Kërko

Funerali i Papës Françesku: kardinali Re, “për të Kisha është shtëpi e të gjithëve”

“Gjeste të panumëruara në favor të refugjatëve e të refugjateve”. Filli udhërrëfyes i misionit të tij ishte bindja se Kisha është shtëpi për të gjithë; shtëpi me dyer gjithnjë të hapura”. E nënvizoi kardinali Re, dekan i Kolegjit Kardinalor, gjatë homelisë për funeralin e Papës Françesku në Sheshin e Shën Pjetrit. “Papa e përdori vazhdimisht dukjen e Kishës si spital fushor pas një beteje, në të cilën pati shumë të plagosur: një Kishë e etur për t’u kujdesur për problemet e njerëzve"

R.SH. / Vatikan

“Gjeste të panumëruara në favor të refugjatëve e të refugjateve”. Filli udhërrëfyes i misionit të tij ishte bindja se Kisha është shtëpi për të gjithë; shtëpi me dyer gjithnjë të hapura”. E nënvizoi kardinali Giovanni Battista Re, dekan i Kolegjit Kardinalor, gjatë homelisë për funeralin e Papës Françesku në Sheshin e Shën Pjetrit. “Papa e përdori vazhdimisht dukjen e Kishës si spital fushor pas një beteje, në të cilën pati shumë të plagosur: një Kishë e etur për t’u kujdesur me vendosmëri për problemet e njerëzve dhe shqetësimet e mëdha që e shkatërrojnë botën bashkëkohore;  Kishë e aftë të përkulet mbi çdo njeri, përtej çdo besimi a kushti, duke shëruar plagët”. “E vazhdueshme ishte edhe këmbëngulja  për të punuar në ndihmë të të varfërve”. Pastaj, “47 shtegtimet e lodhshme apostolike”, duke nisur nga Lampedusa, për të kaluar në Lesbo, e deri tek Mesha  në kufirin ndërmjet Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara, me rastin e shtegtimit të tij në Meksikë. Sipas kardinalit Re, “do të mbetet në histori  posaçërisht shtegtimi në Irak, në vitin 2021, kryer duke shpërfillur në atë çast çdo rrezik! Kjo vizitë e vështirë apostolike ishte balsam mbi plagët e  hapura të popullit irakian, që kishte vuajtur tepër nga veprimtaria çnjerëzore  e Isis-it”. Me vizitën apostolike të 2024-ës në katër kombe të Azi-Oqeanisë, Papa shkeli “në periferitë më të skajshme të botës”.

Në vijim homelia e Dekanit të Kolegjit Kardinalor, Giovanni Battista Re:

 

MESHA  FUNERALE

PËR PAPËN E NDJERË ROMAK

FRANÇESKU

 

Homelia e Shkëlqesisë së Tij Kardinalit Giovanni Battista Re,

Dekan i Kolegjit të Kardinajve

 

Sheshi i Shën Pjetrit,

E shtunë, 26 prill 2025

 

Në këtë Shesh madhështor të Shën Pjetrit, ku Papa Françesku e kremtoi kaq shpesh Eukaristinë dhe i kryesoi takimet e mëdha gjatë këtyre 12 vjetëve, u mblodhëm në lutje rreth trupit të tij të vdekur me zemër të trishtuar, por të mbështetur nga siguria e fesë, që na siguron se jeta njerëzore nuk mbaron në varr, por në shtëpinë e Atit në një jetë lumturie që nuk do të njohë kurrë perëndim.

Në emër të Kolegjit të Kardinajve, Ju falënderoj përzemërsisht të gjithëve për praninë tuaj. E me gjithë zemër u drejtoj një përshëndetje respekti dhe një falënderim të përzemërt Kryetarëve të Shteteve, Kryetarëve të Qeverive dhe Delegacioneve zyrtare, që erdhën nga shumë vende për të shprehur dashurinë, nderimin dhe vlerësimin e tyre për Papën që na la.

Shprehja e njëzëshme e dashurisë dhe e pjesëmarrjes, që e pamë këto ditë pas kalimit të tij nga kjo jetë - në amshim, na tregon se sa shumë i  preku mendjet dhe zemrat Papnia  e palodhshme e Papës Françesku.

Portreti i tij i fundit, që do të mbetet në sytë dhe në zemrat tona, është ai i së dielës së kaluar, i Solemnitetit të Pashkëve, kur Papa Françesku, pavarësisht nga problemet e rënda të shëndetit, deshi të na jepte bekimin e tij nga ballkoni i Bazilikës së Shën Pjetrit. E më pas zbriti në këtë shesh për ta përshëndetur nga papamobili i zbuluar, gjithë turmën e madhe të mbledhur për Meshën e Pashkëve

Me lutjen tonë, dëshirojmë t’ia besojmë shpirtin e Papës sonë të dashur Zotit, që Ai t’i dhurojë lumturi të përjetshme në horizontin e ndritshëm dhe të lavdishëm të dashurisë së Tij të pafundme.

Na ndriçon e na prin faqja e Ungjillit, në të cilën jehoi vetë zëri i Krishtit ndërsa e pyeste të parin e Apostujve: "Pjetër, a më do më shumë se këta?". Dhe përgjigjja e Pjetrit, e shpejtë dhe e sinqertë: “Zot, ti di gjithçka; ti e di se unë të dua!”. E Jezusi ia besoi atij misionin e madh: "Kulloti delet e mia". Do të ishte kjo detyra e vazhdueshme e Pjetrit dhe e Pasardhësve të tij, shërbim dashurie në gjurmët e Mësuesit dhe Zotit Krisht, i cili "nuk erdhi për t'u shërbyer, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si shpërblim për të gjithë" (Mk. 10:45).

Pavarësisht brishtësisë dhe vuajtjeve të tij të fundit, Papa Françesku vendosi të ndiqte këtë rrugë dhurimi deri në ditën e fundit të jetës së tij tokësore. Ndoqi gjurmët e Zotit të tij, Bariut të Mirë, i cili i deshi delet e veta deri në atë pikë, sa të jepte për to edhe jetën. E këtë e bëri me forcën e qetësisë, pranë grigjës së tij, Kishës së Zotit, duke pasur parasysh shprehjen e Jezusit cituar nga Apostulli Pal: “Ka më shumë gëzim kur jep, sesa kur merr” (Vap 20, 35).

Kur Kardinali Bergoglio, më 13 mars 2013, u zgjodh nga Konklavi për të pasuar Papën Benedikti XVI, kishte mbi supe vite të tëra jete rregulltare në Shoqërinë e Jezusit e, mbi të gjitha, qe pasuruar nga përvoja e 21 vjetëve të shërbesës baritore në kryedioqezën e Buenos Ajres, fillimisht si Ndihmës, pastaj si Koadiutor e, më pas, kryesisht, si Kryeipeshkëv.

Vendimi për të marrë emrin Françesk u duk menjëherë si zgjedhje e një programi dhe e një stili, mbi të cilin donte të bazonte Papninë e tij, duke kërkuar të frymëzohej nga shpirti i Shën Françeskut të Asizit.

E ruajti temperamentin dhe formën e tij të udhëheqjes baritore, e la menjëherë gjurmët e personalitetit të tij të fortë në qeverisjen e Kishës, duke krijuar kontakte të drejtpërdrejta me individë e me popullata, duke dëshiruar të ishte pranë të gjithëve, me vëmendje të veçantë ndaj njerëzve në vështirësi, duke e shkrirë veten pa masë, në veçanti për të fundmit e të braktisurit e tokës. Ishte Papë ndërmjet njerëzve, me zemër të hapur për të gjithë. Për më tepër, ishte Papë i vëmendshëm ndaj risive që po dukeshin në shoqëri e të atyre, që Shpirti Shenjt po ngjallte në Kishë.

Me fjalorin e tij karakteristik dhe gjuhën e  pasur me përfytyrime e metafora, u përpoq gjithnjë t’i ndriçonte problemet e kohës sonë me urtinë e Ungjillit, duke ofruar përgjigje në dritën e fesë dhe duke na inkurajuar t’i jetojmë si të krishterë sfidat dhe kontradiktat e këtyre viteve tona të ndryshimeve, të cilat dëshironte t’i quante “ndryshim i epokës”.

 Kishte spontanitet të madh dhe mënyrë informale për t'iu drejtuar të gjithëve, madje edhe njerëzve larg Kishës.

I pasur me ngrohtësi njerëzore e thellësisht i ndjeshëm ndaj dramave të sotme, Papa Françesku i ndau vërtetësisht ankthet, vuajtjet dhe shpresat e kohës sonë të globalizimit dhe e dhuroi vetveten për të ngushëlluar e për të inkurajuar me një mesazh të aftë që arrinte tek zemrat e njerëzve në një mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershme.

Karizma e tij e mirëpritjes dhe e dëgjimit, e bashkuar me një mënyrë sjelljeje tipike për ndjeshmëritë e sotme, preku zemrat, duke u përpjekur të rizgjojë energjitë morale dhe shpirtërore.

 Primati i ungjillëzimit ishte udhërrëfyesi i Papnisë së tij, duke përhapur, me një gjurmë të qartë misionare, gëzimin e Ungjillit, titull i Nxitjes së tij të parë Apostolike Evangelii gaudium. Një gëzim, i cili  mbush me besim e shpresë zemrat e të gjithë atyre, që i besojnë Zotit.

Filli udhërrëfyes i misionit të tij ishte besimi se Kisha është shtëpi për të gjithë; shtëpi me dyer gjithnjë të hapura. E përdori vazhdimisht dukjen e Kishës si “spital fushor” pas një beteje në të cilën pati shumë të plagosur; Kishë e etur për t’u kujdesur me vendosmëri për problemet e njerëzve dhe shqetësimet e mëdha që e shkatërrojnë botën bashkëkohore;  Kishë e aftë të përkulet mbi çdo njeri, përtej çdo besimi a kushti, duke shëruar plagët.

Gjestet dhe thirrjet e tij në favor të refugjatëve dhe personave të zhvendosur janë të panumërta. Këmbëngulja për të punuar për të varfrit, gjithashtu e vazhdueshme.

Është domethënëse që udhëtimi i parë i Papës Françesku ishte në Lampedusa, ishull-simbol i tragjedisë së emigracionit, me mijëra njerëz të mbytur në det. Udhëtimi në Lesbos, së bashku me Patriarkun Ekumenik dhe Kryepeshkopin e Athinës, ishte në përkim të plotë me këtë, ashtu si edhe kremtimi i një Meshe në kufirin ndërmjet Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara, me rastin e udhëtimit të tij në Meksikë.

Nga 47 udhëtimet e tij të vështira apostolike, do të mbetet veçanërisht në histori ai i Irakut në vitin 2021, i kryer duke sfiduar çdo rrezik. Ajo Vizitë e vështirë Apostolike ishte balsam mbi plagët e hapura të popullsisë irakiane, e cila kishte vuajtur aq shumë nga vepra çnjerëzore e ISIS-it. Edhe ky ishte udhëtim i rëndësishëm për dialogun ndërfetar, tjetër përmasë e rëndësishme e punës së tij baritore. Me Vizitën Apostolike të vitit 2024 në katër Kombe të Azi-Oqeanisë, Papa arriti “në periferinë më periferike të botës”.

Papa Françesku e ka vënë gjithnjë në qendër Ungjillin e mëshirës, duke theksuar vazhdimisht se Zoti nuk lodhet kurrë së na faluri: Ai fal, gjithmonë, cilado qoftë situata e atyre që kërkojnë falje dhe kthehen në rrugën e drejtë.

Deshi Jubileun e Jashtëzakonshëm të Mëshirës, ​​duke theksuar se mëshira është “zemra e Ungjillit”. Mëshira dhe gëzimi i Ungjillit janë dy fjalë kyçe të Papës Françesku. Në dallim nga ajo që e quajti “kultura e flakjes së gjërave të panevojshme”, foli për kulturën e takimit dhe të solidaritetit.

 Tema e vëllazërisë përshkoi të gjithë Papninë e tij me tone të gjalla. Në Letrën Enciklike “Fratelli tutti”, deshi të ringjallte frymëzimin botëror për vëllazëri, sepse të gjithë janë bij të të njëjtit Atë që është në qiell. Ndaj shpesh na kujtonte me forcë se të gjithë i përkasim të njëjtës familje njerëzore.Në vitin 2019, gjatë udhëtimit të tij në Emiratet e Bashkuara Arabe, Papa Françesku nënshkroi një dokument mbi “Vëllazërinë Njerëzore për Paqen Botërore dhe Jetën e Përbashkët”, duke kujtuar atësinë e përbashkët të Zotit.

E duke iu drejtuar burrave dhe grave anembanë botës me Letrën Enciklike Laudato si’, tërhoqi vëmendjen mbi detyrat dhe përgjegjësinë tonë ndaj shtëpisë së përbashkët, sepse "Askush nuk shpëton i vetëm."

Përballë tërbimit të luftërave të shumta të këtyre viteve, me tmerre çnjerëzore e me vdekje e shkatërrime të panumërta, Papa Françesku e ngriti pa pushim zërin duke kërkuar paqe dhe duke ftuar për arsyetim, negociata të ndershme, zgjidhje të mundshme, sepse lufta - pohonte – nuk është gjë tjetër, veçse vdekja e njerëzve, shkatërrimi i shtëpive, i spitaleve dhe i shkollave. Lufta e lë gjithmonë botën më keq se ç’ishte më parë: është gjithmonë, për të gjithë, disfatë e dhimbshme dhe tragjike.

“Ndërtoni ura, jo mure!” është një nga thirrjet, që ai e përsëriti shumë herë, e shërbimi i fesë si Pasardhës i Apostullit Pjetër, lidhej gjithmonë me shërbimin ndaj njeriut në të gjitha përmasat e tij. Në bashkim shpirtëror me të gjithë Krishterimin, jemi këtu të shumënumërt që të lutemi për Papën Françesku, në mënyrë që Zoti ta mirëpresë në pafundësinë e dashurisë së tij.

Papa Françesku dëshironte t’i mbyllte fjalimet dhe takimet e tij duke thënë: “Mos harroni të luteni për mua”.

I dashur Papa Françesku, tani ju kërkojmë Ju të luteni për ne e edhe  që nga qielli Ju ta bekoni Kishën, ta bekoni Romën, ta bekoni të gjithë botën, siç bëtë të dielën e kaluar nga ballkoni i kësaj Bazilike në një përqafim të fundit me të gjithë popullin e Zotit, por idealisht edhe me njerëzimin që e kërkon të vërtetën me zemër të sinqertë dhe e mban lart pishtarin e shpresës.

26 prill 2025, 11:08