Kërko

2025.04.19  Veglia Pasquale nella notte santa presieduta dal Cardinale Giovanni Battista Re

Papa në Vigjiljen e Pashkëve: Drita e Krishtit të Ngjallur i ndriçoftë zemrat tona

Në kremtimin e liturgjisë së Natës së Shenjtë të Pashkëve kryesuar nga Kardinali Re në Bazilikën e Vatikanit, predikimi i përgatitur nga Papa: Ringjallja nuk zgjidh gjithçka në një mënyrë magjike, por e hap rrugën pak nga pak, edhe në mes të mosbesimit. Ndërsa shumë erëra vdekjeje po fryjnë ende dhe hijet e së keqes vazhdojnë "marshimin e tyre të zhurmshëm në botë", të mos humbasim zemrën dhe të mos i bëjmë vend dritës së Krishtit të Ngjallur.

R.SH. / Vatikan

"Le t'i lëmë vend dritës së të Ngjallurit! Dhe ne do të bëhemi ndërtues të shpresës për botën".

Kjo është nxitja që vulos predikimin e Papës për Vigjiljen e Pashkëve, në Bazilikën e Shën Pjetrit, kryesuar nga kardinali Giovanni Battista Re, në bashkëkremtim me 34 kardinaj, 24 ipeshkvij dhe 260 meshtarë. Papa Françesku, i cili erdhi këtu në Bazilikë të shën Pjetrit disa orë para fillimit të liturgjisë së Natës së Pashkëve për një kohë lutjeje dhe për t'u afruar me besimtarët që do të merrnin pjesë, është "i pranishëm shpirtërisht" dhe kështu jep, në tekstin e homelisë së lexuar nga dekani i kolegjit të kardinajve, inkurajimin e tij, që ne të banojmë nga besimi tek Ai që pushton çdo errësirë.

E mbushur me pesë mijë besimtarë, përfshirë të pranishmit në Shesh të Vatikanit, për këtë Natë të Shenjtë të Ngjalljes së Krishtit, Nënë e të gjitha netëve, liturgjia solemne në Bazilikën e Shën Pjetrit nisi kremtimin e ritit të "Dritës, që filloi me bekimin e zjarrit të ri, i cili përgatiti procesionin drejt altarit qendror të Rrëfimit, shoqëruar me këngën latine të ngazëllimit, këngën e profecisë. Qiri i Pashkëve, në të cilin janë gdhendur një Kryq, Alfa dhe Omega, numrat e vitit jubilar 2025 dhe në të cilin janë futur pesë kokrra temjan, përhapi me shkëlqimin e dritës së tij të gjithë hapësirën e shenjtë. I zhytur në solemnitet të heshtur, në fillim në errësirë ​​totale, secili besimtar mori dritën nga qirinjtë e fqinjëve të tij. Kështu vështrimi mund të zgjerohet ndërsa drita që zbukuron gjithçka përparon në mënyrë progresive përgjatë Bazilikës. Kremtimi solemn i Natës së Shenjtë të Pashkëve vijoi me liturgjia e Fjalës, e cila përshkoi historinë e shpëtimit, ndërsa nga Luka ungjilltar rrëfeu skenën e gurit të hequr nga varri i Jezusit.

Tre katekumenë, dy italianë dhe një shqiptare, marrin Sakramentet e fillimit të krishterë, Pagëzimin, Përforcimin a Krezmimin dhe Eukaristinë. Mbi ta lutja e mëshirës së Zotit në mënyrë që Ai t'i udhëzojë në burimin e rilindjes shpirtërore. Ndër ndjetet e lutjes universale, lutja për i qeveritarët që ata të mund të frymëzohen në "kërkimin e paqes së vërtetë" dhe lutja për viktimat e luftës, që ata të mbushen me shpresë.

Në vijim

HOMELIA E ATIT TË SHENJTË

Nata e Pashkëve - 19 Prill 2025

Është nata kur qiriu i Pashkëve shkrihet ngadalë në altar. Nata, kur kënga e Himnit na i ngazëllon zemrat, sepse toka është "përmbytur nga një shkëlqim kaq të madh: drita e Mbretit të përjetshëm e mundi errësirën e botës" (Shpallja e Pashkëve). Nësa nata i afrohet fundit, ndodhin ngjarjet e treguara në Ungjillin e sapo shpallur (shih Luka 24:1-12): drita hyjnore e Ringjalljes ndizet dhe Pashkët e Zotit nisin kur dielli gatitet të lindë; në rrezet e para të agut shihet se guri i madh, i vendosur mbi varrin e Jezusit është përmbysur dhe disa gra mbërrijnë në atë vend mbuluar me vele zie. Terri mbështjell hutimin dhe frikën e dishepujve. Gjithçka vijon të ndodh në natë.

Kështu, Vigjilja e Pashkëve na kujton se drita e Ngjalljes e ndriçon rrugën hap pas hapi, shpërthen në errësirën e historisë pa zhurmë e strehohet maturisht në zemrat tona. E kjo përkon me një fe të përvuajtur, pa asnjë triumfalizëm. Pashkët nuk janë ngjarje spektakolare me të cilën Zoti pohon vetveten dhe na detyron të besojmë në të; nuk është qëllim, që Jezusi e arrin me një rrugë të lehtë, duke e anashkaluar Kalvarin; dhe as ne nuk mund ta jetojmë atë me lehtësi dhe pa ngurrim. Përkundrazi, Ringjallja u ngjet filizave të vegjël të dritës, që hapin rrugën pak nga pak, pa bërë zhurmë, ndonjëherë ende të kërcënuar nga nata dhe nga mosbesimi.

Ky “stil” i Zotit na çliron nga një besim abstrakt, i mashtruar nga mendimi se ringjallja e Zotit zgjidh gjithçka në mënyrë magjike. Përkundrazi: ne nuk mund t’i kremtojmë Pashkët pa u marrë vazhdimisht me netët që mbajmë në zemrat tona dhe me hijet e vdekjes që dynden shpesh përmbi botë. Krishti mundi mëkatin dhe shkatërroi vdekjen, por, në historinë tonë tokësore, fuqia e Ringjalljes së tij është ende në përmbushje. E kjo përmbushje, si një syth i vogël drite, na u besua që ta ruajmë dhe ta bëjmë të rritet.

Vëllezër e motra, kjo është thirrja që, veçanërisht në vitin jubilar, duhet ta ndjejmë fort brenda nesh: të përpiqemi që shpresa e Pashkëve të mbijë në jetën tonë e edhe në botë!

Kur e ndiejmë ende peshën e vdekjes në zemrën tonë, kur shohim hijet e së keqes që vijojnë marshimin potermadh mbi botë, kur ndiejmë  si na djegin varrët e egoizmit a të dhunës në trupin tonë dhe në shoqërinë tonë, të mos na lëshojë zemra, të rikthehemi tek kumtimi i kësaj nate: drita ngadalë nis e shkëlqen edhe pse jemi në errësirë; na pret shpresa e një jete të re, e një bote të çliruar përfundimisht; një fillim i ri mund të na befasojë edhe pse ndonjëherë duket i pamundur, sepse Krishti e mposhti vdekjen.

Ky kumt, që e bën zemrën mal, na mbush me shpresë. Në Jezusin e Ngjallur kemi sigurinë se historia jonë personale dhe udhëtimi i njerëzimit, edhe pse ende të zhytur në natë, ku dritat duken të zbehta, janë në duart e Zotit;  e Ai, në dashurinë e tij të madhe, nuk do të na lërë të lëkundemi e as nuk do të lejojë që e keqja të thotë fjalën e fundit.

Siç na kujton Shën Augustini, "ringjallja e Zotit tonë Jezu Krishtit shënon jetën e re të atyre që besuan në Të; e këtë mister të vdekjes dhe të ringjalljes së tij, ju duhet ta njihni thellësisht dhe ta riprodhoni në jetën tuaj" (Predikimi 231, 2). T’i ripërsërisim Pashkët në jetën tonë dhe të bëhemi lajmëtarë të shpresës, ndërtues të shpresës, ndërsa shumë erëra vdekjeje fryjnë ende mbi ne.

Ne mund ta bëjmë këtë me fjalët tona, me gjestet tona të vogla të përditshme, me zgjedhjet tona të frymëzuara nga Ungjilli. E gjithë jeta jonë mund të jetë prani shprese. E dëshirojmë për ata të cilëve u mungon besimi në Zotin, për ata që humbën rrugën, për ata që u dorëzuan ose që e kanë kurrizin të përkulur nën barrët e jetës; për ata që janë vetëm ose të mbyllur në dhimbjen e tyre; për të gjithë të varfërit dhe të shtypurit e Tokës; për gratë e poshtëruara e të vrara; për fëmijët që nuk lindën kurrë e për ata që u keqtrajtuan; për viktimat e luftës. Secilit prej jush dhe të gjithëve, u sjellim shpresën e Pashkëve! 

Më pëlqen të kujtoj një mistike të dyqindës, Hadewijch e Anversës e  cila, e frymëzuar nga Kënga e Këngëve dhe duke përshkruar vuajtjet për mungesën e të dashurit, lutet për kthimin e dashurisë sepse - thotë - "mund të ketë një pikë kthese në errësirën time" (HADEWIJCH, Poesie Genesie, 20,20,202).

Krishti i ringjallur është kthesa përfundimtare në historinë njerëzore. Ai është shpresa që nuk njeh perëndim. Është dashuria, që na shoqëron dhe na mbështet. Ai është e ardhmja e historisë, duhet t’ua kumtojmë të gjithëve.

T'i hapim vend dritës së të Ngjallurit! E do të bëhemi ndërtues të shpresës për botën.

19 prill 2025, 16:00