për të ndjekur ngjarjet e këtyre ditëve.